Altin Dumani

Frrok Çupi: Tv, SPAK apo Sude?

18 Korrik, 15:58| Përditesimi: 18 Korrik, 16:09

  • Share

Të them të drejtën e mbaj mend se ndodhi,  po s’ e di si m’u fshi prapë. Të mos ishte Altin Prenga, miku im, i njohur në kontinent si kampion i punës dhe i modelit, as kishte për t ‘mu kthyer prapë ajo rropamë në televizion. Po sillesha nëpër shtëpi.  Nuk e shikoja, por dëgjoja vetëm zërin e Eni Çobanit që i thërriste dikujt “ Ore ti do të vish këtu në gjyq, me një këmbë, si Çeço do të vish!”.

Pak a shuma kështu, ose ndoshta edhe i tha se ‘ forcërisht do të vish!’. Kush e mban mend fjalë për fjalë, por këtë dume la. Eni, si një çobane e halleve të të mjerëve, gjithnjë bërtet, lëshon rropama, i sulet njërit e pas pak e ledhaton, i sulet tjetrit e më në fund ofshan nga lodhja.

-U zgjidh Drejtësia!, duket sikur thotë, ‘veçse ejani në dyqanin tim!’ herën tjetër.

E kaq ishte. Të mos reagonte Altin Prenga i Mrizit të Zanave, ashtu do të më fluturonte edhe ai ‘arrestim i kriminelit’ nga Bulqiza. Altini shkroi në fb kështu: “Të hedhish në gjyq një sipërmarrje sepse quhet Kulla Hupi ndërkohë që pronari quhet Lulzim Hupi, dhe “Hupi” nuk ekziston askund markë e regjistruar, është si të hedhish në gjyq drejtuesen e emisionit sepse është bionde”. Altini reagon kështu veç atëherë kur e keqja pikon pikë!, pikë!, prej peme.

Paskan dashur t’ i marrin biznesin Lulzimit në Bulqizë. Nuk e njoh, as i kam qenë në kullë; por qindra pamje me foto e video kanë postuar turistët me  “Kulla Hupi”. Besoj se është më i miri rrugës prej Burreli deri në Peshkopi.

Një banor tjetër, po nga fshati, me mbiemrin Hupi, ka bërë planin që t’ i marrë biznesin Lulzimit; dhe ku ta marrë? Te Eni Çobani.

Kjo mori ‘ligjin’ në Tv dhe desh e burgosi tjetrin. E kërcënoi se ‘ke shkelur edhe ‘Kodin Penal’. Pritej arrestimi, ndoshta ‘arrestim në kullë’, por sidoqoftë ‘arrestim me akuzë penale’.

Puna për mua, në këtë rast, nuk është aq e ndërlikuar sa e Lulzim Hupit; ai mund të ketë kalvar të gjatë derisa të fitojë lirinë nga Gjykata e Televizionit. Deri atë ditë mund t’i jetë rrënuar kulla e dhe nuk do të jetë  një djalë i ri si sot, por me mjekrën te gjuri.

Në këtë rast puna ime nuk është aq e gjatë dhe e ndërlikuar.

Punën e kam me ‘dyqanin’  tim ku kam lënë një jetë, kushedi sa herë më shumë se biznesi i Lulzimit. Në këtë ‘ dyqanin’ tim që quhet GAZETARIA, po shiten e blihen mallra që nuk i takojnë. Po hetohen, po gjykohen dhe po ekzekutohen fate njerëzore.

Punën në këtë rast e kam me disa pyetje:

Po vallë si mund të bëhen gjyqe në televizion?; të thërritet tjetri forcërisht?, të fyhet e të tromakset?, t’ i rrezikohet biznesi dhe t’ i tronditet jeta.? A jemi në prokurori, në gjykatë, në burg apo në televizion? Kur u formua ky emision show i Enit “shihemi në gjyq”, aty në tv e kishin problem se ‘a do të vijë njeri kinse në gjyq?’. Ndodhi që, miqësisht, një nga ata më tha se u luteshin të njohurve “eja pak në gjyqin e Enit dhe bëj sikur zihesh me komshiun”. Por kjo u bë e madhe, u bë realitet, njerëz fukarenj nga mendja e morën seriozisht, dhe tani ja ku jemi: Gjyq i vërtetë!

Po vallë, në këtë frymëzim ‘ për Drejtësi të re’, këtyre në TV u ka thënë mendja që të ngrenë një ‘SPAK të ri”. Vetë zoti Dumani tha në Kuvend se ‘do të kemi zyra të SPAK në çdo rreth!”. Vallë u bë sikur Televizionit i takon të jetë SPAKU i parë ilegal? A jemi në shtet, o njerëz, apo jemi në xhungël? Po si mund të lejohet të bëhen gjyqe paralele me gjyqet që i përcakton ligji, ligjvënësi dhe Kushtetuta? Po është shuma e rëndë kjo, vëlla. Po sikur Eni, një ditë të bëhet zemërmirë dhe të urdhërojë ‘ lirimin e të gjithë të burgosurve”? Hata e madhe!

Apo është një mashtrim? Mashtrim për famë, për klikime, për ca pasuri nën dorë, apo edhe për të ushtruar pushtet paralel? Një gjë e tillë ka ndodhur në vendin tonë; para dy dekada e ca. Njerëz të frymëzuar nga dora e pushtetit, ‘dijetarë’ të shout dhe parasë, të paarsimuar kurrë si duhet, afër pushtetit…, kompani mashtruese financiare.  E para ishte “Sudja”.

Edhe ajo aas kështu as ashtu, as e ligjshme as e pa ligjshme, por më e fuqishme se shteti. Sudja në fakt ishte ministria e financave dhe kryeministri ishte “Kompetenti”.  Moto e saj: ‘Më jep 1 lekë të të jap 10, ose me 1 vezë të nxjerr 10 zogj’. Punë magjish si në ekran. Po të mos trokisje te Sudja nuk e kishe punën mirë me fqinjët.

Si të mbrohesh prej këtyre?, kjo është çështja.

Vallë, Lulzimi në Bulqizë, ose kushdo qytetar i vendit, duhet t’ i bëjë të gjitha punët vetë, edhe të mbrohet nga shantazhi; edhe pse ka shtetin e tij? Psh., Lulzimi të rindërtojë kullën, të ndërtojë rrugën, të bëjë rojë kundër arinjve, të vigjilojë ndaj ziliqarëve në fshat, të ruajë pulat, të vajisë armët, të presë tërmetet dhe stuhitë… E më në fund të luftojë edhe me Gjykatën e Paligjshme?!

Aristoteli, një prej mendjeve të ndritura, u pyet pse u duhej njerëzve Eklezia dhe shteti. Ai u përgjigj: “ Po si mendoni, njeriu i vetëm do t’ i bëjë të gjitha…, të lërë parmendën në arë e të shkojë të mbrojë kufijtë!.” Lulzimi s’ka për takuar ndonjëherë Aristotelin./Fjala

S.B//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lika: 19/07/2024 16:36

    Super Frok Cupi,cobanes i kane ikur trute me kohe,po me shume atyre qe lejojne te tilla marrezi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?