Kryeministri Edi Rama dhe Kreu i PD-së Lulzim Basha

Opinion

Fundi i Bashës është fillimi i fundit të Ramës

4 Tetor 2021, 13:18| Përditesimi: 4 Tetor 2021, 13:21

  • Share

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD të 16 majit 2021, ju deklarova antarëve të nderuar të atij Këshilli se ; Ka një platformë e skenar të lig të së majtës, për degradimin dhe asgjesimin e plotë të Partisë Demokratike !

Ajo nuk ishte një profeci (profecitë janë për profetët) dhe as ndonjë informacion konfidencial që unë posedoja. Ishte thjesht një deduksion politik që vinte natyrshëm prej analizës së vendimeve, qëndrimeve, dinamikës dhe rezultateve politike dhe elektorale të Partisë Demokratike përgjatë 8 (tetë) viteve të fundit.

Partia Demokratike ishte bërë më e vogël, e dobët në forcë, pa nervin e vet tradicional, e mbyllur veç në një zyrë, larg antarësisë, pa besim tek qytetarët. Thjesht po kthehej në një opozitë e përjetshme. Pra një dhuratë e çmuar për pushtetin e së majtës. Sot, kjo e vërtetë e hidhur por e madhe, është kuptuar qartë prej shumicës dërrmuese (90%) të antarësisë së PD.

Edhe ajo pakicë që nuk dëshiron ta pranojë këtë të vërtetë të hidhur, thellë thellë në koshiencën e vet e përjeton atë si të gjithë të tjerët. Tashmë sfida për të gjithë demokratët është për të mos e lënë më partinë e tyre, peng të kësaj të vërtete të hidhur. Demokratët kanë një dhe vetëm një objektiv. Ta sjellin Partinë Demokratike në pushtet ! Ky është edhe interesi publik, më i madhi për Shqipërinë. Por ky nuk është një proçes i lehtë e as i thjeshtë. Më së pari kërkon rritjen, forcimin, krijimin e besimit të vërtetë prej PD tek shqiptarët. Kjo do mund të vij vetëm përmes një reforme, bashkimi dhe modernizimi të Partisë Demokratike.

Lëvizja më e fundit që ka nisur është një shpresë e fortë për këtë besim por duket që e ka tmerruar vërtetë (si kurrë më parë në këto 8 vjet) direkt Edi Ramën. Pushteti i së majtës, që kishte kalkuluar perfekt, asgjesimin e PD, sot po kupton se situata ka marrë një kthesë dramatike. Demokratët po marrin vetë në dorë fatet e partisë së tyre. Tentativa e pushtetit sot kur sheh se projekti i lig i tij po shkërmoqet, po tenton të sponsorizojë opinionin se lëvizja e z. Berisha do ta përçajë e dobësojë PD. Kjo lëvizje jo vetëm që nuk mund të prodhojë asnjë përçarje, përkundrazi, do të mundësojë shkundjen e madhe, zgjimin që i duhet asaj partie, bashkimin që ajo meriton, forcimin që i takon !

Largimi i L. Bashës nga drejtimi nuk sjell kurrfarë përçarje. Me largimin e L. Bashës nga vendimarrja personale mbi Partinë Demokratike nuk do të thotë se do të largohen të tjerë nga partia. Ajo parti është pronë politike e të gjithëve. Askush nuk është i tepër. Shumë më shumë të tjerë janë të nevojshëm. L. Basha e ka kthyer atë parti në fasadën dhe pengun e E. Ramës. Shikoni se çfar teatri absurd tenton të luajë L. Basha me demokratët për të fshehur këtë pengmarrje. Ka kërkuar në Parlament ngritjen e komisioneve hetimore. Deri këtu në rregull, ajo është një nga format e dinamikës parlamentare.

Por askush nuk kupton se çfarë do të hetojë L. Basha në rastin e çështjes Becchetti ? Atë çështje e ka hetuar dhe gjykuar në mënyrë perfekte Gjykata Ndërkombëtare. L. Basha duhet të kishte bërë hetim parlamentar për atë çështje në 2015, në 2016, në 2017, në 2018. Nuk bëri asgjë ! Tashmë ka vendim gjykate për atë abuzim . L. Basha ta dërgoi për ndjekje penale E. Ramën në SPAK !

Nëse SPAK nuk vepron, atëhere L. Basha me të gjithë grupin parlamentar të ulet këmbëkryq përpara godinës së SPAK e të mos lëviz prej aty me ditë, javë e muaj derisa SPAK të hetojë e dërgojë dosjen në gjykatë.

Nuk ka nevojë për spërdredhje ! Hetimi parlamentar bëhet për ato raste kur pushteti pengon të marrësh të dhëna dhe fakte për skandalet dhe shkeljet e rënda që ka bërë. Provat e masakrës elektorale janë sheshit. Eshte e zeza mbi të bardhë për milionat që ka paguar E. Rama në emër të tërmetit. Janë të zeza mbi të bardhë emrimet në administratën publike në funksion të zgjedhjeve. Eshtë publike çdo praktikë dhe listë e abuzimit me ndihmën ekonomike. SPAKU refuzon hetimin e patronazhistëve.

Pse nuk shkon L. Basha me deputetet e PD të protestojë përpara SPAK ? Nëse L. Basha do vërtet të hetojë përmes parlamenti afera për të cilat ende nuk janë mundësuar prova e fakte konkrete, të kërkoi hetimin parlamentar të taksës tek Rruga e Kombit. Si është dhënë ai konçension ? Sa para janë mbledhur prej tij deri tani ? Sa prej tyre janë investuar në mirmbajtjen e asaj rruge ? Të shkoj komisioni atje në terren e të hetojë investimin.

Të kërkoi hetimin parlamentar të aferës tek Porti i Durrësit. Si është dhënë ai koncension ? Kush bën investimin kontraktual e nën/kontraktual ? Çfar impakti ka në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare ? L. Basha duhet të kërkonte komision hetimor parlamentar për lejet e ndërtimit të kullave të dhëna në Tiranë në këto vitet e fundit. Kush i ka marrë ? Çfar burimesh financiare kanë investitorët e këtyre kullave ? Sa taksa kanë paguar ata në buxhet ? L. Basha nuk ka vullnet të bëjë hetime reale parlamentare. Ka veç hallin ti fshihet dëmit madhor që i ka shkaktuar PD. Ndaj sponsorizuesit e tij politik të mos përpiqen më kot të qajnë hallin se lëvizja për bashkim dhe forcim të PD do të përçajë PD e prej saj PD do të humbasë shumë ! Prej largimit të L. Bashës nga kreu i PD do të humbasë vetëm L. Basha dhe sponsorizuesit e tij. Askush tjetër !

Fundi i L. Bashës në drejtimin e PD është edhe fillimi i fundit të E. Ramës në drejtimin e Shqipërisë

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Haka Tekizoti: 04/10/2021 15:23

    Bla, bla, bla... Si nuk zunë mend këta berishistë e bashistë! PD-ja është partia që ka shkatëruar ekonominë, që e ka vjedhur, që i ka vënë zjarrin Shqipërisë, që i ka nxjerrë themelet, që ka vrarë mijëra shqiptarë. Domosdo përgjegjësia e organizatorit i bie udhëheqjes së saj, por ekzekutorë të shumtë kanë qenë anëtarët trushplarë të saj. Pa pranuar këto faje PD-ja nuk e meritin të vijë në pushtet. Ajo nuk mund të reformohet pa marrë përgjegjësinë për çfarë i ka bërë Shqipërisë e shqiptarëve.Atë nuk mund ta reformojnë vrasësit e hajdutët që e kanë udhëhequr deri tani. Ajo duhet ringritur nga e para nga njerës që fillimisht do pranojnë të tëra fatkeqësitë që i kanë shkaktuar Shqipërisë (të tëra bërë me dashje, me qëllim antishqiptar).

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?