ELBASAN- Zbardhen detaje të reja lidhur me vendojen e tritolit në vilën e braktisur të Talo Çelës, në fshatin Katund i ri në Elbasan. Sipas burimeve autorët ende të paidentifikuar kanë vendosur në kolonat e vilës së Talo Çelës, dy kallëpë tritoli C4.
Mekanizmi i shpërthimit është kryer me fitil zjarr përjellës. Por vetëm një nga kallëpët e tritolit ka shpërthyer dëmtime materiale, kryesisht të vetratave të xhamit, ndërsa kallëpi i dytë i tritolit nuk ka shpërthyer.
Sasia e esksplozivit është sekuestruar bashkë me fitilin, i cili nuk është djegur i gjithi dhe për pasojë, ka sjellë dhe mos aktivizimin e tritolit. Shpresa e vetme e policisë së Elbasanit është fiksimi i ndonjë gjurme gishti në kallëpin e tritolit, i cili tashmë është çuar për ekspertim në laborator.
Ndërkohë, për sa i përket kamerave filmike që ndodhen të instaluara në muret e vilës së Talo Çelës, ato nuk kanë rregjistruar asnjë nga autorët, pasi në banesë nuk ka pasur paisjen DVR-ë që shërben për ruajtjen e pamjeve filmike.
Ngjarja e ndodhur në 5 nëntor, sipas policisë së Elbasanit ka lidhje me ngjarjen e datës 3 nëntor 2020 të ndodhur në Durrës, ku në banesën e Skënder Hoxhës, kushëririt të Nuredin Dumanit, u vendos një sasi e konsiderueshme tritoli, duke shkaktuar dëmtime të shumta. Kjo përplasje vjen si pasojë e prishjes së miqësisë mes Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës, të dy persona të shpallur në kërkim.