Duke marrë shkas edhe nga qëndrimi i fundit zyrtar i klubit të futbollit Partizani për ndeshjen e fundjavës në Lushnjë, FSHF shpreh keqardhjen e saj për gjuhën vulgare të përdorur dhe krejtësisht jo fair.
REAGIMI I FSHF
Dështimet e sezonit të një skuadre, apo një tjetre nuk mund t’i faturohen kurrsesi FSHF-së. Duke qenë se aludohet dhe shpesh prodhohet alibia që FSHF dirigjon pengimin e Partizanit në arritjen e objektivave të tij, atëherë në suksesin e pesë ndeshjeve radhazi të klubit Partizani para pak javësh, FSHF paska qenë faktor?
Këto janë thjesht paragjykime emotive në këtë pjesë të fundit të sezonit. Përveç arbitrit në fushë, ndeshjen e gjykon edhe publiku si një futbolldashës dhe jo në pozitat e një tifozi të sëmurë.
Ndaj ne e ftojmë atë (publikun) të shohë takimin e Lushnjes ndaj Partizanit për gjithçka dha ajo ndeshje në fushë, nga ana e të dyja skuadrave, përpara se të gjendet një armik për mosarritjen e objektivit.
Çdo rezultat është pjesë e lojës dhe produkt i përgatitjes dhe performancës, si edhe pashmangshmërisht, edhe fatit për secilën skuadër.
Ky është një moment që kërkon më shumë gjakftohtësi dhe përqëndrim në realizimin e objektivave finalë të të gjithë aktorëve të garës. Kjo shërben shumë më tepër, sesa një recetë gjaknxehtësie.