Lulzim Basha është në siklet me Rudina Hajdarin, ngaqë nuk ka njohur Azemin. Ai mendon se duke e kërcënuar me përjashtim nga partia, vajzën e tij, e dëmton. Në fakt, nëse ka ndonjë akt që e bën Rudinën politikane dhe e kthen nga njeri të thirrur në PD për shkak të historisë, në një lidere politike me histori të vetën, është përballja me Lulzim Bashën. Por në këtë rast, ndryshe nga i ati, ajo nuk ka përballë një tigër si Sali Berisha dhe një bandë si SHIK-u, por një mace si Lulzim Basha, dhe një bandë komentuesish e piranjash, paguar nga kunati i vet.
Është pikërisht ajo që i ndodhi babait të saj me partinë që krijoi vetë. Është rasti i vetëm në botë, kur një njeri udhëheq një lëvizje anti-sistem, përmbyset komunizmi, fiton partia e tij, dhe ai bëhet armiku kryesor i saj.
Sali Berisha, që e di këtë rrezik, po përpiqet të futet në familjen “Hajdari” dhe të krijojë presione fisnore ndaj saj. Herë merr djalin e Azemit, herë një vëlla nga nëna, herë një kushëri apo roje të tij, për t’u dukur që njerëzit e Azemit janë me të.
Natyrisht, kjo është më e ndyrë, por e gjitha është një gjë e vjetër, e pavlefshme, e padobishme dhe e papërdorshme, në kushtet e sotme.
Ajo që po përpiqet të bëjë Sali Berisha dhe Lulzim Basha në thelb, është t’u krijojë pasiguri deputetëve që po i rezistojnë vendimit të tyre politik, me idenë se kauza e tyre do të triumfojë, dhe ata do të ndëshkohen.
Në finale, Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë duke i thënë Rudinës, Myslymit, dhe gjithë atyre që po pranojnë mandatet, se ata do të detyrojnë Edi Ramën të bëjë pazar me ta, dhe pastaj së bashku, do t’i nxjerrin këta “tradhtarët” nga politika.
Kjo është në fakt dhe pafuqia e madhe e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. Shpresa e tyre është se me aktin e tyre kamikaz, ata do gjunjëzojnë Edi Ramën dhe do krijojnë një aleancë të re kundër rebelëve që po hyjnë apo rezistojnë në Kuvend.
Unë nuk besoj se kjo do të ndodhë, pasi Edi Rama nuk ka asnjë shans të ofrojë pazar për ta. Jo se ndoshta nuk do, por nuk mundet.
Por dhe nëse çmendet dhe bën Pazar, duke hedhur në erë sistemin, ai ikën bashkë me ta.
Nëse Rudina refuzon të dorëzojë mandatin, duke mos i dhënë shans këtij pazari, ajo ka një shans më shumë se Edi Rama dhe Lulzim Basha. Ajo dhe kolegët e saj kanë shansin t’i mundin të dy, nëse ata bëjnë pazar, ose vetëm njërin, hë për hë, që po del vetë nga politika.
Shantazhi i Lulzim Bashës e Sali Berishës, duke bërë sikur ata janë akoma në lojë, sikur kanë fuqi të përjashtojnë dhe diktojnë, sikur kanë pushtet dhe bota do ulet në gjunjë para tyre, është thjesht një iluzion mashtruesi, që kur nuk ka asnjë para në xhep, shtiret si milioner.
Gjëja më qesharake që po ndodh, është se njerëzit e vetëpërjashtuar, shantazhojnë me përjashtim njerëzit që janë në Parlament. Dhe i shantazhojnë duke llogaritur se do të vijë dita të bashkëpunojnë me armikun e tyre.
Nëse ja arrijnë asaj dite, do të shpëtojmë nga të dy palët. Nëse jo, së paku do shpëtojmë nga njëra, dhe tjetra është në radhë.
Por mos u mundoni të friksoni një vajzë të re, adoleshenca e së cilës është e mbushur me dramat e babait të saj, që përjashtohej rregullisht nga partia, dhe tani shkojnë rregullisht e i përulen tek busti.
Nuk njoh ndonjë armik të PD që nuk ka dalë i fituar në këto 30 vjet, përveç Azem Hajdarit, që e vranë. Gjithë të tjerat, përfshi dhe ata që kanë rrëmbyer armët kundër saj, apo ata që përmes pushtetit të Ilir Metës i vodhën emrin dhe vulën, u shpërblyen nga vetë PD, për atë që bënë kundër saj, pasi kishin nevojë për ta.
Është mirë të ndjejnë frikë ata që po përdoren për të sulmuar tradhtarët. Ata do jenë të padobishëm shumë shpejt.