Sali Berisha

Opinion

Frrok Çupi: Neziri i bën gjyqin Amerikës te Ura e Milotit

26 Maj 2021, 09:42| Përditesimi: 26 Maj 2021, 16:06

  • Share

Rasimi, shoferi i autobusit Milot- Rrëshen, sa kalonte harqet e urës së famshme, ulte shpejtësinë dhe shpesh fikte motorin e asaj gërdalle çeke. Katër ose pesë dritare hapeshin nga kureshtarët.

Neziri, një burrë i mbetur më shumë pa banesë, i veshur me një xhaketë ushtarake pa spaleta dhe me një kapele ushtaraku pa yll, bënte spektaklin e përditshëm. Gjymit prej llamarine të prodhuar në uzinën Tirana, i kishte hequr fundin dhe e përdorte si megafon.

… Këtë punë bënte Neziri përditë në cepin e urës së Zogut, të paktën sa herë ishte ora e autobusëve për në veri: o Shkodër, o Rrëshen. Burri, i pajisur me uniformën e degraduar të ushtrisë komuniste, bënte përditë recitalin anti- amerikan në fundin e urës së ndërtuar nga mbreti Zog. Askush nuk mund ta dinte sa inteligjent ishte Neziri, përderisa bënte edhe si çdo ‘njeri i harruar në rrugë’, por edhe si mjeshtër i përzierjes së mbretërive: komunizëm, mbretëria Zog, Amerikë.

Nga Amerika kishte zgjedhur sekretarin e shtetit, Henry Kissinger. Edhe ai, që në atë kohë, kishte zgjedhur hijen e sekretarit të shtetit me qëllim që të muroste hijen e tij si burrë i veriut. Henry Kissingerin e bënte copë ditë përditë, sa herë ndalonte autobusi. E vinte gojën në grykën e madhe të gjymit prej llamarine, ngrinte drejt qiellit fundin e boshatisur të enës që përdorej në kantieret e ndërtimit, dhe lëshonte zë sa kishte në kokë:

-Ti, Kissinger, në qofsh je burrë, eja këtu. Eja këtu, të pret Neziri te Ura e Zogut; po nuk të munda, atëherë mos më thuaj më malësor Mati. Poshtë Kissinger!

Pastaj e shante politikisht:

-Ti Kisinger, je imperialist. Por Amerika e sheh fundin shpejt. Shqipëria është shkëmb graniti ku thyejnë kokën armiqtë… Poshtë Kissinger!

Ky ishte rast i rrallë kur një ‘i pa strehë’ lejohej të lëshonte parulla politike; ndoshta Neziri lejohej pse kishte gjetur ‘midenë’ e diktatorit për t’i bërë gjyqin Shteteve të Bashkuara.

Por kjo, tashmë, nuk ka rëndësi.

Në kujtesën njerëzore ka mbetur habitati, po kaq njerëzor dhe i dyfishtë:

Nga njëra anë, vullneti për të dëshmuar vetveten duke luftuar nga larg kundër fuqisë së madhe dhe kundër njeriut të madh.

Nga ana tjetër, dhuntia e zotit për të imituar më të madhin, ose atë të madhin fare që e shikon në dritë të syrit. Edhe këtu mes nesh kështu bëjnë, imitojnë njëri tjetrin: Tritan Shehu, për shembull, imiton Berishën, Roland Bejko ka grimasat e Tritanit, Berisha imiton udhëheqësin e fundit jugosllav, Meta thotë se imition Mehmet Shehun, e me radhë…

Kështu vajti kjo punë…

Ata që luftonin prej së largu shtetin e madh, Amerikë, duke përfshirë edhe vetë diktatorin e Shqipërisë, ata nuk i dëgjonte asnjë njeri përtej oqeanit. Megjithatë këta luftonin në breg të Adriatikut. Ciflat e luftës i hante në bark populli këtu.

Diktatorët luftojnë kundër të madhit që jeton larg, me qëllim që të poshtërojnë sa më shumë popujt e tyre dhe t’i lëshojnë përdhè me ndjenjën e frikës në bark. A nuk e ndjeni se që në datë 19 maj kur Amerika lëshoi urdhërin ‘non- grata’, këtu nuk ka më aq frikë sa më parë?…

Deri më sot ka ardhur ky zakon dreqi i liderëve të poshtër që dhunojnë popujt e tyre me emrin e Amerikës. Ish- presidenti Sali Berisha e dhunoi dyfish popullin e vet duke mbajtur në filetën e xhaketës distinktivin me flamurin Amerikan. Herën e parë, kur ia rropi financat dhe kursimet popullit të vet, duke garantuar se ‘paratë e shqiptarëve janë të pastra’ dhe duke vënë në krah ambasadorin e Amerikës. Njëmijë mëkate të tjera kundër popullit kreu nën emrin e Amerikës.

Ndërsa hera e dytë është kjo që po përjetojmë: Si Sali Berisha (ish president), edhe Ilir Meta- president, i kanë shpallur luftë Amerikës. Berisha ka hedhur në gjyq sekretarin e shtetit Antony Blinker, siç edhe Neziri i bënte gjyqin sekretarit Henry Kissinger./ Gazeta "Fjala" 

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?