Vladimir Putin dhe Sali Berisha

Frrok Çupi: Nafta për Putinin dhe një episod me Dedën

13 Prill 2022, 11:55| Përditesimi: 13 Prill 2022, 11:58

  • Share

Ai tregonte bukur, aq bukur sa nuk përsëritet. Pa shkollë kushedi- sigurisht, por ku ka shkodran ‘pa shkollë’ në tregimtari. “Nuk ishte err hala, i hymë bregut të liqenit të Shkodrës dhe e krehëm mirë. Kur shoh një thes të mbushur plot, diku te një trung peme”.

-Ma sill pak- i them policit tjetër.

Ai e mori dhe ma vuri përpara. E hapa një pëllëmbë, e çfarë shikoj. Lek… Jo lek, por plot me marka dhe dollarë.

I them policit ‘hajde me mua, do të nisemi për në Tiranë. Marr makinën dhe nisem

 (Deda, sa hyri demokracia e deri sa shkoi në amëshim, ngiste një makinë të modelit të vjetër, Mercedes Benz- 240). Ishte një nga aktivistët më të vendosur për Demokraci, anëtar i PD; në 14 janar 1990, bashkë me disa miq të tij rrëzuan bustin e Stalinit në Shkodër dhe i burgosën…

-Polici nuk më pyeti hiç ku po shkonim. U ndala para zyrës së Presidentit dhe i thashë të më priste. Mora thesin e shkova te gardhi. ‘Te Presidenti jam nisë… Thuaji se ka ardhë Dedë Kasneci”.

Nuk më lanë të hyja, “ka thënë presidenti hajde nesër’, më thanë. “Sonte- i thashë, se kam një punë urgjente këtu me vete… E ku ta lë gjithë këtë thes!?, u them rojeve.

Rojet morën e dhanë dhe më në fund më thanë ‘hyr, po të pret Doktori!’. Me thesin në dorë e drejt e në zyrë… Më tha ‘si je Dedë? Ça asht ai thes?…’ I thashë se e lanë trafikantët e naftës në buzë të liqenit, e ua solla…, ju i dini këto punë…

“Mirë, mirë- më tha. Lëre thesin aty në qoshe e shko tani”.

… U nisa natën për në Shkodër, e prapë nesër roje buzë liqenit…

Dedë Kasnecin e kishin emëruar përgjegjës të një turni policor në breg të Liqenit të Shkodrës.

Me ca sy të ndritur, që në rini do të ishin nisur për sy të kaltër; me një sinqeritet që i buronte gjithë fytyrës, Deda tregonte historinë me thesin e parave, pa e ditur se po dëshmonte një krim shumë të rëndë të kreut të shtetit. Presidenti Berisha e kishte hapur rubinetin e naftës dhe të armëve për t’i dhënë jetë regjimit të egër anti- njerëzor të Sllobodan Millosheviçit. Që nga viti 1992 deri në vitin 1996, presidenti i Shqipërisë, Berisha, i dërgoi miliona tonë naftë dhe miliona armë regjimit gjakatar të Milloshevicit, që u derdhën e shkatërruan jetën e popullit boshnjak dhe të shqiptarëve të Kosovës. Vetëm në Srebrenicë të Bosnjës, më ato fuqi të përcjella nga Tirana, u vranë 8 mijë burra në tre ditë. Ndërsa në Kosovë u krye mizoria e njohur shtetërore.

Presidenti i republikës së Shqipërisë kishte thyer embargon e Kombeve të Bashkuara, të Amerikës dhe Europës, që ndalonte çdo pikë furnizimi me naftë për regjimin e ‘kasapit të Ballkanit’. Njësoj, krejt njësoj si sot me mizoritë e presidentit Putin. Ukraina e sulmuar prej armës së egër e gjakatare të Putin është e mbjellë me varre masive dhe kufoma rrugëve të qytetit. Bota përparimtare ka shpresë se fuqia e regjimit të egër të Putinit do të fiket bash në momentin kur bota nuk do të marrë më asnjë pikë naftë prej rezervave të tij ruse.

E njëjta gjë kërkohej nga bota përparimtare në vitin 1993, kur Deda gjeti një thes me para dhe i dërgoi në zyrën e Presidentit të Republikës. Presidenti Berisha, kundër vullnetit politik e njerëzor të botës përparimtare, kishte hyrë në ujdi me Bullatoviç, Arkan dhe Millosheviç dhe kishte hapur rubinetin e naftës për armën vrastare. Rrugët e naftës transportonin me gjithçka: Me bote, me karroca, me kova e me serbratorë makinash, që nga liqeni i Shkodrës, në Qafë Morinë- pesë kilometra nga fshati Viçitol, në Dibër e në Qafë Thanë….

Shqipëria e presidentit Berisha ishte hallakatur zorrësh për t’i dhënë jetë regjimit vrastar të Millosheviçit… Çfarë ka mbetur sot? Kanë mbetur kujtimet, tregimi i Dedës, varret në Bosnjë e në Kosovë, dhe… sulmi i Berishës kundër Shteteve të Bashkuara pse qeveria amerikane e shpalli Berishën ‘minues të demokracisë, shantazhues të drejtësisë dhe të korruptuar deri në qelizën e familjes”. Sikur t’i vijë rasti, Berisha do të ishte në krah të Putinit që t’i marrë frymën Amerikës dhe Perëndimit, njësoj si në vitin 1992-96…

E pastaj njerëzit pyesin ‘pse e shpallin non- grata, Amerika është e keqe, Berisha është i mirë’.

Nuk pyes thjesht për një thes, por për gjithë fitimet kolosale që nxori Presidenti i Republikës nga trafiku personal e familjar i naftës dhe e armëve. “Në një qoshe të zyrës së presidentit”, ishte vetëm pakogjë. Milionat dollarë i erdhën rrotull jetës së njeriut dhe e lidhën për vdekje. Fillimisht u futën për larje në gropën e piramidave financiare, që shkaktuan luftë civile, luftë të shtetit kundër qytetarëve, vdekjen e mijërave dhe shkatërrimin deri në rrënjë të vendit.

Sot prapë na vijnë rrotull ato para, me to bëhen Foltore, paguhen militantë, paguhen militarë dhe zjarrvënës në emër të shefit të trafikut të vitit 1992- 96.

Po shefat e tjerë të mafies, ku janë vallë?

Firma trafikante ‘Shqiponja’ e krijuar si biznes familjar PD- Berisha, rron në hije. Ajo mblodhi miliona dollarë nga sfida e ‘Shqipërisë’ kundër renditt botëror për mbrojtjen e jetës së njerëzve…, po ku janë!?. Amerika ka rënë në gjurmë të tyre dhe ka vënë alarmin se ‘Berisha është i rrezikshëm për Sigurinë’.

Ku janë leitnantët e Berishës?

Drejtori i firmës së PD- Berisha, e quajtur ‘Shqiponja’, ishte Tritan Shehu. Ai sot është deputet i Kuvendit, i ngjitur pas Berishës, si i martuar ‘në të keq e në të mirë’.

Me siguri Hetimi dhe titulli ‘Non Grata’ nuk vonojnë. Pse pyesin atëherë ‘kush e ka radhën?’

Ku është Genc Pollo, administrator i Shqiponjës? Zyrtar besnik i Berishës, afër një kontingjenti për Spak e për ‘non- grata’. Ku është Pjetër Arbnori, koordinatori me tregun serb?

Vdiq në rrethana misterioze, i hedhur poshtë nga Berisha. Ku janë Ali Kazazi dhe Ali Spahia, drejtorë të marketingut të ‘Shqiponja’? Të vdekur në rrethana misterioze, në të njëjtin spital me ‘shokët’. Veçse të birin e Aliut të Dytë nuk e ndan nga vetja Berisha.

Ku është Safet Zhulali, njeriu që garantonte mbrojtje fizike sekrete të trafikut? Edhe ai ‘të shokët’, pas një vdekjeje misterioze në të njëjtin spital. Veçse dhëndrin e tij nuk e lëshon Berisha.

Ku janë Agim Shehu dhe Bashkim Gazidede, menaxherë të firmës ‘Shqiponja”? Edhe këta ‘te shokët’, të vdekur në rrethana misterioze në të njëjtin spital… …

Atëherë nuk paska mbetur gjë mbi këtë tokë, veç tregimit të Dedës dhe protestës anti- amerikane “Mos na prekni Saliun!”

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?