Sali Berisha

Opinion

Frrok Çupi: Ti thua se Berisha është problem? Jo, nuk është!

2 Gusht 2021, 14:32| Përditesimi: 2 Gusht 2021, 14:36

  • Share

Se si te vjen, thuajse si poshtërim, të merresh tani me Sali Berishën. Ai shkoi, ça të bësh më!

Do të thuash ti se ‘a e di çfarë tmerri ishte ai, more aman!’. E di më mirë se ti. Qysh prej fillimit ai ishte gjëja më e keqe që ka pjellë kombi ynë. As human as huge; as komunist as demokrat; as malësor as gangster; as i ditur as injorant; as islamik as perëndimor; as breshkë as ari… Një dyshe e neveritshme e ngjizur që prej fillimit: Berishë- Metë. Por koha i bloi siç bluan mulliri.

Tani nuk janë më këta. Tani problem është shuarja e flakëve të zjarreve që kanë rënë që nga Karaburuni deri në Kurbin. Kjo është puna e ditës. Kush ka sado pak energji dhe mirësi për vendin, duhet të turret për atje, qoftë edhe me mendje.

… Berisha nuk është më as problem, as ekuacion, as aritmetike, as shkrim e këndim.  Ai ishte një përbindësh qe e mundi njeriu. Njeriu që jemi ne, nuk e mundi atëherë kur ky po e shkatërronte njeriun: Po e vriste, po mblidhte veriorët në luftë me gjak kundër jugorëve, po i mblidhte kursimet në çdo familje dhe i fuste në xhepin e familjes së tij, po hapte depot e armëve dhe po i jepte secilit nga një milionë fishekë për të vrarë 500 vetë; po ndizte Gërdecin për t’u pasuruar në familje duke vrarë 26, ose edhe 260, ose edhe 2.6 milionë…

Sot nuk është më problem. Problemi tani është Reforma në Drejtësi; një Drejtësi me hetim e gjykim mbi korrupsionin e tmerrshëm që ka mbetur nga ajo kohë. Në luftë me të dy ‘katalanët’, Amerika mundi ta instalojë Drejtësinë e Re, dhe tani sa ka nisur…

Ti, vallë tani e quan problem atë? Do t’u sugjeroja kolegëve të mi që t’i mbyllin dritaret e mediave për mizerrabilitetin e Berishës. Mund të shkruhet vetëm lajmi i fundit, pritet së shpejti. Unë për vete këtë do të bëj. Problemi sot është përpjekja njerëzore dhe mbi njerëzore për të mëkëmbur ekonominë e vendit; për të përsosur sjelljen tonë qytetare, për të mos u hallakatur në konflikt e në vulgaritet; për të kryer sa më mirë vaksinimin e popullsisë kundër mortajës së shekullit; për të eliminuar përfundimisht dëmet e tërmetit. Ja këtë po bën shteti në aleancë me aleatët e kombit.

Ta quash sot problem Berishën; kjo është kotësi. Aq më tepër po flas me kundërshtarët, që ‘nuk iu del e keqja’, sepse me Berishën, në fakt, kombi ynë hodhi në greminë një gjeneratë jete. Po sot?

Sot Berisha as nuk shahet as nuk lavdërohet; as është rrezik e as është i rrezikshëm; thjesht po përpëlitet në qark. Aq më keq kur i thonë ‘diktator’.

Po ç’e merrni për diktator? Këta që e quajnë Berishën ‘një diktator’, gabojnë. Ai as diktat nuk arriti të ushtrojë; ishte thjesht një burrë i keq, i pa mëshirshëm, një servil ndaj të fortit dhe mit i budallenjve… Diktatorët kishin edhe forcë, edhe kritere, edhe art, edhe shije… dhe i diktoheshin njeriut. Ky, maksimumi, mbushi me urinë zyrat e presidentit në vitin 1997 dhe  bëri tortën 500 metra katror që na shëmtoi para botës. Thjesht t’i largoheshe, thjesht ta shikoje si po lëviz dhe t’i ruheshe ligësisë së tij…., se të vriste. Kaq ishte. Thjesht ta duroje sa të vinte kjo ditë kur në shoqëri budallenjtë mbetën pakicë. Ja ky ishte.

Njerëzit e ‘problemit’ ndahen në dy grupe, por asnjëri nuk është real:

Grupi i atyre që kanë frikë se edhe kur të mos jetë Berisha do t’i ndjekë si lugat… Dhe grupi i dytë- ata që kanë frikë se mos vallë Amerika do të na e mundë Berishën. ‘Mbyte Amerikën o bishë!’, bëjnë tifo njerëzit e Berishës. Këta janë ose ata njerëz zero që Berisha u kishte dhënë një dorë miell hua dhe tani ua kërkon. Ose budallenj, thjesht budallenj.

…Këtej rrotull nuk ka më Berishë, e si paska problem Berishë?!

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?