Peter Tiede, gazetari gjerman i Bild-it është dashuria dhe urrejtja e re në Tiranë. Por ndryshe nga sa ndodh zakonisht në Ballkan, dashuria është bërë e zhurshme, kurse urrejtja ka veshur papuçe për të mos bërë zhurmë.
Opozita e dashuron zotin Tielde si një denoncues të madh të krimit dhe korrupsionit të pretenduar elektoral të qeverisë dhe pasqyrë e shndërrimit të Shqipërisë në një narkoshtet, në duart e narkotrafikantëve në qeveri dhe që ndikojnë në qeverisjen e vendit.
Maxhoranca e urren zotin Tielde si njeriun që ka shfrytëzuar një platformë zulmëmadhe të vendit të madh gjerman për interesa të errta, që ndoshta është paguar me para të dyshimta dhe që me siguri nuk është i ekuilibruar në raportimet e tij nga Tirana dhe për Tiranën.
Edhe njëherë si përherë, e vërteta me të gjitha gjasat është diku gjetkë dhe pothuaj e barazlarguar nga palët, të cilat gabojnë të dyja në të njëjtën pikë: në hyjnizimin dhe demonizimin e gazetarit. Star-i i ri i Tiranës nuk është asnjëri nga këto dy skaje, edhe pse ndikimi i tij në Tiranë tashmë është skajshmërisht i madh.
Zotit Tiede i janë vënë në dispozicion faqe të shkëputura nga dosja fantazmagorike 339. Ja kanë përkthyer sepse ai nuk e njeh as shqipen, aq më pak zhargonin dhe kontektin e atyre që dëgjon dhe lëxon e rilexon në anglisht. Ai e ka të pamundur madje edhe të diktojë intonacionet e zërit që përdorin të përgjuarit me njëri-tjetrin, siç ai shpjegon në shkrimet e tij. Kaq do të mjaftonte që të kuptohej se gjermani që trazoi Shqipërinë nuk ka bërë ndonjë investigim në zanatin e vet, por të vërtetat relative shqiptare, i ka ambalazhuar me etiketë gjermane.
Siç ka paralajmëruar, të tjerë emra do të dalin në shkrimet që do të pasojnë. Më lart se kryetari i bashkisë së Durrësit dhe shumë më lart se së paku ata dy individë të tjerë – me gjasë antarë kabineti – që përmenden gjithashtu në përgjime.
Deri tani është parë vetëm një pjesë tërësisht minimale e puzzle-s, kësaj loje aspak lokale nga Durrësi. Por kaq ka mjaftuar që në mungesën karakteristike të durimit në Shqipëri dhe mbi të gjitha, në mungesë të reagimit fundor të prokurorisë dhe vonesave kriminale të saj në hetim, vendimi të jetë dhënë. Fajtorët të jenë gjetur. Dhe e vërteta të japë shpirt edhe njëherë për shkak të ngutit dramatik të pothuaj çdo shqiptari për të bërë profesionin e uruar të gjykatësit dhe të moralistëve.
Ndoshta në këtë botë mëkatarësh që ka njohur në Tiranë zoti Tielde, nuk ka asnjë vlerë të shenjtërohet apo mallkohet dhe ai vetë. Ai është pararendës I asaj që ndodh më pas me kancelaritë e mëdha. Në Perëndim kështu ndodh. Në fillim janë shërbimet, pastaj mediat dhe më pas edhe qeveritë që formësojnë opinione për një vend apo një tjetër, për një qeverisje apo një tjetër në Ballkanin Perëndimor që është ende Lindje dhe jo Perëndim në thelb.
Zoti Tielde është vetëm një detaj i një loje në të cilën lojtarët zakonisht nuk njohin “lojëdhënësin”. Si fillim ai do të jetë një arsye për të shtuar ca mijëra demontrues më shumë në protestën e rradhës dhe ca rradhë më shumë nervozësh përpara policisë. Edhe ca pankarta më shumë kundër fakteve të reja që “ka zbuluar Gjermania e Merkelit”.
Tirana e dosjes 339, tani, falë edhe publikimeve që kanë ndodhur më parë në median e huaj dhe në ato që pritet të publikohen më pas, është shndërruar në një kantier paleontologjie politike. Siç bëjnë paleontologët klasikë me një eshtër të vetme, nga një minimum dramatik përgjimesh, të shkëputura nga konteksti dhe të pavërtetuara në gjykatë, paleontologët e Tiranës kanë ndërtuar dinosaurin e tyre politik. Kanë paracaktuar fajtorët publikë. Se çfarë do të ndodhë nesër në një vendim të mundshëm në emër të popullit, pakkush do të jetë i interesuar. Sepse edhe vetë fajtorët, janë pjesë e një loje në të cilën ata nuk mundën të ndajnë zakonin nga ligji, traditën nga morali. Ndaj, herët a vonë, këto keqkuptime tragjike, paguhen gjithmonë. Ndryshon vetëm çmimi që paguhet herë me kurs dashurie dhe herë me haraç urrejtjeje.