Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Opinion

Gjëra të mëdha do të ndodhin në Shtator

15 Gusht 2021, 17:57| Përditesimi: 15 Gusht 2021, 18:01

  • Share

Në Partinë Demokratike, dhe në oborrin e opozitës së (pa) lindur nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 25 Prillit 2021, duhej të ishin duke i dhënë “dorën e fundit” përgatitjeve për të qenë më seriozë dhe më të besueshëm para shqiptarëve në Parlamentin e ri. Në Shtator, pritet të ndodhin gjëra të mëdha në SHQUP, në oborrin dhe zyrat e Partisë Demokratike. Kjo verë e nxehtë dhe përvëluese, ishin muajt e “acarit” mes lidershipit të asaj partie dhe faktorit ndërkombëtar.

Asnjë lëvizje dhe vendim i duhur nuk ka gjasa të bëhet dhe të merret nga Lulzim Basha si para ashtu dhe pas 31 Gushtit, ç’ka do të thotë se ai, gjithçka do ta lërë në “rënie të lirë”. Ai po pret ç’do të thotë përsëri zonja Kim, ç’do të bëjë SPAK-u, DASH-i, FBI-ja, apo dhe vetë Sali Berisha. Lulzimi nuk ka qenë, dhe nuk është “aventurieri” i ngjarjeve të mëdha. Ai nuk rrezikon me kokën e tij, ai bindet. Edhe kësaj here, ai i është bindur Sali Berishës, ashtu siç i është bindur për 16 vjet, qysh nga koha kur e afroi tek KOP-i, pa e ditur se një ditë të bukur, do të ishte edhe kryetar partie. Në Shtator, ne do të shohim gjëra të mëdha në Partinë Demokratike, në Parlament, dhe skenën politike shqiptare.

Thashethemet thonë se “PD ka gjasa të ndahet në 2 ose 3 pjesë brenda saj”. Pra në përkrahës të Sali Berishës, në kundërshtarë të tij dhe Lulzimit, dhe në përkrahës të Lulzim Bashës. Në njëfarë mënyre, në Shtator, do të shohim kush janë “amerikanët dhe antiamerikanët e Partisë Demokratike”. Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë me Lulin, por harrojnë se baza e partisë ose 80 përqind e saj, janë me Saliun.

Dhe kjo realisht e ka vendosur në pikëpyetje ekzistencën e vetë asaj partie në skenën politike. Një segment i saj, ka dalë së fundmi me tezën e “rithemelimit të partisë”, që do të ishte fshirja nga lista e shumë prej emrave të sistemit drejtues të saj. Takimi më mizerabël që Ervin Salianji bëri në një prej rrugicave të Korçës me “bazën” e partisë, ishin treguesi më i saktë i mosekzistencës së Partisë Demokratike në atë qytet me tradita, dhe që së fundi i dha mbështetje të madhe Lulit në zgjedhjet e fundit. Paralajmërimi i zonjës Kim, sinjalet  e forta dhe plot “energji” që vijnë nga përtej Atlantikut lidhur me listën në rritje të  personave “non-grata” nga Ballkani dhe veçanarisht Shqipëria, mungesa e respektit dhe besnikërisë së vetë Lulzim Bashës ndaj SHBA-së për problemin “Berisha”, shkërrmoqja e partisë ditën me diell, largimet e zërave kundër dhe afrimi i elementëve të dyshimtë në grupin parlamentar dhe zyrat e partisë, flasin qartë se në Shtator do të ndodhin gjëra të mëdha.

Për “shpatullat” e Lulit janë peshë e madhe, por gjithsesi ai do të mbetet detyrimisht një personazh kryesor i episodeve dramatike të asaj partie në zhdukje. Vajtja e zonjës Kim në Partinë Demokratike, ishte shtysa e fundit për Lulin e Berishës, si për ti thënë ai publikisht se “je miku ynë, në rast se largon armikun tonë”. Por Luli nuk ka këllqe të bëjë një gjë të tillë, pasi Sali Berisha e ka mbushur kasafortën e tij me “bëmat” e kryetarit de jure të Partisë Demokratike, dhe në çdo rast mund t’ja afrojë amerikanëve si “ofertë shpëtimi”, duke mos pyetur shumë për “birin e tij politik”.Në Shtator,do të ndodhin gjëra të mëdha, që ndoshta do të sjellin ndryshime të mëdha, por jo falë lulzimëve opozitarë, por falë miqve të përtej Atlantikut, që duan përfundimisht një terren të qetë dhe të sigurtë në Shqipëri.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?