Berisha dhe Vuçiç

Opinion

Spartak Ngjela: Galloshja e vjetër antikombëtare Berisha, shpresa e vetme e Moskës dhe Beogradit

11 Tetor 2021, 17:31| Përditesimi: 11 Tetor 2021, 17:39

  • Share

Gjendja politike në Shqipëri po ndiqet me shpresë në Beograd dhe në Moskë. Dhe përsëri shpresa e tyre po mbështetet në një galloshe të vjetër antikombëtare: Sali Berisha. Në fakt, ata po kanë një shpresë të kotë për destabilizimin e Shqipërisë, dhe, shpresojnë kot, sepse Berisha nuk krijon dot destabilizim në Shqipëri.

Por… Ende nuk po kuptohet gjë në Shqipëri: Berisha me turin e tij kundër politikës amerikane nëpër dhoma të mbyllura; kujt i drejtohet si interes, cilës shtesë dhe me çfarë programi? Ai nuk po transmeton dot asnjë ide; veç klithmave primitive.

Nuk po i shkon asnjë intelektual; vetëm fisnia Berisha e rrugëve. Ndërsa Berisha nuk po thotë dot asgjë, po media, nuk e di këtë? Berisha është në vështirësi, sepse, që të rrëzojë Bashën, duhet të zbehë Amerikën në mendjen e shqiptarëve.

Kurse Aleksandër Vuçiç po e ndjek me shumë shpresë turrin fisnor të Sali Berishës, por nuk po sheh masivitet dhe është i mërzitur. Se është budalla, po ku e di Aleksandri se çfarë është Shqipëria!

Po mirë mo Aleksandër; ende nuk po e kupton ti që lufta kundër shqiptarëve po ju falimenton!!! Po Basha, me aktin e tij antiberishë ai vrau veten; apo ringjalli Bashën e vdekur? Ai ringjalli Bashën e vdekur. Në fakt Basha në Partinë Demokratike deri në çastin që përjashtoi Saliun nga Grupi Parlamentar, ka qenë një xhep fals. Ishte vetëm kryetar por nuk drejtonte dot asgjë. Tani është kryetar i fortë, sepse atë që nuk e bënë dot themeluesit e Partisë Demokratike, ky e bëri në 20 minuta.

Po Saliu; ku kërkon të arrijë? Asgjë. I kanë kërkuar destabilizimin e Shqipërisë, por, a e di ky Sali ziu se bazat e ushtarake amerikane për stabilitetin e Shqipërisë po instalohen në tri baza?

Po ku kupton Saliu! koshinca e tij primitive dhe fisnore njëherësh, nuk e lejoi kurrë që ky individ të hyjë në qyteterim. Prandaj ndërmerr një tur mjeran kundër politikës amerikane, dhe ku? Në Shqipëri. (!)

Primitivizmi nuk i kupton dot forcat lëvizëse të qytetërimit; dhe Berisha qetësohet nga klithmat e përkrahësve që nuk kanë lidhje me qytetërimin dhe qytetarinë.

Kurse politika amerikane hodhi edhe një hap më tej, në lidhje me goditjen e Berishës, ajo po e kalon në votim Parlamentar statusin non grata të dalë kundër Sali Berishës.

Po mbas kësaj, çfarë mund të ndodhë?

Situata e Saliut do jetë shumë e vështirë; se Kongresi Amerikan nuk i mban të fshehta provat e krimit Berisha.

Atëherë? Ato, si prova, do të dalin në shtypin amerikan, se vendimet e Kongresit Amerikan janë transparente kundrejt opinionit publik amerikan. Atëherë; çfarë pritet të ndodhë?

Prisni dhe shikoni…

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?