280 mijë doza të vaksinës kundër gripit janë shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit, teksa kemi hyrë zyrtarisht në sezonin e virozave. Fushata kombëtare e vaksinimit do të nisë më 22 shtator dhe synon të mbrojë qytetarët nga viruset e grupit A dhe B, që pritet të qarkullojnë gjatë muajve në vijim.
Vaksina rekomandohet veçanërisht për personat mbi 65- vjeç, ata me sëmundje kronike, probleme kardiovaskulare, si edhe të gjithë qytetarët me risk të lartë për komplikacione shëndetësore.
‘Grupmosha e tretë është ajo që rekomandohet. Pra, qoftë ato me probleme kardiake, me diabet, me probleme të veshkave, me probleme pulmonare, kanë një lloj probabiliteti për t'u prekur nga viroza dhe rekomandohet vaksina e gripit’, tha Sonila Brati, pediatre.
Por a duhet të vaksinohen edhe fëmijët? Pediatrja Sonila Brati thekson se vaksina e gripit është e rekomandueshme për fëmijët nga 6 muajsh deri në 5 vjeç, sidomos për ata që janë në çerdhe dhe kopshte, ku rreziku i infektimit është më i lartë.
“Grupmosha që rekomandohet është mbi gjashtë muaj. Pra, kur kanë kaluar tre vaksinat e para që janë ato bazale që bëhen nga dy, katër dhe gjashtë muaj, rekomandohet pastaj që mbi gjashtë të bëhet edhe vaksina e gripit’, tha ajo.
Një apel të fortë Brati e ka për fenomenin e shfaqur për vaksinat e Fruth-Rubeolë-Shyta, ose siç njihet MMR, e cila shpesh shtyhet nga prindërit për shkak të lidhjeve që i bëhet nga jo specialistët me shfaqjen e autizmit.
“Fruthi, rubeola dhe parutiti është një grup sëmundjesh infektive që kanë brenda vetes rrezikshmëri shumë të madhe. Pra, ti nuk mund të bësh një vaksinë dy vjeç ndërkohë që ajo duhet bërë sipas kalendarit që bëhet, sepse në moshën dy vjeç është një tjetër vaksinë që bëhet, bie efektshmeria e vaksinës së moshës. E bëjnë sepse janë të detyruar pra të fusin fëmijë nëpër institucionesh qoftë shtetërore qoftë private’, tha ajo.
COVID-19 nga ana tjetër ende vazhdon të jetë mes nesh, dhe pediatrja sqaron se në poliklinikën nr. 2 në kryeqytet rastet pozitive kanë qenë të shumta, edhe pse në forma më të zbutura.
“Covidi mund të kalojë në simptoma shumë të lehta me temperaturë edhe me ndonjë gjendje rrufe. Mund të bëhen 20 apo 30 tampon në ditë i bie që diku te 7 apo 8 persona të jenë të jenë pozitivë’, tha ajo.
Vaksina e gripit ofrohet falas pranë mjekut të familjes, ose duke zgjedhur një qendër shëndetësore në një vendndodhje tjetër përmes rezervimit të një orari në platformën e-Albania.
Komente

Prioritet duhet te jene te gjithe femijet e moshave shkollore ku gripi perhapet ne mase.
Përgjigju