Albin Kurti

Gjikondi: Albin Kurti si realizues i imagjinatës kombëtare të Ukshin Hotit

5 Tetor 2019, 23:00| Përditesimi: 5 Tetor 2019, 23:01

  • Share

Një popull udhëhiqet duke i treguar një të ardhme shkruante dikur Balzak, dhe këtë Albin Kurti arriti ta bëj.  Karakteri i tij është rrugëtimi i tij. Tashmë ai është një metaforë e vetes, tashmë ai duhet që metaforën ta kthej në realitet, ta zhvesh, ta zbatoj, dhe për këtë do e ndihmoj 6 Tetori. Fjalimet e tij janë të pakonkurueshme. Vepra e tij po ashtu.  Mundimi, modestia, sakrifica, vërtetësia, erudicioni i tij tashmë po mbledhin frytet e një jete. Unë nuk do doja të zgjatesha sot, pasi kahershëm dihet mbështetja dhe vlerësimi që kam ndaj Albin Kurtit, unë mendoj se shqiptarisë tashmë i ka ardhur një idhull me krenë sic do thoshte Migjeni po ta kishte njohur. Dhe shqiptarët e dinë mirë cfarë është të kesh të kundërtën, të kesh idhujt pa krena, mund të arrish të rrish 5 shekuj nën skllavëri dhe me vite nën një liri figurative. Albin Kurti është modestisht i vetëdijshëm për formimin e tij të diferencuar nga kusuri i lidërve të shqiptarisë, ai mban gjallë dhe zhvillon frymën filozofike të Ukshin Hotit dhe qëndresën e Adem Demacit. I rrinë ngushtë tradhëtitë, akoma më ngushtë pazaret.  Vizioni i tij ndaj bashkimit kombëtar, mund të shplodhet dhe heshtet për arsye gjeopolitike dhe diplomatike por kurrë nuk do fle gjumin e madh. Ndryshe nga Rama që shoun e ka stil jetese, Kurti ka përfshirë që në gjenezë të politikës së tij (në organizatat politike) një numër të konsiderueshëm shqiptarësh të Shqipërisë, ndërkohë që Rama i nxjerr nga furra vetëm për emërime despotike të menjëhershme, të papritura dhe pa kontribute.

Programi zgjedhor i Kurtit, është i qartë, një program që synon kryesisht rikthimin e sovranitetit nëpërmjet fuqizimit të ekonomisë publike, rikthimin e dinjitetit shtetëror, efikasitetin e administratës publike duke e shndrruar atë në rentabël dhe jo në parazit partiakë që dredhin zinxhir.. me pak fjalë është nga të paktat programe qeverisëse që bazohet në një analizë të personalizuar për vecoritë e Kosovës me identitet dhe mendim të qartë për fushat ku do zbatohet, ku ndjehet qartë dhe me aktualitet filozofia e një të majte progresiste.

Jam e bindur në fitoren plebishitare të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes si një domosdoshmëri historike ndër shqiptarë, të cilët nuk i japin frymë liberalizmit kozmopolit anarkist por do kthejnë në realitet atë imagjinatë që Ukshin Hoti do shprehte me fjalët e tij se “Kombi Shqiptar po e përjeton në imagjinatë atë që kombet tjera e kanë realizuar prej kohësh. Po duke qenë një komb si të gjitha kombet tjera, shqiptarët nuk kanë pse të përjetojnë gjithçka vetëm në imagjinatë “      

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?