Gazment Bardhi zhvilloi sot (12 shkurt) në orën 15:00 një mbledhje me deputetët e Rithemelimit në selinë qendrore të PD-së ku u rikthye për herë të parë pas përçarjes së demokratëve. Report Tv mëson se në mbledhjen e drejtuar nga Bardhi u diskutua për protestën e thirrur më 20 shkurt dhe i është bërë thirrje secilit deputet për të punuar në zonën ku është zgjedhur në mënyrë që të mobilizojnë qytetarët.
Ndërsa sa i takon rikthimit në selinë e PD-së dhe bashkimit me Rithemelimin, Bardhi u shpreh se përpjekjet për një bashkim të tillë janë bërë prej rreth një viti nga disa deputetë brenda grupit parlamentar.
"Këto dy vitet e fundit, ne hymë në një rrugë që solli mosbesim, konflikt, përçarje mes demokratëve. Zgjatja e asaj situate vuri në pikëpyetje vetë ekzistencën e partisë. Kjo situatë mes nesh, e paprecedentë në llojin e vet, po ndodhte ndërsa Shqipëria humbte çdo ditë nga një tullë në themelet e brishta të demokracisë dhe pluralizmit.
Vendi nuk e kishte dhe nuk e ka luksin të humbasë edhe opozitën, prandaj prej më shumë se 1 viti sëbashku me shumë kolegë brenda grupit parlamentar kemi bërë përpjekje të sinqerta, ndonjëherë edhe me kosto personale, për t’u rikthyer demokratëve shpresën tek partia e vet, tek Partia Demokratike"- tha deputeti.
Në deklaratën e dhënë për mediat deputeti deklaroi se bashkimi është e vetmja mënyrë për të rikthyer shpresën e shqiptarëve në mënyrë që ta shohin PD-në si alternativë qeverisëse.
"Bashkimi është forcë dhe jo dobësi. Bashkimi është rruga e vetme për një mëndje racionale. Partia Demokratike me aktin e bashkimit, pas një udhëtimi në errësirë, i kthen dritën vetes dhe duhet ti kthejë shpresën shqiptarëve. Me këtë motiv, ne do të jemi në çdo cep të Shqipërisë për t’i dhënë shpresë të rinjve, burrave dhe grave që duan të ndërtojnë këtu një të ardhme për vete dhe për familjet e tyre. Jo më përçarje! Jo më konflikt! Ne do të punojmë së bashku për të shndërruar opozitën e sotme në qeverisjen e neserme. Mbi këtë parim duhet të ndërtohet cdo marrëdhënie dhe duhet të jetë i mirëpritur cilido. Të flasim mbi ide, mbi parime, jo mbi individë”- u shpreh Bardhi.
Pavarësisht sulmeve që Berisha ka bërë herë pas here ndaj organeve të drejtësisë, Bardhi theksoi se PD mbështet institucionet që të zbatojnë ligjin pa komplekse dhe pa pasur ndikime politike.
“Partia Demokratike është partia më properëndimore se çdo forcë tjetër politike më vend. Ne besojmë tek aleatët tanë strategjik. Ne besojmë gjithashtu, se Shqipërisë i duhet një drejtësi e pavarur, pa ndërhyrje politike, por ne duhet të theksojmë me forcë se ne nuk jemi në luftë me drejtësinë! Do ta mbështesim dhe nxisim atë pa komplekse që të zbatojë ligjin, por edhe do të themi të vërtetën para shqiptarëve sa herë që do të konstatojmë se peshorja e drejtësisë disbalancohet nga ndërhyrjet politike”- shtoi deputeti.
I çuditshëm ky bashkim me protestuesit e Rithemelimit ishte për faktin se erdhi menjëherë pas takimit në SHBA me zv. Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe dërguarin për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar. Papritur Bardhi e gjeti veten për herë të parë në protestën poshtë shtëpisë së Sali Berishës, të shpallur non grata dhe në masë arresti për aferën e privatizimit të sport klubit Partizani.
Lajmi kryesor:
Bardhi në selinë e Rithemelimit mbledhje me grupin e Berishës: Bashkim, jo më konflikt! Deputetët e pranishëm e kush mungoi (EMRAT)
B.K//ReportTv.al