Gjiknuri shmang Komisionin e Posaçëm: Puna jonë mbaroi, ‘Zgjedhoren’ sot e dorëzoj në Kuvend! (VIDEO)

30 Qershor 2020, 13:16| Përditesimi: 30 Qershor 2020, 13:48

  • Share

Dita e dorëzimit në Kuvend e draftit të zgjedhores i gjen dy përfaqësuesit politik të PS dhe PD më të relaksuar. Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi e konsiderojnë të mbyllur punën për pikat e dakordësuara në tryezë.  “Drafti është në përfundim e sipër, kanë ngelur disa cështje teknike, duket ta mbyllim sot  pasi  ditën e sotme skadon afati i komisionit të reformës zgjedhore”, shprehet Gjiknuri. 

Ndonëse sot i skadon afati Komisionit parlamentar, Damian Gjiknuri për Report tv thotë se drafti i dalë nga tryeza do të dorëzohet gjithsesi në Kuvend, duke konsideruar si mundësi shqyrtimin në Komisionin e Ligjeve. “Kuvendi të vendosë nëse do i shtyhet mandati i komisionit të reformës zgjedhore, apo drafti do shqyrtohet në rrugë normale, në komisionin e ligjeve për të vajtur në seancë.  Sic e dini nuk është se në komisionin e reformës zgjedhore pritet input maksimal, jo se duhet të neglizhoj  rëndësinë e punës së tyre por ky është një draft tashmë i dakordësuar, i punuar teknikisht, dhe cështjet që ka pasur opozita jashtëparlamentare dhe parlamentare janë adresuar. Nga kjo pikëpamje nuk shoh rrezik për miratimin e kodit zgjedhor për rrugën që do zgjedhë”, tha përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri.

Tashmë sfida e radhës për mazhorancën nuk është me PD por me opozitën në Kuvend që ka kushtëzuar votën e saj. “Ne nuk i kemi të gjitha mandatet, kështu që do luftojmë për konsensus për votën në Kuvend”, shprehet përfaqësuesi i PS.

Shtatori do e gjejë KQZ-në të riformatuar dhe me anëtarë të rinj.  “Menjëherë pasi ligji hyn në fuqi, brenda 30 ditësh fillojnë procedurat e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Synimi është që maksimumi në shtator këta individë duhet të jenë të zgjedhur”, thotë Gjiknuri.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?