Ish kryeministri Berisha

Frrok Çupi: PD e Palestinë

1 Mars 2023, 09:50| Përditesimi: 1 Mars 2023, 11:59

  • Share

3 Mars, 2023, e Premte.

Po i afrohemi një stacioni tjetër, si te Taiëani, ku do të përplasen mjetet e dy pjesëve të PD: Ose do të shkalafiten e do të mbeten në mes të rrugës të dyja, ose njëra do të vazhdojë rrugën e tjetra do të presë nën shi në trotuar. Historia na ka prurë parasysh mijëra raste si ky, madje e fundit- qysh nga 8 janari 2022 në selinë e PD (ish SHQUP) e deri në modelin politik të Palestinës, në Ramallah.

Po të kishte viganë e trima, qysh atëherë do të ishin zgjidhur të dy çështjet. Interesant, se si konflikti i Palestinës, edhe konflikti në PD, në secilën prej tyre ka dy palë ose pjesë. Në PD dy palët për vulën dhe, në Ramallah, dy pjesë që pretendohen: Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës.

Sali Berisha i Foltores së PD nuk arriti të hyjë në histori si fitimtar në 8 Janar; as Filistinët (sipas origjinës greke e romake të emrit të Palestinës) nuk fituan që në fillim të herës në vitin 1948. Berisha do ta kishte zgjidhur duke i vrarë të gjithë kundërshtarët, ose të paktën Lulin, në 8 Janar 2022.

Egjipti dhe Jordania, për gjashtë ditë e pushtuan territorin e pretenduar të shtetit palestinez, megjithëse pa efekt përfundimtar.

Sot e kësaj dite asnjëra nga 2 çështjet botëror që janë bërë edhe agjendë amerikane, nuk është zgjidhur: Që nga viti 1967, vetëm në janar 2015, Palestina mundi të aderojë në Statutin e Romës dhe i dorëzoi prokurorit të IÇ-së juridiksion mbi krimet e supozuara të kryera në kontekstin e konfliktit Izrael-Palestinë, në Gaza dhe Jerusalemin Lindor.

Ndërsa PD pret që në datë 3 mars, këtë të premte, Gjykata e Apelit të vendosë mbi fatin e vulës, cila nga dy PD-të do ta gëzojë.

Nëse do të rendisim datat sa herë gjykata ‘i mori hov’ çështjes së PD dhe sa herë u shkreh përtokë, do të më kujtonte komentet e analistëve perëndimorë gjatë konfliktit të egër në Palestinë, vitet ’80 e ‘90.

Analistët patën shkruar se ‘po të ndjekësh këto data dështimesh, të merren mendtë’. PD e ka nisur ‘Rripin e Gazës’ në mars, 25, 2022. Aty gjykatësi Zhukri, ish shofer i Berishës, dha një vendim në favor të bosit të tij. Por kjo e ngatërroi gjithë lumin ‘Jordan’. Nisi odiseja e ankesave dhe gjyqeve:

13 prill 2022, gjykata merr në shqyrtim ankimin e Alibeaj

6 dhjetor 2022, gjykata shtyn përsëri vendimin (dmth., ishte shtyrë edhe më parë).

20 dhjetor 2022, shtyhet gjyqi, Alibeaj kërkon kohë.

3 janar 2023, refuzohet kërkesa për përjashtimin e gjyqtares.

17 janar 2023 Alibeaj tërheq ankimimin.

3 shkurt 2023, përplasje për vulën,- shkruan media- caktohet gjyqtarja që do të vendosë fatin e vulës.

3 mars 2023, pritet përleshja e madhe; përleshje- njësoj si të vendoset në favor të njërës ose tjetrës PD.

Sali Berisha ka lajmëruar popullin se që nga data 3 mars askush të mos bëjë jetë normale, do të ketë anormalitet total dhe sulm mbi sigurinë e secilit. Ta kishte kryer punën që në 8 Janar 2022, kur i hyri selisë me shula, me hekura, me leva, me zjarr e me kokë-dash, sot do të ishte ndryshe, kush të kishte mbetur më këmbë- ai do të kishte jetuar pa konflikt.

As lideri i Autoritetit Palestinez nuk ia fali kurrë vetes që e mori zvarrë konfliktin në gjithë jetën e tij, derisa në vitin 2004 i pushoi fryma në Paris nga një sëmundje që kurrë nuk u bë e ditur. Deri atë ditë autoriteti dhe besueshmëria e Arafat ishin bërë copë- copë.

Ruhej me 15 ose edhe 18 roje personale; kishte ndërlidhës të besuar;  asnjëherë nuk e rrahu dhe nuk e qëlloi njeri. I korruptuar dhe i zhytur në trafiqe të paligjshme, deri në fyt. Por ama më së shumti bëri jetën në një mënyrë të pakuptimtë.

Biografët shkruajnë se ‘rrobat e tij të papërshtatshme ushtarake dhe fytyrën e parruar (një gjendje e lëkurës e bënte të dhimbshme për të rruarja), Arafati kishte një farë hijeshie të maces. Ai ishte fizikisht i guximshëm, ose ndoshta thjesht fatalist, duke jetuar me kërcënime të përditshme për jetën’. Që nga viti 1967 deri në 1993, priti me pasion ditën kur mund t’i jepej një pasaportë për të vizituar Shtëpinë e Bardhë, ku ishte shpallur ‘i papërshtatshëm’.

Palestina dhe lideri jetuan në dy personalitete, në dy realitete, një këmbë në Breg e një këmbë në Rrip. Në vendin tonë kemi një realitet të tretë me të njëjtën vegjetacion: Dy pjesë të PD, dy palë në vulë, një lider me dy jo- parti ‘Foltore dhe Rithemelim’, të dyja të ndara me Shtëpinë e Lirisë, dy liderë në ‘opozitë’ që vuajnë sëmundjen e fajeve tragjike, dhe presin… Siç priti Arafati.

Në datë 3 mars nuk do të ketë asnjë zgjidhje, aq sa ka pas 75 vjet për shtetin arab që thamë./Fjala.al

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?