Gjirokastër

Gazeta 'NZ Herald': Shqipëria, vendi evropian që nuk e keni përjetuar kurrë

3 Tetor, 07:56| Përditesimi: 3 Tetor, 08:00

  • Share

Dëshironi të udhëtoni në një destinacion jashtë hartës së zakonshme turistike dhe aventureske për një përvojë të re jashtë vendit? Vizitoni Evropën.

“Contiki Tours”, kompania kryesore e udhëtimeve zbulon 10 udhëtimet e reja në Evropë në 2025 – mes të cilave është përfshirë edhe Shqipëria, sipas një artikulli të botuar në revistën “The New Zealand Herald”.

Turi i parë i kushtohet vendit të vogël ballkanik, Shqipërisë; pasuar nga një udhëtim në qytetet antike të Athinës, Romës dhe Kajros; dhe pikat e nxehta në Francë, Angli dhe Zvicër.

Louise Levesque, menaxhere e përgjithshme për kompaninë mëmë të “Contiki Tours”,  “The Travel Corporation”, tha se Shqipëria është një perlë e fshehur, e renditur ndër tre destinacionet kryesore në trend nga organizata globale “Mastercard”.

Grupi i turistëve “Gen Z” – brezi i parë që u rrit me mediet sociale dhe influencuesit - vizituan burimet e ujërave bruz të Rivierës Shqiptare dhe plazhet me rërë të bardhë, zonat malore, qytetet dhe fshatrat historike dhe kulturën unike.

Udhëtimi tetëditor në Shqipëri përfshin eksplorimin e plazheve dhe Alpeve mahnitëse.

Gjithashtu, turistët patën mundësinë të provonin dhe shijonin kuzhinën e freskët vendase në një nga fermat e agroturizmit – ku ka qëndruar Dua Lipa.

Vendi i vogël evropian është shfaqur si nje destinacion i ri turistik, duke lënë në hije Greqinë dhe Kroacinë – pasi turistët janë në kërkim të përvojave kulturore dhe vendeve bregdetare me plazhe të mahnitshme që nuk janë prekur ende nga turizmi masiv.

Shqipëria u ofron vizitorëve pushime vërtet unike dhe miqësore me buxhetin.

Iso-polifonia është gjithashtu një element unik i kulturës në Shqipëri - pjesë tradicionale e muzikës popullore shqiptare dhe një trashëgimi kulturore jomateriale e UNESCO-s.

Përveç aktiviteteve kryesore turistike, “Contiki Tours” dhe vizitorët janë të interesuar të marrin më shumë njohuri nga njerëzit dhe komunitetet që mbajnë gjallë këto tradita dhe aftësi.

“Përvoja e parë jashtë vendit mund të ndryshojë jetën. Është diçka që çdo të riu i nevojitet”, tha Levesque.

“Udhëtimi është diçka që mund të përmirësojë vërtet perspektivën tuaj për jetën. Është diçka që ne mendojmë se të gjithë duhet të kenë mundësinë ta përjetojnë”, shtoi ajo.

“Ne vërtet e shohim nevojën, veçanërisht për të rinjtë, që të jenë në gjendje të dalin dhe të eksplorojnë botën - dhe ta bëjnë këtë me një kosto më të ulët”, tha ajo./ATSH

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?