Furtuna që po vjen

19 Prill 2019, 20:18| Përditesimi: 19 Prill 2019, 20:21

  • Share

Në 22 korrik të vitit 2016, 140 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, nën trysninë e Perëndimit, votuan arkitekturën e drejtësisë së re. Ky votim u konsiderua ndoshta me të drejtë historik, ndonëse shumica e ligjvënësve në atë kohë, të kthyer me urgjencë nga pushimet jashtë vendit, jo vetëm nuk e kishin lexuar përmbajtjen e ndryshimeve kushtetuese, por ende sot nuk e dinë rëndësinë dhe përmasat e furtunës që do të sjellë ngritja e kartonëve jeshilë atë natë vere. Gati tre vjet më vonë, pyetja nëse klasa politike shqiptare ka sharruar degën mbi të cilën qëndron prej tre dekadash, mund të tingëllojë si retorike. Për herë të parë në trajektoren e pluralizmit, fortesës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri, e cila identifikohet me pushtetin politik dhe atë gjyqësor, po i afrohet në horizont furtuna e drejtësisë së re, e ngadaltë, por e sigurt dhe e pashmangshme. Furtuna është pagëzuar me emrin SPAK, emër i cili jo rastësisht, muajt e fundit, po dominon gjithnjë e më shumë ligjërimin e klasës politike shqiptare. 

Çfarë është SPAK-u?

Nëse procesi i Vetingut konsiston në identifikimin dhe shkarkimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, të lidhur me krimin dhe të paaftë profesionalisht, SPAK-u është projektuar për hetimin, gjykimin dhe ndëshkimin e të gjithë pushtetarëve dhe ish-pushtetarëve shqiptarë, që nga viti 1991, për kryerjen e cilësdo vepër penale që parashikohet në Kodin Penal. SPAK-u përbëhet nga Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Gjykatat Speciale. Këto organe do të zëvendësojnë Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe Gjykatën për Krimet e Rënda, por me kompetenca më specifike, të orientuara kryesisht tek veprat penale të korrupsionit. Njerëzit e organeve të SPAK-ut i nënshtrohen një mbikëqyrje të rreptë, të shumëfishtë dhe të vazhdueshme, përfshirë edhe rrethin e tyre familjar. Ata kanë garanci të forta për palëvizshmërinë në detyrë si dhe do të marrin paga sa dyfishi i pagës së Presidentit të Republikës. Të gjitha këto masa kanë një qëllim fundor: Fashitjen e influencave të politikës mbi SPAK-un.

Faza në të cilën ndodhet SPAK-u

Ngritja e arkitekturës së drejtësisë së re është një proces i ndërvarur. Avancimi i procesit të Vetingut, i bllokuar për 9 muaj nga politika, ishte përcaktues për formimin e dy qeverive të drejtësisë së re, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Me finalizimin e KLP, ky këshill nisi procedurat për përzgjedhjen 15 prokurorëve të parë të Prokurorisë së Posaçme. Në përfundim të afatit të përcaktuar, aplikuan për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme 28 kandidatë. KLP konfirmoi se 25 prej tyre plotësojnë kriteret e për të garuar për 15 vende vakante në Prokurorinë e Posaçme. Ata po i nënshtrohen një verifikimi për pasurinë dhe pastërtinë e figurës. Për këtë detyrë, KLP ka ngritur Komisionin e Posaçëm për Verifikimin e Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve për prokurorë të Prokurorisë së Posaçme. Çdo institucion shtetëror është i detyruar për t’i vënë në dispozicion komisionit të dhëna mbi kandidatët. Komisioni ka një afat prej tre muajsh për të hartuar një raport të hollësishëm për secilin kandidat, duke ia dorëzuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kandidati që merr vlerësim negativ nga komisioni skualifikohet. Në bazë të këtyre raporteve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të emërojë 15 prokurorët e prokurorisë së posaçme për një mandat 9-vjeçar. Më pas, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë sipas një tjetër procedure, me shumicë votash drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme.

Ngritja e Byrosë së Hetimit

Formimi i Prokurorisë së Posaçme është përcaktuese për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila është një strukturë e specializuar, e ngjashme, por me më shumë kompetenca se sa Policia Gjyqësore. Byroja Kombëtare e Hetimit përbëhet nga drejtori, zëvendësdrejtori, hetuesit dhe punonjësit e administratës, ndërsa vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Fillimisht, një komision përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, rekomandojnë një kandidat për drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kandidati emërohet në krye të Byrosë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Pas emërimit, drejtori i Byrosë së Hetimit do të hartojë një rregullore për procesin e rekrutimit të hetuesve të Byrosë së Hetimit, bazuar në kriteret e përgjithshme dhe specifike të parashikuara në ligjin për SPAK-un.

Garancia ndërkombëtare

Kjo furtunë në horizont mund të përfundonte në një puhizë nëse nuk do të kishte një mbikëqyrje ndërkombëtare, e cila krahas garancive që ofron vetë sistemi i ndërtuar, është baza e besimit të shqiptarëve tek drejtësia e re. Ashtu siç Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit mbikëqyr procesin e Vetingut, madje ka në tagër të rekomandojë shkarkime si dhe të kryejë hetime të pavarura brenda dhe jashtë vendit, një komision ndërkombëtar do të mbikëqyrë dhe asistojë Byronë Kombëtare të Hetimit gjatë dy viteve të para. Komisioni do të ketë në përbërje ekspertë të drejtësisë penale, të cilët do të caktohen nga misionet e Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Komisioni do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Gjithashtu, komisioni do të vëzhgojë në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe do të miratojë materialet e trajnimit të hetuesve dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Krahas komisionit, është parashikuar edhe mundësia e ngritjes së skuadrave të përbashkëta hetimore ndërkombëtare për ndjekjen penale apo përfaqësimin në gjyq të veprave penale të kryera nga një grup i caktuar pushtetarësh dhe ish-pushtetarësh shqiptarë. Për këtë qëllim është parashikuar ngritja Sektorit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta pranë Prokurorisë së Posaçme.

Gjykatat Speciale

Këshilli i Lartë Gjyqësor emëron përgjithmonë gjyqtarët në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përparësi për t’u emëruar kanë gjyqtarët aktualë të Gjykatës për Krimet e Rënda, por gjithnjë duhet të përmbushin tre kritere. Së pari, gjyqtari duhet të ketë kaluar me sukses procesin e Vetingut. Së dyti, gjyqtari, për t’u emëruar në gjykatën speciale të shkallës së parë, duhet të ketë ushtruar funksionin jo më pak se shtatë vjet si gjyqtar, nga të cilat të paktën pesë vjet si gjyqtar në fushën e drejtësisë kriminale, ndërsa për t’u emëruar në gjykatën speciale të apelit duhet të duhet të ketë ushtruar funksionin jo më pak se dhjetë vjet si gjyqtar, nga të cilat të paktën pesë gjyqtar për çështjet penale ose si inspektor në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Së treti, gjyqtari, si dhe familjarët e afërm të tij, duhet të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake.

Kompetencat e SPAK-ut

Kompetencat e Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatave Speciale ndahen në dy degë. Gega e parë përfshin hetimin dhe gjykimin e çdo vepre të mundshme penale të kryer nga Presidenti i Republikës dhe ish-presidentët, nga kryetari i Kuvendit dhe ish-kryetarët e Kuvendit, nga kryeministri dhe ish-kryeministrat, nga ministrat dhe ish-ministrat, nga gjyqtarët dhe ish-gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, nga kryeprokurori dhe ish-kryeprokurorët, nga deputetët dhe ish-deputetët, nga kryebashkiakët dhe ish-kryebashkiakët, nga zëvendësministrat dhe zëvendësministrat, nga anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nga drejtuesit e institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj. Pushtetarët dhe ish-pushtetarët e sipërpërmendur mund të merren nën hetim për të çdo vepër të dyshuar penale, e kryer në çdo kohë, por me kusht që të mos jetë parashkruar, në bazë të parashikimeve të legjislacionit penal.

Dega e dytë e kompetencave të Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatave Speciale përfshin 18 vepra penale të parashikuara në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale. Kushdo që dyshohet se ka kryer një nga këto 18 vepra penale do të jetë objekt i SPAK-u. Fillimisht, Kushtetuta e ndryshuar, ligji për SPAK-un dhe Kodi i Procedurës Penale parashikonin 40 vepra penale në kompetencë të organeve të SPAK-ut. Por, me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, në janar të 2017, 33 vepra penale i janë hequr si objekt i veprimtarisë së SPAK-ut, ndërsa u shtuan 11 të tjera. Përfundimisht, në kompetencë të SPAK-ut është çdo vepër penale e kryer nga grupi i funksionarëve dhe ish-funksionarëve të lartë shtetërorë si dhe 18 vepra penale të kryer nga çdo shtetas.  

Veprat penale në kompetencë të SPAK-ut

Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike (neni 244)

Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë (neni 244/a)

Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë (neni 245)

Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike (neni 245/1)

Përfitimi i paligjshëm i interesave (neni 257)

Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike (neni 258)

Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike (neni 259)

Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë (neni 259/a)

Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë (neni 260)

Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit (neni 312)

Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë (neni 319)

Korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare (neni 319/a)

Korrupsioni aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj (neni 319/b)

Korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja (neni 319/c)

Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë (neni 319/ç)

Korrupsioni pasiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare (neni 319/d)

Korrupsioni pasiv i arbitrit vendas dhe të huaj (neni 319/dh)

Korrupsioni pasiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja (neni 319/e)

Funksionarët objekt i SPAK-ut

Presidenti i Republikës, ish-presidentët

Kryetari i Kuvendi, ish-kryetarët e Kuvendit

Kryeministri, ish-kryeministrat

Ministrat, ish-ministrat

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, ish-gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, ish-gjyqtarët e Gjykatës së Lartë

Prokurori i Përgjithshëm, ish-kryeprokurorët

Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

Kryetarit të Bashkisë, ish-kryebashkiakët

Deputetët, ish-deputetët

Zëvendësministrat, ish-zëvendësministrat

Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Drejtuesit e institucioneve qendrore, ish-drejtuesit e institucioneve qendrore

Drejtuesit e institucioneve të pavarura, ish-drejtuesit e institucioneve të pavarura

Kufizimi i privatësisë së njerëzve të SPAK-ut

Anëtarët dhe stafi i Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatave Speciale, së bashkua me familjarët e tyre, heqin dorë nga privatësia. Para emërimit në detyrë, ata janë të kushtëzuar për të dhënë pëlqimin për kontrollin e pasurisë, për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare si dhe për kontrollin e të gjitha komunikimeve vetjake. Të gjithë anëtarët e familjeve të njerëzve të SPAK-ut, firmosin një deklaratë, përmes të cilës pranojnë kontrollin periodik të llogarive bankare dhe telekomunikimeve vetjake. Ata kanë nga një telefon celular, adresë poste elektronike dhe numër telefoni. Para emërimit, bien dakord të përdorin vetëm ato numra telefoni dhe adresa poste elektronike. Ata nuk lejohen të përdorin asnjë formë tjetër komunikimi elektronik. Nëse një anëtarë i këtyre strukturave të posaçme ndryshon numrin e telefonit apo komunikon me një numër apo adresë tjetër elektronike, ndaj tij merren masa deri në largim nga detyra.

Vëzhgimi i njerëzve të SPAK-ut

Pas emërimit në detyrë, dy hetues të Byrosë së Hetimit do të kryejnë në vazhdimësi vëzhgimin e lëvizjes së pasurive dhe telekomunikimeve të kryetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesit, prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, Drejtorit, Zëvendësdrejtorit dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, oficerëve të shërbimeve të Policisë Gjyqësore, si dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Hetuesi që vëzhgon pasuritë ushtron edhe detyrën e ndërlidhësit me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Dy hetuesit emërohen me short për një mandat gjashtëmujor. Shorti hidhet nga drejtori i Byrosë së Hetimit, në prani të krerëve të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës Speciale të Shkallës së Parë. Oficeri përgjegjës i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave bashkërendojnë veprimtaritë e tyre dhe takohen, sipas nevojës, por jo më rrallë se një herë në muaj, për të diskutuar mbi veprimtari të dyshimta.

Raportimi i lëvizjeve të dyshimta

Oficeri përgjegjës i Byrosë së Hetimit i raporton prokurorit të posaçëm të gatshëm çdo informacion që mbështet një dyshim të arsyeshëm mbi lëvizjet në pasuritë e njerëzve të SPAK-ut. Ndërsa oficeri tjetër përgjegjës, nëse ka dyshim të arsyeshëm se një telefonatë, mesazh apo komunikim me postë elektronike është provë e korrupsionit, nxjerrjes së informacionit, komunikimit me organizata kriminale, ndikimit politik apo çfarëdo veprimi tjetër që mund të jetë në shkelje të Kodit Penal, ai ia raporton atë një prokurori të posaçëm të Prokurorisë së Posaçme, i cili nuk është i përfshirë në shkelje.

I gjithë ky zinxhirë lëvizjesh është parashikuar të zhvillohet për herë të parë larg ndikimit të politikës, e cila është identifikuar si kontribuuesja e kryesore për krijimin e korporatës në drejtësi, përmes emërimeve të pakualifikuara dhe politike, kryesisht në Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe ish-KLD-në. Ky sistem i shumëfishtë kontrolli dhe llogaridhënie, ndërthurur me monitorimin ndërkombëtarë, me paga të larta, me stimuj të tjerë financiar, me paprekshmërinë në detyrë, me garantimin e mbrojtjes së veçantë nga shteti gjatë detyrës dhe pas daljes në pension, mbrojtjen e familjarëve, me sigurimin e banesave të reja etj., përbën shtyllën e besimit tek Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Gjykatat e Posaçme.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?