Futbolli shqiptar ndodhet në një kolaps. Sëmundjes së trukimeve dhe manipulimeve, që kulmoi me dënimin 10 vjeçar të Skënderbeut në Europë, i është shtuar mosçertifikimi i zgjedhjeve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjykata e Tiranës nuk ka regjistruar Asamblenë Zgjedhore të 7 shkurtit dhe për pasojë, presidenti Armand Duka dhe Komiteti Ekzekutiv me 9 anëtarë janë jo legjitimë, edhe pse ata kanë zhvilluar mbledhjen e parë, pikërisht më 21 shkurt.
Pyetja që lind natyrshëm tani është se çfarë bën presidenti dhe Komiteti Ekzekutiv kur nuk janë njohur akoma nga gjykata? Presidenti Armand Duka dhe Komiteti Ekzekutiv nuk mund të marrin asnjë vendim, nuk mund të ndryshojnë rregullore të lojës, formula të garës dhe shumë vendime të tjera që kanë të bëjnë me anën financiare.
Sipas ligjit, nëse një shoqatë ende nuk është certifikuar nga Gjykata, mund të bëjë vetëm shpenzime bazike, e thënë ndryshe jetike, që ka të bëjë me pagat e gjithë administratës, trajnerëve të ekipeve kombëtare, gjyqtarëve të futbollit dhe të komisioneve të ndryshme që funksionojnë brenda siglës së federatës.
Gjithashtu, federata është e detyruar të kujdeset edhe për grumbullimin e ekipeve kombëtare jashtë dhe brenda vendit. Asnjë vendim tjetër nuk mund të merret. Duke qenë se çështja e zgjedhjeve të FSHF është ankimuar edhe në CAS nga kandidati Bashkim Fino dhe gjykata shqiptare nuk i ka regjistruar, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv pritet të shpallë zgjedhje të reja, që mendohet të bëhen në fundin e muajit maj ose fillimin e qershorit.