Gazetarja ukrainase për Report Tv: Të shtohen sanksionet ndaj Rusisë! Lufta të zgjidhet me diplomaci! Nuk largohem nga Ukraina derisa të fitojmë

12 Mars 2022, 20:50| Përditesimi: 12 Mars 2022, 21:05

  • Share

Gazetarja ukrainase, Olesya Bida ka rrëfyer për Report Tv situatën në Ukrainë, e cila është në ditën e 17 të pushtimin rus. Gazetarja Bida jeton në qytetin Pervomaiks, i cili ende nuk është prekur nga bombardimet ruse, por është në gjendje gatishmërie dhe qytetarëve u këshillohet që të rrinë në vendstrehime të sigurta. Ajo thotë se rajoni afër qytetit ku jo jeton, Odesa është bombarduar.

Në një intervistë për gazetarin Arbër Hitaj, Bida tregon shqetësim që ka për vëllain e saj, i cili ndodhet në frontin e luftës duke luftuar kundër ushtarëve rus.

“Vëllai im është ushtarak dhe tani është në frontin e luftës dhe jam shumë e shqetësuar për të, dhe sa herë më duhet t’i shkruaj se si është dhe jo çdo herë ka mundësi të kthejë përgjigje”, thotë ajo.

Gazetarja thotë se vendet Perëndimore dhe SHBA duhet ta mbështesin më shumë Ukrainën pasi duket sikur ajo po lufton e vetme. Sipas saj duhet të shtohen sanksionet ndaj Rusisë.

Me shpresën se lufta do të përfundojë me një zgjidhje diplomatike mes dy palëve, Olesya Biba thotë se nuk do të largohet nga vendi saj, por do të qëndrojë deri në fund kur Ukraina të fitojë.

Intervista e plotë për Report TV

Përshëndetje, si jeni?

Olesya Bida: Përshëndetje, në të vërtetë nuk e di si t’i përgjigjem kësaj pyetje, me luftën që po zhvillohet në vendin tim. Por mund të them që jam në një vend të sigurt dhe çdo gjë është në rregull.

Si është një ditë e jotja në luftë?

Olesya Bida: Ende nuk mund ta besoj që është duke u zhvilluar në vendin tim, por ditët e fundit e kam kuptuar që duhet të jetoj me këtë realitet. Në qytetin tim, i cili ndodhet në qendër të Ukrainës unë akoma mund të shkoj në dyqan dhe të blej ushqime dhe medikamente por ndërkohë situata po bëhet më kritike dhe njerëzit nuk kanë ujë të pinë ose diçka për të ngrënë.

Po përsa i përket sigurisë, a dilni jashtë për të gjetur ushqim ose gjerat e tjera që ju duhen?

Olesya Bida: Qyteti im është goxha i sigurt, mund të dal 2 herë në ditë, por gjithmonë duhet të kem një ID ose dokumentin e punës me vete sepse asnjëherë nuk e di se çfarë mund të ndodhë brenda një ore, apo brenda 1 minute dhe që të jem e sinqertë edhe tani qyteti im është në gjendje gatishmërie dhe unë tani duhet të isha në vendstrehim të sigurt. Por e kuptoj që duhet të jetojmë me realitetin dhe ne nuk jemi Kievi, i cili është gjithë kohën nën sulme të vazhdueshme.

Olesya, a ka luftime në qytetin tënd apo a ke parë forca Ruse aty?

Olesya Bida: Jo, nuk ka luftime në qytetin tim, por në rajonet fqinje ato afër Odesës ka luftime dhe me sa di unë trupat Ruse i kanë pushtuar territoret e tyre. Dhe në të vërtetë nuk e di se kur duhet të largohem nga qyteti im sepse duke qenë se kanë pushtuar qytetet fqinje do të thotë që duhet të largohem menjëherë.

Kam një pyetje të thjeshtë, pse mendon se e pushtoi Rusia vendin tuaj?

Olesya Bida: Në të vërtetë nuk e di pse ato e pushtuan vendin tim dhe pse e nisën këtë luftë sepse tani e kuptoj që kemi jetë shumë të ndryshme në krahasim me rusët. Ne po shkojmë drejt Europës dhe nuk e di pse ky burrë i marrë, Vladimir Putin pushtoi vendin tonë. Në të vërtetë akoma nuk e di si t’i përgjigjem kësaj pyetje.

A keni humbur ndonjë pjesëtar të familjes ose ndonjë mik gjatë luftës?

Olesya Bida: Jo dhe jam shumë e lumtur për këtë, por nuk mund ta imagjinosh se si është të zgjohesh natën çdo herë për të lexuar lajmet. Vëllai im është ushtarak dhe tani është në frontin e luftës dhe jam shumë e shqetësuar për të, dhe sa herë më duhet t’i shkruaj se si është dhe jo çdo herë ka mundësi të kthejë përgjigje.

Si mendon se do të përfundojë kjo luftë, me armë apo me diplomaci?

Olesya Bida: Do dëshiroja që kjo luftë mos të kishte filluar dhe shpresoj që ato të përdorin diplomacinë që ta zgjidhin këtë dhe ti japin fund kësaj lufte, por nuk jam e sigurt nëse do të jetë e mundur sepse ka pasur shumë vdekje këtu në Ukrainë. Shumë rajone janë të bllokuara nga rusët, të cilat shpresoj të jenë të bllokuara përkohësisht nga ushtria ukrainase. Kështu që dua të besoj që do i japin fund kësaj lufte me diplomaci dhe për këtë ne kemi nevojë për mbështetjen e të gjithë botës, Europës si dhe Shteteve të bashkuara të Amerikës.

A mendon se mbështetja që keni marrë nga vendet Perëndimore është mjaftueshëm për të përballuar këtë pushtim nga Rusia?

Olesya Bida: Sigurisht që ne duam të kemi më shumë mbështetje sepse duket sikur në këtë luftë me Rusinë po përballet vetëm Ukraina. Kështu që sigurisht si gazetarë kërkojmë që çdokush të na ndihmojë dhe jo vetëm ne, kam bërë shumë intervista të personave që po largohen nga bombardimet dhe të gjithë kërkojnë mbështetje nga Europa dhe Kombet e bashkuara të Amerikës.

A e ke menduar ndonjëherë të largohesh nga vendi dhe të shkosh në Poloni ose ndonjë vend tjetër më të sigurt?

Olesya Bida: Jo, dua të jetoj këtu, nuk dua të largohem nga vendi im. Të gjithë ne duam të jetojmë këtu, të qëndrojmë këtu. Dhe sa herë që mendoj të largohem nga qyteti me vjen në mend një mendim tjetër, kush do  të shkojë në sheshin në qendër të qytetit, dhe kush do të qëndrojë atje përballë ushtrisë Ruse? Dua të qëndroj këtu deri në fund, deri sa të fitojmë.

Jemi në fund të intervistës. Cili është mesazhi jot për botën?

Olesya Bida: Po kërkoj vetëm një gjë, ju lutem na mbështesni, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra. Shtoni sanksionet ndaj Rusisë!

Një pyetje e fundit, a keni miq në Rusi? A e dinë ato për situatën atje, apo është e pamundur të komunikosh me to?

Olesya Bida: Nuk kam miq të tillë. Kam shumë miq në Europë të cilët më shkruajnë çdo ditë. Por, tani mund të them që jam një person i lumtur që nuk kam miq në Rusi. Kam vetëm të afërm në territore të pushtuara me të cilët nuk kam kontakt prej 8 vitesh dhe nuk e di çfarë mund të bëhet me jetën e tyre, çfarë po mendojnë dhe nëse janë akoma gjallë.

Faleminderit shumë për kohën tuaj dhe shpresoj që çdo gjë të t’iu shkojë mirë! Shumë faleminderit Olesya!

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?