Gati p/ligji i ri për investimet, përcaktohen sektorët strategjikë

8 Maj 2019, 07:20| Përditesimi: 8 Maj 2019, 10:48

  • Share

Qeveria ka përgatitur dhe ka hedhur aktualisht për diskutim me grupet e interesit një ligj të ri për investimet. Projektligji “Për investimet” synon të përditësojë legjislacionin ekzistues të investimeve me standarde ndërkombëtare; të vendosë një skemë të re ligjore për të tërhequr investimet e reja vendase dhe të huaja, po ashtu të garantojë përputhshmërinë me legjislacionin e brendshëm dhe me marrëveshjet ndërkombëtare. Hartimi i këtij projekt-akti është kryer nga grupi i punës i ngritur nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë dhe në përbërje të tij ka patur punonjës të ministrisë dhe të Agjencisë AIDA të investimeve të huaja. Grupi i punës deklaron se është mbështetur me ekspertizë të ofruar nga Banka Botërore.

Ky projektligj zëvendëson ligjet ekzistuese e konkretisht ligjin nr. 7764, datë 2. 11. 1993 “Për investimet e huaja” dhe ligjin nr. 55/ 2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, por mendohet se sjell barazi në trajtim si për investimet vendase dhe të huaja, si dhe krijon një mekanizëm më efikas të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në këtë fushë. Miratimi i projektligjit “Për investimet” ka lindur si domosdoshmëri, pasi legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë i jepte një mbrojtje shtesë investimeve të huaja, por jo atyre vendase, ndërkohë që një korpus i ri ligjor më vete ishte krijuar për investimet strategjike. Në këto kushte u mendua që hartimi i një ligji të unifikuar të investimeve që mbron njësoj si investimet vendase, por dhe ato të huaja, duke u përshkuar i gjithë ligji nga parimet e transparencës, barazisë dhe të trajtimit pa diskriminim të investitorëve do të rriste garancinë e investitorëve.

Privilegjet

Përcaktohen katër kushtet bazë mbi të cilat shteti mundet me ligj t’i japë investitorëve të caktuar incentiva për investimet e tyre. Konkretisht, incentivat duhet të përmbushin kushtet si më poshtë:  të përcaktohen për të arritur objektiva specifikë; të jepen në përputhje me kritere përzgjedhëse të paracaktuara, të qarta, në mënyrë transparente dhe jo diskrete; të bazohen në një analizë kosto/përfitim dhe të jenë objekt i mekanizmit të monitorimit dhe të vlerësimit, për të garantuar efektivitetin dhe qëndrueshmërinë fiskale dhe të jenë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Barazia

Ky ligj synon të sigurojë trajtim dhe mbrojtje të barabartë për investimet vendase dhe të huaja. Trajtimi i drejtë dhe i barabartë është trajtimi në mënyrë të dukshme pa sjellje arbitrare, pa diskriminim ose mungesë arsyetimi dhe që nuk përbën shmangie të madhe nga parimet e së drejtës materiale dhe procedurale. Trajtimi i drejtë dhe i barabartë nënkupton që masat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare të tilla si ligje, rregullore, procedura, vendime administrative, si dhe vendime gjyqësore për çështje që kanë të bëjnë me këtë ligj, bëhen menjëherë të njohura publikisht. Investitorëve të interesuar duhet t'u jepet një mundësi e arsyeshme për t'u informuar dhe komentuar mbi këto masa para miratimit të tyre, me përjashtim të vendimeve gjyqësore që kundërshtohen sipas parimeve të procesit të rregullt ligjor.

Pronat

Investitorët, përcaktohet në projektligj, kanë të drejtë ta përdorin, ta gëzojnë apo ta disponojnë tokën për qëllimet e investimit në përputhje me ligjin për shitblerjen e trojeve apo të ligjit për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave apo qera, enfiteozë etj.

Investitorët nuk duhet t'i nënshtrohen asnjë akti direkt ose indirekt shtetëzimi, shpronësimi, rekuizimi apo masave me efekte të barasvlershme me to, me përjashtim të interesit publik në pajtim me procesin e rregullt ligjor, pa asnjë lloj diskriminimi dhe kundrejt pagesës së kompensimit të duhur.

Investimet nuk mund të sekuestrohen, konfiskohen ose të ngrijnë përveçse me vendim gjyqësor të formës së prerë, si dhe me përjashtim të rasteve kur masat merren për shkak të detyrimeve tatimore, detyrimeve doganore dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që investitori i detyrohet shtetit, të cilat mund të mblidhen nëpërmjet të gjitha formave që parashikohen në legjislacionin e fushës dhe pa cënuar ato që shteti apo personat juridikë publikë kanë rënë dakort në kontratat përkatëse me investitorin.

Sektorët strategjikë

Sektorët strategjikë në përputhje dhe në zbatim të këtij ligji janë:  sektori energjetik dhe minerar; sektori i transportit, i infrastrukturës, i komunikimeve elektronike dhe i mbeturinave urbane; sektori i turizmit (strukturat turistike); sektori i bujqësisë (fermat e mëdha bujqësore) dhe i peshkimit; sektori i zonës ekonomike dhe zonat me prioritet zhvillimi.

Sipas këtij ligji, për zhvillimin dhe realizimin e projekteve të investimeve strategjike vihen në dispozicion troje, pyje, tokë bujqësore, si dhe pasuri të tjera të paluajtshme në pronësi të Shtetit shqiptar. Në funksion të mbështetjes shtetërore për realizimin e investimit, krijohet Fondi i Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike.

Bregdeti

Lejimi i përdorimit të brigjeve të detit, të liqeneve, të lumenjve dhe të shtretërve të tyre, si dhe e zonave përkatëse në funksion të realizimit të një projekti investimi strategjik, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për ekonominë, pas diskutimit dhe miratimit në Komitetin e Investimeve Strategjike.

Institucioni

Pranë Këshillit të Ministrave krijohet Komiteti i Investimeve Strategjike, si një organ administrativ kolegjial, që kryesohet nga Kryeministri dhe ka në përbërje, si anëtarë ministra që mbulojnë fushat e ekonomisë, financës, turizmit, infrastrukturës, transportit, çështjet e energjisë, e industrisë, zhvillimit urban, bujqësisë, mjedisit, Avokatin e Përgjithshëm të Shtetit, si dhe varësisht çështjeve që diskutohen në Komitet ministra që mbulojnë fushën përkatëse.. Në mbledhjet e Komitetit ftohet si anëtar, me të drejtë vote, edhe kryetari i bashkisë, ku do të realizohet investimi strategjik.

Komiteti për Investimet Strategjike është përgjegjës për: Miratimin e projekteve që u jepet statusi “Investim strategjik, procedurë e asistuar/ e veçantë”; Miratimin e planit të veprimit për masat, procedurat dhe afatet, përsa i takon shërbimeve dhe lehtësimit të procedurave për hartimin dhe zbatimin e projektit të investimit strategjik, në të cilin përcaktohen angazhimet, detyrat konkrete dhe afatet për institucionet qëndrore dhe njësitë e qeverisjes vendore, për të gjitha fazat e realizimit të projektit dhe tëzbatimit; Monitorimin e funksionimit të sistemit të “sportelit të vetëm” për shërbimet e ofruara për investitorin strategjik; Monitorimin e performancës së ndikimit të investimeve strategjike dhe të performancës së vetë investimit, si dhe miratimin e programeve konkrete të mbështetjes dhe të incenticave për investimet strategjike.

Hyrja në fuqi

Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji Këshilli i Ministrave miraton aktet nënligjore. Ligji nr.7764, datë 2.11. 1993 “Për investimet e huaja”, të ndryshuar dhe ligji nr.55/ 2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, shfuqizohen. Ky ligj do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare (ose në 1 janar 2020).

( Kliko këtu ) projekt-ligji i plotë për investimet

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?