Sali Berisha

Frrok Çupi: Republika e presidentëve të arratisur

1 Nëntor 2023, 10:42| Përditesimi: 1 Nëntor 2023, 10:44

  • Share

I fundit u kthye dje, i penduar, por edhe i gëzuar se kishte gjetur një klinikë ku mund të kurohej jashtë shtetit. Prej disa ditësh, Ilir Meta që kishte qenë në postin e Presidentit të Republikës, u lëçit poshtë e lart në media, se është arratisur nga vendi. Dje u shfaq, me një humor të varur nëpër këmbë. Mu kujtuan lajmet e bujshme të para dy vjetëve, thuajse si ky moment: Presidenti i Sri Lankës, Gotabaya Rajapaksa, i cili u largua nga vendi ‘pasi dhjetëra mijëra protestues sulmuan shtëpinë dhe zyrën e tij në një shfaqje zemërimi për krizën ekonomike të vendit, u kthye në vend herët të shtunën pas shtatë javësh’, shkruante Associated Press atë ditë.

Si të kthehej, si të mos kthehej Iliri, njësoj është: I arratisur quhet.

Pritet që në ditët që vijnë të paraqitet në dyert e Prokurorisë së Posaçme për t’u bërë gati me të gjitha. Ai ka provuar të arratiset disa herë; herë është arratisur me mendje që këtu në Londër ose në Kili, herë është arratisur fizikisht edhe nga familja ku Mona nuk ka pasur kurrë qejf që të quhej ‘First Lady’. Para dhjetë ditësh u kap duke u arratisur në aeroportin e Rinasit dhëndëri i presidentit Sali Berisha. U arrestua dhe u dërgua menjëherë në burg. Akuzat mbi Malltezin janë të rënda, saqë mund t’i shkojë mjekra deri në gju pa dalë nga burgu. Më e rënda është pozita e tij si ‘aksesor’ i familjes Berisha; ai nuk quhet as anëtar i ‘bandës familjare’, sipas kanunit që vepron në zonën ku i ka lindur vjehrri. Po thuhet se Berisha e ka bërë me qëllim pasurimin e tij të skajshëm, me qëllim që një ditë ta hidhte poshtë, të shpëtonte të bijën dhe t’i merrte pasurinë. Sidoqoftë Adi mund të quhet ‘zëvendës- president i arratisur në tentativë’. Skena të njohura: Presidenti i rrëzuar i Nigerit, Bazoum, për t’i shpëtuar paraburgimit, u arratis. Zëdhënësi tha se ai ‘u përpoq të ikte natën me familjen, kuzhinierët dhe sigurimin’. Vetë vjehrrit të Jamarbërit po i qan zemra që të arratiset nga vendi; ndryshe nuk i shpëton Drejtësisë. Edhe ky me mjekër të gjatë do të shfaqet gjatë seancave nga njëri gjyq në tjetrin. Lufta politike, të cilën ia mburr e bija, e la ‘pa martuar’. Në vend që të rregullonte punët me miqtë e tij në botë, sidomos me mbretin Khalifa të Mbretërisë së Bahrain-it dhe me Mohathir Mohammad në Malajzi, ai u mor me luftën kundër SPAK.

Struktura e Posaçme kundër Krimit e tërhoqi në strofullën e vet, duke ia marrë kohën, por ndërkohë edhe duke e heroizuar. Në një moment të caktuar, kur SPAK kuptoi se ai po bëhej gati të merrte udhët e botës, e shpalli nën hetim për krime të rënda dhe i mori pasaportën. Berisha e ka provuar arratinë edhe herë tjetër. Në vitin 1997, kur i dha zjarr luftës civile në vend dhe ushtria e tij vrau mbi 3000 vetë, ky thërriti helikopterin për t’u arratisur. Helikopteri priste në fushën e Stadiumit ‘Qemal Stafa’, derisa u mbush me familjarët e tij që lanë vendin. Edhe mbi 700 militantë të tij terroristë morën pasaporta diplomatike dhe ‘’çanë ferrën”. Kancelaritë e Perëndimit e dinin Berishën të arratisur dhe e zëvendësuan me një ish- kancelar austriak, Vranicky. Shqipëria u trajtua si protektorat, erdhën ushqime dhe 6000 trupa ushtarakë paqeruajtës. Pavarësisht se ku ndodhej presidenti i Republikës, në fakt ai ishte absent. I ndodhi si në Afganistan: Presidenti Ghani, pas 7 vitesh dështimi bëri një arratisje të nxituar, dhe u konsiderua si ‘tradhtar i popullit’. Tani jemi në kohën kur shteti të Drejtës po mbledh rrjetën e madhe me të gjithë të arratisurit dhe të pa arratisurit. Këta e kanë kuptuar se nuk është si atëherë, nga vitet ‘47-50 të shekullit të kaluar kur të arratisurit mund të ktheheshin si ‘heronj’ dhe si ‘diversantë’. Por këtu, presidentët e dështuar, fatkeqësisht krijuan fenomenin e ‘tapës’. Sa më lart ngriheshin në poste, aq më shumë dalin mbi ujë. Dalin dhe duken sa pa vlerë paskan qenë. Veçse edhe vendit i japin fytyrë të keqe: Një vend i bardhë në Europë ku arratisen presidentët.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arbëri: 01/11/2023 11:53

    Frrok Stalini

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?