Kreu i PD-së Lulzim Basha

Opinion

Frrok Çupi: Majmuni akademik nuk kthehet te humbja

5 Maj 2021, 09:29| Përditesimi: 5 Maj 2021, 09:37

  • Share

Mora vesh se sapo ka përfunduar një mbledhje në sallat e Partisë Demokratike, ku kryetari u ka shpallur luftë zgjedhjeve.

Ai ka thënë se ‘nuk i njohim’- një fjalor ky që përkon me fjalorin e përdorur në diplomacinë e Luftës së Ftohtë. Thellë në kohë në të shkuarën shkon sjellja e kryetarit të PD që humbi zgjedhjet. Edhe Lindja kishte humbur ndaj Perëndimit që thoshte ‘nuk e njohim’.

Por sidoqoftë, PD sapo deklaroi se ‘nuk njeh zgjedhjet’ ku ndodhej vetë. Arsyeja është e qartë: Njëra palë ka humbur, dhe kjo palë nuk ‘i njeh’. Po sikur PD të kishte fituar?… Po sikur PD të humbë përsëri?…

Me një arsyetim shumë të thjeshtë, ‘i njeh a nuk i njeh zgjedhjet!’, kemi hyrë në një diskutim akademik, më shumë se në një diskutim ‘lufte’, me të cilin edhe po kërcënon pala e humbur. Akademizmi ka lidhje me të kaluarën: A mund të kthehemi atje thellë në kohën e kaluar, apo jo?

Franz Kafka, shkrimtar dhe filozof, aty nga fillimi i shekullit 20, hyri në rrjedhën e gjatë të filozofimit të kthimit në kohë, njësoj si sot diskutimi akademik ‘ta pranoj a të mos e pranoj kohën e djeshme?’, ‘ta njoh vitin e kaluar?’, ‘ta sjell prapë humbjen e tre mandateve të kaluara?’. Lul Basha i PD ka katër a pesë herë që humb zgjedhjet dhe nuk i njeh..

Kafka solli modelin e ‘majmunit akademik’. Majmuni do të mbante një fjalim në Akademinë e Shkencave, ku do të fliste mbi të shkuarën e tij para se të ndahej nga stadi majmunëror dhe të bëhej ‘akademik’. Herë thoshte se që nga ajo ditë kishte kaluar një ‘kohë shumë e gjatë’, herë thoshte se kishte kaluar një periudhë ‘e shkurtër’.

Por më shumë u duartrokit për deklaratën e dytë:

‘Majmuni akademik’ deklaroi se kurrë nuk do të kthehej te periudha e mëparshme.

Për ta bërë bindëse deklaratën e bujshme, majmuni akademik solli dy argumente që dëshmonin se ‘nuk ishte më në kohën e shkuar’. E para- tha majmuni akademik,- ‘kam hequr dorë nga kokëfortësia’. Ai kishte nisur të dëgjonte njerëzit- gjë që nuk e bënte kurrë më parë. Mandej kishte pranuar edhe të ndryshonte, sipas deklaratës.

Argumenti i dytë pse e kishte lënë pas krahësh të shkuarën- tha majmuni- është se ‘kam nisur të mos mendoj më me stomak’. Majmunët mendojnë me stomak, por ‘akademiku’ e kishte lënë pas atë stad; tani mendonte me kokë.

Ja ky ishte diskutimi ‘akademik’ mbi kohën e lënë pas- sipas Kafkës- që na hyn në punë sa herë hasim në gropat e stadit të kapërcyer. Ne jemi në shekullin 21 dhe prapë na hyn në punë diskutimi i ‘majmunit’

Ne shqiptarët, votues dhe qytetarë, kemi provuar kufirin më të qartë të ndarjes mes diktaturës dhe demokracisë. Por pyetja bëhet: Vallë ‘majmuni’ ynë e ka kapërcyer stadin nga diktatura në ‘akademizëm’? Kjo është çështja. Zulmi i luftës për demokraci dhe fitore në zgjedhje niset nga instinkti i vjetër e majmunit ‘proletar’. Që në momentin kur PD, për të tretën legjislaturë, sapo shikon humbjen deklaron se nuk i njeh zgjedhjet, do të thotë se që në hapin e parë është nisur vetëm ‘për fitore’. Vetëm në ‘demokracinë proletare’ Partia ka vetëm fitore. PD po shkon pas.

A mund ta kthejmë kohën që iku?- pyeti ‘akademiku’ i Kafkës. Atij personazhi, vetëm atij, i lejohej kjo pyetje; shkrimtari e zgjodhi qëllimisht nga radhët e majmunëve. Sepse qeniet njerëzore kishin ndërgjegje e nuk u lejohej të shtronin pyetje të qartësuara prej shekujsh: Se koha nuk kthehet, e dinë njerëzit. Por edhe majmuni akademik tha se ‘nuk e kërkon kthimin e kohës’. Ne e dimë se kur partia humb zgjedhjet, humbësit humbin shumë interesa. Por çfarë të bësh?!… Disa nga humbësit kishin shpresuar se ‘nuk do të paguajnë dritat’, disa duan poste zyrtare, disa duan pushtet mbi të tjerë, ndërsa liderët luajnë për interesa shumë të mëdha… Por ja që ndodh të humbin. Atëherë, i duhet vënë zjarri gjithçkaje tjetër? Majmuni akademik e pranoi ‘me dhimbje’ se tashmë stomaku i tij nuk do të funksiononte edhe si stomak edhe si tru. Jo, ai i la pas interesat e mëdha të stomakut…

Ka një ‘akademizëm’ të hershëm në fushën e Demokracisë; vetëm demokratët kanë mbetur ata që nuk e njohin ‘akademizmin demokratik’. Nuk njohin as zgjedhjet.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?