Dinamika politike aktuale, prezantuar në situatën e së djathtës shqiptare, ndër të cilat është dhe gara për postin e kryetarit të PD, ka sjellë një sërë reagimesh e këndvështrimesh.
Me dëshirën për të dhënë gjykimin tim bazuar në mjaft vite kontributesh në politikë, modesisht prezantoj disa prej pikëpamjeve të mia në këtë debat politik të së djathtës, lidhur me kriteret mbi të cilat duhet të mbështetet kjo garë.
I qendroj parimit të 5P, që nënkupton shikimin e politikës si përgjegjëgjshmëri, profesionalizëm, përkushtim, dhe pasion, e ku politikani e sheh veten si politikan terreni, apo më gjërë si përfaqësues të parimeve dhe vendimeve të marra nga strukturat dhe antarësia, që e zgjedhin. Ndër të tjera, të politikanit që çdo gabim, humbje, dështim, së pari e kërkon tek vetja, e më pas tek të tjerët, apo kundërshtari. Sfida më e madhe e tij, është përballja me të vërtetën.
Nisur nga aktualiteti i zhvillimeve, por dhe kontributi im personal i drejtpërdrejtë elektoral në fitoren e dy mandateve qeverisëse të së djathtës në 2005 dhe 2009, si dhe për bashkinë e Tiranës 2011, rezultatin elektoral e lexoj si nje realitet të trishtë.
Të gjithë ne ndihemi të lënduar, jo se prisnim si Kryetari i PD, me rrethin e tij , për të fituar zgjedhjet, “se i ka ardhur rradha e rrotacionit 8-vjeçar”, por sepse besojmë fort tek vlerat dhe kapacitet reale të së djathtës shqiptare, si nje alternativë e besueshme dhe e suksesshme vendimarrëse, në zhvillimin e vendit dhe integrimin euroatlantik të tij.
Ky është nje lexim që sjell si refleksion se:
1-“Masakra zgjedhore” e deklaruar nga Kryetari i padorëhequr, politikisht është thjesht justifikim për humbjen. Juridikisht duhet konfirmuar nga institucionet përkatëse ligjore, të cilat deri më sot, nuk kanë konfirmuar asnjë prej denoncimeve për vjedhje votash, apo tjetërsim rezultati. Hetimi proçesit duhet të vazhdojë deri në fund.
Për më tepër, modeli i një kryetari “të shkëputur nga Baza”, nuk sjell rritje të PD. Por dhe aplikimi i “aksionit opozitar”, jo gjithnjë në rezonancë me qytetarët, nuk rrit besimin e tyre.
Djegia e mandateve nga Kryetari, përveç një gafe të rëndë politike, mohoi përfaqësimin parlamentar të masës së votuesve të këtyre mandateve.
Bojkoti i zgjedhjeve lokale, si kurrë më parë, përjashtoi totalisht PD nga çdo nivel vendimmarrës.
Gjithsesi më duhet ta pranoj se zoti Basha, e ka marrë edhe mbështetjen time personale në 16 vitet e karrierës së tij politike, ku në fakt ka qëndruar vetëm në karrige pushteti dhe pa kontribute thjesht vullnetare, si qindra e mijëra demokratë e aktivistë të PD në këto 30 vite tranzicioni të tejzgjatur.
E ftoj publikisht qytetarin Basha, që të provojë qoftë dhe për pak kohë, të jetë një vullnetar partie, i papunë (madje familjarisht) dhe të kontribuojë si qindra mijëra demokratë në gjithë këto vite. Ka fituar boll pushtet prej tyre, është koha për të ndërru vendet. “Nuk mund të jesh kurrë një lider, po s’kuptove shpirtin dhe nevojat e njerëzve që drejton”.(E.Shackleton).
Madje dhe të ngjashmit rreth tij, që e kanë rrokur PD vetëm në pozita ulur në karrige të pushtetit prej saj, pa e parë kurrë paraprakisht atë nga poshtë-lart, si vullnetarë të thjeshtë.
Tashmë kjo kohë krize, nuk të lejon luksin për të trajtuar humbjet si “Fitore”. Për më tepër, nuk pranohen fare përpëlitje për t’i konsideruar rivalët në garë, si “armiko-përçarës” të Partisë.Eshtë kohë ndryshimesh, jo qaravitjesh.
Në përvojën time elektorale, paaftësia për të ruajtur votën, është e barazuar me paaftësinë për ta fituar atë. Gara për Kryetarin e PD duhet të përkthehet në vlerë, që përjashton çdo devijim të rregullave statutore, apo një garë të pabarabartë.
Personalisht e kam respektuar dhe e respektoj konceptin e garës. Në 2009 tek garoja për postin e Kryetarit të PD në Tiranë e çova atë deri në fund, edhe pse ishte e pabarabartë.
2 – Defiçenca e standartit “kontribut politik” ka rezultuar në nje përzgjedhje të kandidateve të emëruar nga Kryetari, dhe jo si rezultat i përzgjedhjes së tyre nga zonat elektorale, ku përsëri u bë një proçes paraprak komplet farsë propozimesh.
3 – Nga gara e fundit, vetëm 2 kandidatë të PD në Tiranë (hiq Kryetarin) dhe 1 në Elbasan kanë fituar mandatin e tyre në bazë vote (mbi 10.000), tregues i një fushatë suksesi.
4 – Kandidati/tja me “Mandatin në xhep dhuruar nga Kryetari”, nuk sjell fitore votash, me xhiro 1 mujore e disa takime në zona ku nuk njohin as lagje e rrugë. Të preferuarit e Kryetarit, rezulton se nuk janë të preferuarit e qytetarëve.
5 – Vota që të merret kërkon krijimin e frymës, besimit me punën non stop në terren,me problemet e qytetarëve, duke induktuar energji pjesëmarrëse në votim. Ajo nuk mund të kalkulohet nga zyra partie, qoftë kjo dhe nga ekspertë të nivelit të lartë. Për rrjedhojë, mungesa e përfaqësuesve natyralë të elektoratit të djathtë, nuk mund të tërheqi votën e së djathtës europiane shqiptare.
6 – Futja e femrave “trendy” me standarte “estetike”, e jo profesionale e politike, nuk rrit besimin e elektoratit. Aq me tepër, nuk sjell kontribute në mbrojtje të interesave të kontigjentit femëror që ato përfaqësojnë, e aq më pak prezantim vizionesh alternative.
Për të mos folur për Lidhjen e Grave demokrate, (LDGSH), që është atrofizuar dhe ka mbi 16 vjet që s’bën zgjedhje brënda vetes, por është katandis me Kryetare të Komanduar dhe asnjëherë të votuar.
7 – Kandidatëve të tillë (përfshirë këtu të dy gjinitë) të kuruar “faqelifting” me stilim firmato e veshje luksi, që si rastesisht (pasi kane rrokur politikën), ju del ndonjë vilë oligarkësh, apo familjarë të punësuar në institucione me pagesa mijëraeuroshe, përfaqësojnë vetëm veten, (mbase edhe Kryetarin), por aspak elektoratitn e djathtë europian shqiptar. Atë elektorat, që jo vetëm s’e ka marrë akoma pronën e tij, por ka raste dhe që i është vjedhur ajo. Atë elektorat që është i pa punë, e në vështirësi ekonomiko sociale, e që as në koncept nuk e ka shit-blerjen e votës, (siç edhe direkt, apo indirekt po akuzohet).
Në Respekt të ARMATËS qindra-mijëshe demokratësh të të gjithë brezave, që nga familjarët e mi dhe kontributit të tyre të PAÇMUAR për të mirën e vendit, unë do votoj më 13 qershor, pasi e quaj përgjegjësi të kontributit tim afatgjatë në PD.
Në këtë kontekst, thirrja ime e sinqertë për çdo demokrat/ aktivist të PD, që nga themelimi i saj, është të shkojë në këtë votim historik për Partinë që kemi dashur e që prapë do të donim, por dhe për të sjellë ndryshimin, aq të kërkuar dhe në përputhje me nevojat e kohës.
Gjithëpërfshirja është themeli i Ripërtëritjes, në simbiozë me standartet Euro-Atlantike! E djathta europiane shqiptare, e gjen shpejt rrugën e fitores, me organizimin e duhur.
Suksese në garën e tyre, Kandidatëve realë të saj.