Sheshi 'Skënderbej'

Frrok Çupi: Puna është se jemi ngjitur për të mos rrëshqitur prapë

3 Maj 2023, 09:22| Përditesimi: 3 Maj 2023, 09:23

  • Share

Ne, të gjithë, kemi qenë atje poshtë, në humnerë; vallë pse duhet ta rrëmojmë prapë gjendjen tonë për poshtë. Jemi ngjitur në një lartësi ku nuk kemi qenë kurrë…

… Çfarë nuk më vinte në mendje kur dëgjova një nga kandidatët për Bashkinë e Tiranës, tek tha me kushtrim: ‘Të nisim të gërmojmë prapë aty poshtë sheshit…’. Sheshi i Tiranës është ndërtuar krejt i ri, pas pushtimit të Shëmtisë dhe Pisllëkut që zgjati njëzet vjet pas regjimit komunist. Ka vetëm pesë vjet që sheshit Skënderbe po i vijnë rrotull shkolla arkitekture botërore, çmime të botës Arkitektonike në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë, vlerësime për një ‘transformim të jashtëzakonshëm’. Pas vlerësimit që mori në bienalen e Çikagos u vlerësua edhe në Spanjë për “Hapësirën Publike Urbane 2018” , me çmimin e dytë për Arkitekturën Bashkëkohore 2019 që u akordua nga Bashkimi Europian. Sheshi “Skënderbej” është përzgjedhur si fitues i Çmimit Europian për Ndërhyrje në Trashëgiminë Arkitekturore (European Award for Architectural Heritage Intervention AADIPA), ku konkurruan 239 projekte nga vende të ndryshme të botës.

Thashë me vete: Po pse u dashka rrëmuar prapë në atë shesh? E di pse m’u ngul trishtimi aty? Një qytetar gjerman ndoshta nuk e trishton aq shumë skena që ngjason me Nazizmin, sepse ka kaluar shumë kohë që nga Nazizmi shkatërrimtar… Ndërsa ne, shqiptarët, sapo e kaluam kohën kur u ndodhëm të gjithë në greminë e me zor merrnim frymë. Thashë prapë me vete: ‘po mirë, le të gërmojnë, sa tu hajë krahu le të gërmojnë… po pse pikërisht këtu, sheshin? A për të rrënuar atë që kemi të mrekullueshëm?…”. Kandidati ka mundësi që të gërmoje sa ka vende bosh; madje edhe Dajtin mund ta shpojë tejpërtej. Le ta shpojë qoftë edhe për të marrë ujë.

Po pse do të rrënojë atë që është ndërtuar më bukur se në dy të tretat e botës?. Edhe një gjë tjetër më jep trishtim: Mirë se kësaj here do ta ndalojmë marrëzinë e rrënimit, por s’kemi granci për më vonë. Mund të shfaqet prapë marrëzia, dhe atëherë ‘koha që nga Nazizmi’ do të jetë zgjatur shumë e njerëzit do të kenë harruar…

A thua do të ndodhë, vallë, që t’i lëmë lartësitë që kemi bërë e të rrëshqasim në greminën ku kemi qenë? Ata që na zhytën në gremina i kemi akoma të gjallë e nëpër këmbë, dhe ky është rrezik.

Sa herë e kemi provuar këtë tragjedi të shkretë!

Një herë:

Sa po ndaheshim nga diktatura, këta që janë sot mes nesh, na i shkatërruan gjithçka kishim bërë deri atë ditë. Mbi 500 vepra të ndërtuara me shpresë njerëzore, u rrënuan nga lidershipi i PD. ‘Pse erdhët në PD? Doni anëtarësime?… Ça keni atje në rrethin tuaj, keni fabrikë a gja?… Digjeni, pastaj hajde merrni teserën!’… Ky ishte dialogu i përditshëm mes liderëve dhe anëtarëve të PD, 1991 e këndej.

Një herë tjetër:

‘Më jep 1 lek të të jap 8!?’

‘Po!’

Tjetri shiti shtëpinë, dha 1 lekë e nisi të pijë birrat e para që hynë në vend. Një ditë ndodhi që jo 8, por asnjë lek. Kush kishte ‘fytyrë’ para fëmijëve e gruas, ia dha vetes dhe shkoi në ferr; të tjerë i vrau vetë lufta e Saliut që ngriti kundër kryengritjes. Ishin 3 mijë jetë atje, të gjithë të gjallët u zhytën në greminën e ferrit.

Një herë tjetër:

Me fitimet e piramidave u bë lufta e vitit 1998, pastaj u ndërtua fabrika e vdekjes në Gërdec, pastaj pasuria e familjes. Fabrika nuk ishte thjesht një fabrikë, por ishte goja e madhe e greminës që po thithe popullin shqiptar. Vendi jetonte në dhunë e në shëmtirë, rreziku i vrasjes u rrinte mbi kokë kundërshtarëve, përvjetori i shtetit festohej me një tortë 500 metra katrorë e asgjë tjetër. Të gjithë morën legenat për tortën. Perëndimi shfaqte pamjet e shkruante: ‘Një popull që jeton në ferr’.

Po tani, a ka herë tjetër?

Tani Shqipëria është tjetër gjë, është një vend i qëndisur e ndërtuar nga e para si një shtet modern europian. I pastër, i bukur, i hapët, i plotësuar, i krenuar para kombeve euopian, tërheqës për miliona, i çliruar, i sigurt…

Ky është ‘sheshi’ ku ndodhemi. Sa herë ka zgjedhje, sa herë ka ngjarje, sa herë kanë rast, ata që na mbyllën në gremina, po ata tentojnë të na tërheqin prapë për atje. Mund të ndodhte- ndoshta- por po ndodhi, asnjë i gjallë nuk del më nga gremina e Saliut.

Ja ko është e tëra. Këta bëjnë thirrje të votohet për katakombet e tyre. Nuk po ndodh si me fëmijët e Tiranës që sapo u lejua ‘Piramida’ ata morën rrëshqitëset, ngjiteshin në majë e rrëshqisnin përposhtë. Fëmijët bënin lojë, por një popull nuk mund të luajë me jetën e vet. Një popull nuk mund të nisë rrëshqitjen që nga lartësia, ku ndodhet, drejt greminës ku ishte.

Apo jemi brenda Mitit të gurit të Sizifit? Njeriu modern ka dobësinë se ka trashëguar dënimin e Sizifit; por ne jemi syhapët sepse ndodhemi shumë afër atij dënimi që e kemi pësuar rëndë.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?