Benet Beci dhe Edi Rama

Frrok Çupi: Tani duhet të ndalë patetizmi

24 Maj 2023, 09:18| Përditesimi: 24 Maj 2023, 09:23

  • Share

Ngjarja u zhvillua në Shkodër, para tre ditësh. U ndodha rastësisht në qytetin më të rëndësishëm të vendit.

Para Teatrit Migjeni vë re shumë njerëz të ulur në karrige dhe një ekran të madh ku të gjithë kishin drejtuar vështrimin; herë dëgjonin në heshtje e herë duartrokisnin. Shkodranët kishin marrë vesh se ka ardhur Edi Rama e nuk i kishte zënë salla.

Ka qenë pikërisht dita kur Edi Rama ndodhej aty për Falënderimet ndaj Shkodrës pas fitores në zgjedhje.

Kryeministri kishte zgjedhur një format të paparë: Për herë të parë në historinë tonë politike kishte marrë me vete anëtarët e qeverisë, i kishte vënë në mes të gjithëve në sallë, dhe u kishte kërkuar shqeto: “Pa hajde tani, boll festuam, tregoni para qytetarëve çfarë do të bëni nga secili dikaster, për sot dhe të ardhmen e qytetit”.

Ka dy ditë pas kësaj, kryeministri ka kryer ‘falënderimin’ edhe në zona të tjera, por karrocën e ministrave nuk e mori më me vete.(!). Çfarë ndodhi?

Ndodhi ngjarja që dha leksion kundër patetizmit. Patetizmi është një pikë kulmore e shpërthimit të pathosit, por që mund të ndodhë në art e muzikë, veçse po ndodhi në politikë  shëmton shumë.

U ngrit më këmbë ministre e parë dhe tha se do t’i jepte fjalën ‘qershisë mbi tortë’ që ishte kryeministri. Edi Rama e nisi fjalën me ironi e tha ‘ç’ është kjo fjalë, qershi mbi tortë! Neveri. Mos ndodhtë që edhe ju të keni të njëjtën shije të kësaj fjale!’.

Mua mu kujtuan disa leksione gazetarie nga Dritëro Agolli kur sillte modele që nuk duheshin përdorur kurrë. Një nga modelet e pështira ishte ‘Divjaka, vajza faqekuqe’, si përshkruhej fshati  kur piqeshin domatet.

Rama, me sa duket e kuptoi se po  shpërthente pathosi dhe tentoi t’ i vërë një digë. Nuk e arriti.

U ngrit ministre e dyte, ministre e Turizmit, me dy mbiemra dhe me kohë të pakufizuar në fjalime. Një sy në sallë e një sy te kryeministri. Tha se kishte ‘diskriminuar’ njërin pas tjetrit, disa burra malësie me mustaqe, që nga kryetari Beci e deri te kryetari i Malësisë së Madhe. Vraponte mbi koka burrash.

Thuajse tha se e kishte përkundur e rritur me duart e saj kryetarin e ri, Benet Beci. Kryeministri i kishte bërë pyetjen “si do ta pastrosh qytetin dhe detin nga plehrat?”, por ajo i hyri pathosit. ‘Histerinë e mbrojtjes’, Sigmud Frojd e ka shpjeguar me raste të tjera, jo me ministra.

Ministre e Turizmit është gjithmonë shumë e lumtur, goja vesh më vesh e sytë i përpijnë dyshemenë dhe tavanin njëkohësish. Kurrë nuk ka shqetësim. Ajo vazhdon, tani pas 10 vjet ministre, të duket sikur sapo mori detyrën e ministres dhe po vrapon tua tregojë shoqeve. Vetëm e lumtur.

Kryeministri tentoi ta ulë me këmbë në tokë, por e pamundur. I tha se ‘nuk jemi këtu për të treguar sa i mirë është Beneti, por për punë’; mirëpo zonja ministre as pas kësaj nuk e uli pathosin.

Tjetra pas të dytës, ishte e Jashtmja… Ajo nisi të ‘ vajtojë’ për Shkodrën, të vajtojë pse Shkodra nuk është Korçë. Tha se ëndërronte ta shikonte Shkodrën si Korçën ‘ ku kam origjinën’.

“O sa e bukur është ajo Korçë, mi shoqe!’, merrte frymë ministrja. E ku e thoshte këtë fjalë, në Shkodër!?. Si t’i thuash nuses tënde natën e parë se ‘nuk ka si nusja e xhaxhait’.

Ministre tjetër, e arsimit, shkrimit dhe këndimit, i hyri pathosit më shkurt, më këmbë:

“Për herë të parë- tha- e kam takuar Benetin para 10 vjetësh’.

U duk sikur ishim në sallën ku përkujtoheshin heronjtë, si Nik Pjetër Ndreka, Ismet Sali Bruçaj, Shkurte Pal Vata apo Arben Broci, dhe veteranët tregonin kujtime kur e kishin njohur.

Kryeministri prapë tentoi ta ndalonte patetizmin, por nuk ia arriti me ministren. Atëherë iu kthye Benetit, që edhe duron, e i tha se ‘ti paske edhe dimensione të tjera, mor mik’, të mbajnë mend takimin e parë. I ra pragut që të dëgjojë dera.

Qe e pamundur. Ministrat kishin ardhur në Shkodër si për ‘Festivalin e fëmijëve” ku këndohej kënga ‘Ore ore, lule bore…”.

Kryeministri u ndodh para të papriturës, që e kishte tërhequr vetë që nga Tirana. Kishte ardhur për punë, por u ndodh para patetizmit për fitoren e Shkodrës. Aty ndaloi, në pamundësi; ndoshta një herë tjetër për punë.

Kryetari i Bashkisë, Benet Beci, u ndodh gjithashtu para situatës më bizare. Djersiti më shumë se në fushatën elektorale që mbajti  peshën më të madhe në Shkodër e në Shqipëri. Çfarë kuptoja nga portreti i tij që dukej se po e bluante mulliri me ujë i Tamarës?

Kuptova se Beneti po ndjehej ‘i vdekur’. Benetin e kishin vënë përpara si një hero. Mbi trupin e tij ministret po hidhnin lule, puthje dhe pathos. Të gjithë, dukej, se tentonin të merrnin nga një hajmali.

Ministrat nuk mund të dilnin as vetë nga ai sarkofag fitoreje të pashoqe. Atëherë si vallë do t’ i bëjë punët Benet Beci? Me këto ministre? Duket e vështirë të flasë me to, Beneti është ‘i vdekur’ këtu përtokë, ndërsa ministrat ndodhen në qiell pas flijimit heroik të Benetit. Ka shpërthyer pathosi.

Akoma më keq u ndie kryeministri Rama, i gjendur papritur në teatrin mes Qiellit dhe Tokës. Ai veç numëronte sekondat e thoshte direkt: “Sa shumë po durojnë sot shkodranët, por nuk u durojnë më”.

Është ora për tu ndarë nga patetizmi i fitores, fitorja aty është.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tani: 24/05/2023 14:50

    Duket nje spektakel patetik, ku Ministret s’dine ç’thojne dhe tallen me shkodranet e varfer ne xhep, por Jo ne shpirt. Beneti duhet t’i perveshet punes shpejt!Se shkodranet do e analizojne me punen e bere dhe jo me shfaqjet e burokrateve nga Tirana.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?