Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Opinion

Frrok Çupi: Pse po shkruaj librin politik ‘Trapi i vjetër’?

6 Tetor 2021, 14:23| Përditesimi: 6 Tetor 2021, 19:31

  • Share

PD ka shërbyer si trap për të kaluar lumin turli batakçinj e kriminelë gjatë gjithë jetës së vet. A e keni pikasur ndonjëherë me këtë pamje?!

Që kur nisi:

Besnik Trungu, piktori i talentuar që  më kishte dizajnuar kokën e gazetës ‘RD’, teksa po shkoja në klubin e Lidhjes, atë ditë më pret te dera e studios. ‘Ata të tutë më kërkojnë t’u bëj edhe kokën e PD- më tha. Ma kërkojnë dhe më thonë ‘bëje kështu, kështu, kështu…’, si RD-në. Mirëpo ja si del- më tha Besniku i shqetësuar- dhe më tregoi këtë kokë që ka sot PD, një figurë blu që është e tëra një ‘drapër e çekan’, simbol i Partive Komuniste.

Me sa duket kjo ishte simbolika e parë se PD do të shërbente për të kaluar sjelljen politike komuniste nga bregu ku kishte jetuar, drejt bregut ‘të ri’ të Demokracisë. E gjithë sjellja politike e epokës post- komuniste, ishte po aq komuniste sa më parë. Plus që u mbush plot me anëtarët më të egër të PPSH, zyrtarë të Komitetit Qendror, Sigurimsa, xhelatë, njerëz me grada… Dmth., PD-në ia vunë në shërbim Partisë së Punës për të bërë kalimin e butë, nga atje, këtu ku jemi.

Pasi nisi, derisa:

… Derisa një ditë, ka qenë fillim marsi i vitit 2019, kur këta ia dhanë PD-në Ilir Metës. Metës ia dhanë që t’i shërbejë si mjet lundrues për të kaluar moçalin ‘kundër Amerikës, pro- vdekjes si Allende, kundër Kushtetutës së Republikës’, etj. Atë pasdite, djali nga Skrapari, nipi i Duçkës që kishte kaluar jetën në Stamboll, bëri spektakël me ‘veshjen e PD’. Jo se kishte një rrobë simbolike të PD, por gjithë bulevardi dhe trupi i Metës u vesh me materialin njerëzor të PD-së.

Të nesërmen ‘trapi’ u sistemua në ish- zyrat e SHQUP; por sa rëndësi ka. Që atë ditë unë gjeta titullin për shënimet e mija mbi librin e ri për PD: ‘Trapi i Vjetër’.

Dhe më në fund:

‘Trapin’ e ka marrë vetë Sali Berisha. Ai erdhi në PD si i dërguar i Politbyrosë komuniste, por mori ‘trapin’ që të kalonte ujërat e veta dhe të disa të tjerëve. E rrënoi atë vegël të vjetër që e vuri vetëm e vetëm në shërbim të vetes dhe familjes së tij; dhe ja ku po e merr prapë sot. Me atë mjet që u bë aq i neveritshëm që nga vitet 1996 e ’97, pa pikë droje, Berisha kaloi mbi lum e mbi dete korrupsionin gjigand të tij e të familjes, me atë trap iu sul kundërshtarëve brenda PD dhe më në fund po me atë trap kërcënon vetë ‘nëndetëset’ e Amerikës. Tani mbi atë vegël copë- copë ka vënë menderet dhe shkon andej këndej kinse për ‘Foltore’.

Trapi, si autor në krim:

Në vitin 1997, PD u përdor për të kaluar përtej detit fajtorët e mëdhenj të gjakosjes së popullit, të vrasjes së qindrave, të helmimit të Vlorës, mjeshtrit që dhunuan e torturuan njerëz, ata që zhdukën disa, autorët e planit për ta kthyer vendin në tokë të djegur. Presidenti nga PD, Berisha, vuri në atë ‘trap’ 700 vetë, mes të cilëve edhe të bijtë, vjehërr e vjehrre dhe i dërgoi për në botën pa luftë. Në arkiva ndodhen firmat e Berishës që ka lëshuar 700 pasaporta diplomatike për të kaluar në Perëndim të gjithë ata që i vunë flakën vendit, që nga Gaziden, Zhulali, Mulosmani, soj e sorollop të tij.

Në vitin 1998, krejt me konfigurimin e mjetit lundrues, përdori arkivolin e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, dhe iu sul portës së madhe të selisë së qeverisë. Me atë mjet, si lundrues, do të kalonte moçalin prej Opozitës drejt pushtetit.

Pastaj e morën me radhë:

Damir Fazlliq e mori gjithë qeverinë dhe Shtabin e Përgjithshëm të Mbrojtjes për të kaluar milionat në emër të vet e të familjes Berisha.

E kishte marrë PD-në si trap me qira edhe vetë Millosheviçi kur thithi naftën nga Shqipëria drejt makinës së vet gjakatare mbi shqiptarët e Kosovës; bashkë me Berishën e grahnin të dy.

Kush nuk i hipi atij mjeti të shkretë!… Tani jam i sigurt se ‘trapin’ e kishin akaparuar djajtë që ia donin të zezën Shqipërisë që para se të themelohej PD. Se ndryshe nuk kishte si të ndodhte që agjenci e organizma spiunazhi e shkatërrimi nga jashtë, bënë të mundur që të hidhnin përtokë gjithë pasurinë e vendit të krijuar deri në vitin 1990. Këtë e bënë përmes veglës së PD- së.

Tani ‘trapi i vjetër’ është vërtet i rrënuar, por mua më duhet për titullin e librit./Fjala.al

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?