Arben Ahmetaj

Frrok Çupi: Puna jonë është deri te dera e gjyqit

12 Korrik 2023, 09:53| Përditesimi: 12 Korrik 2023, 09:55

  • Share

A të lumturohemi pasi tjetri të mbyllet në burg, qoftë edhe armiku yt? … Atë ditë që do të vihet para gjykatës Sali Berisha, atë ditë ka mbaruar puna me këtë njeri. Flas për vete; por besoj se edhe për disa pak të tjerë. Nuk mund të gëzohesh as të brohorasësh pse dikush, edhe pse rrënues i fateve njerëzore, futet në burg. Nuk mund të gëzohesh, sigurisht, por ndjehesh i realizuar me drejtësinë tënde dhe të vendit tënd.

Këtu mbaron gjëja.Aq më pak mund të gëzohesh pse Arben Ahmetaj, ish- zëvendëskryeministër, i cili ka bërë një milionë herë më pak të keqe se ai i pari që përmenda. Po lexoj ‘popullin’ e internetit, po lexoj gazetarë e analistë që po u plasin fjalët nëpër duar nga gëzimi që Arbeni i hyri rrugës së burgut. Me thënë të vërtetën Arbeni është nga ata tipa që nuk të gëzon as kur bëhet ‘i madh’ e as kur shkon ‘për lesh’.

Aq më pak mund të gëzohen për pastruesen e asaj familjes që lidhej, edhe ajo, me zyrën e Ahmetajt, e cila gjeti ca mijëra euro në tubin e sobës E aq më pak mund të gëzohesh për fatin e Rahman Rrajës, një deputet socialist, burrë me autoritet në zonën e Krujës, por edhe hallexhi i madh. ‘Çfarë të bën fëmija nuk ta bën hasmi!’, thotë një fjalë e vjetër e popullit tonë. Djali i ‘të madhit’ mori fuqi e i hyri fshatit me mina e shkop bejsbolli. Të gjithë (plus- minus) fëmijët e baballarëve tipa të tillë të ngrehur në pushtet e të pasuruar, bëjnë të njëjtën gjë.

A nuk bënë të njëjtën gjë bijtë e bllokmenëve komunistë që ua nxinë jetën baballarëve ministra dhe i dërguan në burgjet e egra të komunizmit? Këtë bënë, si djali i Rahmanit që i vuri zjarrin fshatit. A nuk bënë të njëjtën gjë fëmijët e Berishës? Atëherë a duhet të lumturohen njerëzit atë ditë kur ta shikojnë Berishën me ca cigare dhe me dy petulla para dyerve të burgut?!

E kam përjetuar këtë situatë në mënyrën më të egër atyre viteve të errëta të nisjes së pisllëkut që u quajt ‘demokraci’ nga viti 1993. Para dyerve të gazetës ku punoja (KJ) uleshin disa fshatarë e shisnin dy presh që kishin. Njëri prej tyre, me vetëm një dhëmb në gojë dhe i tkurrur si një patate e tharë në tym, qeshte me sy e me buzë dhe kafshonte një presh me kripë.

“Hë, mirë ia bënë qenit, aty e pafsha, në burg!’, shqiptonte.

Fliste për Fatos Nanon, Fatosi ishte burgosur nga Saliu një ditë më parë. Po pse, vallë, është instaluar kjo edukatë makabre kur tjetri gëzohet për fatkeqësinë e tjetrit? Ja i burgosën Arbenin ose Saliun!… Në rregull, kaq është. Ti njeriu që vuajte nga sjellja e tyre, tani thjesht u realizove, jo se u lumturove. Nuk u lumturove, o njeri, me burgun e tjetrit; thjesht fitove drejtësinë që të takon.

Përveçse kjo është sjellje me origjinë Islamiste, ka lidhje me interesa false. Ata që sot i shkojnë pas Berishës si ‘militantë’, nesër do t’i shkojnë te 313 të lumtur pse e pësoi ai. Sepse aty mbaron interesi- sipas tyre. Ky reagim, me të drejtë, edhe në gjuhë të tjera të botës, ka marrë emrin ‘reagim i poshtër’. Të ndihesh i lumtur në kurriz të humbjeve të dikujt tjetër është një emocion që psikologët e quajnë ‘schadenfreude’, një fjalë gjermane që kombinon fjalët dëm (schaden) dhe gëzim (freude).

Emocionet që përjetojnë njerëzit këto ditë, sa për z. Ahmetaj aq edhe për z. Rraja në Fushë- Krujë shkaktohen për disa arsye. Njëra arsye është se tjetri përballë është ‘asimiluar’, dhe kjo shkakton triumf. Por, fshehurazi, individi duke parë që ‘në kuzhinën e fqinjit ka rënë zjarri’, dhe këta kërkojnë kontrast me fatin e tjetrit.

A ka shumë njerëz në shoqërinë tonë që kanë bërë të njëjtën gjë si z. Ahmetaj, si zonjusha e eurove në tub, si z. Rraja, etj?. Sigurisht që ka, madje po ëndërrojnë. Shoqëria jonë, e goditur nga sjelljet politike triable të pas- viteve 1992, kur të gjithë i hynë vjedhjes dhe dhunimit, sot ndodhet në një gjendje të helmuar. Pse bërtasin eksponentët e opozitës kundër ‘korrupsionit’? Pse dikush, madje dy prej tyre, bënë thirrje që Ahmetaj të shkonte sa më shpejt në burg; ndërsa tjetra thërriti ‘O Ben, spiuno shokët e tu socialistë!’.

Njëra ishte Tabaku e tjetra Bardhi. Sjellja e opozitës është sjellja e grupit ‘të lumtur’ ndaj fatkeqësisë së tjetrit. Janë të lumtur jo veç pse po e ‘shikojnë poshtë’ atë tjetrin. Në rastin e atyre që janë mësuar me duar në xhepat e të tjerëve, siç janë këta të PD, këta janë inatçorë pse ‘Beni po vjedh’ e nuk po ‘ i vjedh unë’ ato që vjedh Beni. Këta kanë rënë në emocionin e fatit të tjetrit, por jo se janë ndryshe nga ai.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?