Burimi i rrënimit, politik, ekonomik dhe humbja e përgjithshme e besimit në Shqipëri është një dhe vetëm një, Sistemi Zgjedhor. Ja pse : Sistemi zgjedhor ka përcaktuar listat e mbyllura dhe ndarjen në 12 zona rajonale. Janë përdorur 2 formula për ndarjen e mandateve të deputetëve, d’Hondt dhe Sainte-Lagye. Ka rezultuar që këtej një sistem politik që ka cenuar thelbësisht Sovranitetin e shqiptarëve dhe të drejtat e tyre më elementare demokratike.
Ndryshimet kushtetuese, sidomos ato që prekën sistemin zgjedhor, të bëra në 21 prill 2008, bashkarisht nga administruesit e PS-së dhe PD-së, përjashtuan pjesëmarrjen e mbarë shqiptarëve, betonizuan një sistem autokratik, të korruptuar dhe keqpërfaqësues të tërësisë sëqytetarëve.
Kushtetuta merr përsipër gjithçka përsa i takon cilësisë së natyrës demokratike të Republikës dhe aftësisë së sovranit. Kjo gjë nis me nenin e parë të Kushtetutës, ku sanksionohet se Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike. Vazhdohet me Nenin 2 ku garantohet se: 1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. 2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti, 3. neni 45 ku shenjtërohet institucioni i votës me fjalët:“vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”. Por, aktualisht, është korruptuar dhe është bërë e drejtpërdrejtë lidhja ndërmjet llojit të sistemit elektoral, sistemit partiak, marrëdhënieve të ekzekutivit me legjislativin. Në po të njëjtin akt korruptohet natyra e ekzekutivit që krijohet prej andej. E këtu është realizuar fund e krye cenimi i cilësisë së demokracisë dhe të drejtave të njeriut që garanton Kushtetuta.
Listat e mbyllura, në një vend si Shqipëria ku totalitarizmi i ka rrënjët e thella në mendjet autokrate të krerëve të partive, ka cenuar në palcë tiparin më dallues të kombit, Sovranitetin. Shqiptarët nuk përfillen, nuk konsiderohen, nuk përfshihen as në të drejtën e tyre më elementare, atë të njohurit dhe zgjedhurit të përfaqësuesve të tyre. Listat e mbyllura hartohen vetëm nga dy individë fizikë. Pra në vend që kandidatët për deputetë të përfaqësojnë demokracinë e partive, ose dhe ndjenjën politike qytetare, ata përfaqësojnë në tërësinë e tyre vetëm dy njerëz. Tirania e dy kryetarëve të partive më të mëdha gjen mbështeteje edhe në ligjin evaziv mbi veprimtarinë e partive politike.
Me pushtetin absolut dhe totalitar të përcaktimit të “elitës” politike legjislative të vendit, këta dy kryetarë përvetësojnë të drejtën e përcaktimit po aq flagrant të ekzekutivit. Kështu që, si në parlament edhe në ekzekutiv, vendoset një masë njerëzish anonimë, pa kontribute dhe pa dinjitetin e duhur për të menduar dhe vepruar si përfaqësues apo administratorë të lirë. Me listat e mbyllura tërë pasuritë publike, ndërmarrjet shtetërore ekonomike dhe kulturore bien në duart e po këtyre dy kryetarëve.
Me të tillë autoritarizëm të shefave, më së pari kanë vdekur subjektet politikë, të cilët kthehen në ndërmarrje private të prodhimit të pushtetit, anëtarësia kthehet në një grup kandidatësh për mercenarë dhe burim i humbjes së virtyteve të politikës e shoqërisë. Ndërsa deputetët dhe ministrat janë kthyer prej kohësh në skllevërit më të lartë të shefave të partive. Ministrat, që pas emërimit të tyre në mënyrë abuzive nga shefi i partisë, pa kaluar as minimalisht në filtra demokratikë partiakë, kompromentohen në ekzistencën e tyre si qenie politike. Janë po këta që do të dëmtojnë menjëherë statusin e nëpunësit civilë në të gjithë institucionet e Republikës.
Këto lista të mbyllura që aplikohen prej 11 vjetësh si në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale në përcaktimin e deputetëve, këshilltarëve bashkiakë, kryetarëve të bashkive, kanë rezultuar fatale për imazhin dhe përfaqësimin e interesave kombëtare. Shumë shpesh në radhët e të emëruarve përpos figurave mediokre ka pasur figura tejet të kompromentuara me skeda të rënda kriminale. Pavarësisht se fajësia e personit fizik, në këtë rastshefi i partisë që i ka emëruar, është e drejtpërdrejtë, ky shef nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi qoftë dhe morale. Precedenti i kriminalizimit është përgjithësuar, banalizuar dhe përjetësuar. Ai i ka shtrirë tentakulat e veta në jetën politike dhe atë ekzekutive, me përbërës kryesor jetën ekonomike të vendit. Listat e mbyllura i kanë nxjerrë tërësisht shqiptarët jashtë lojës demokratike të përfaqësimit dhe vendimmarrjes, jashtë dimensionit jetik të qytetit politik, pa besim dhe të ardhme.
Edhe Kodi i Sjelljes së Mirë, një nga aktet kryesorë, i hartuar nga Komisioni Evropian nën kompetencën e Komisionit të Venecias, përcakton qartë se “E drejta e votës duhet të jetë universale, e barabartë, e fshehtë dhe e drejtpërdrejtë”.
Pra, edhe një herë, listat zgjedhore, duhet të jenë në përputhje me teorinë demokratike të sovranitetit (dhe me Kushtetutën). Ato në asnjë mënyrë nuk duhet të kufizojnë të drejtën e elektoratit për të zgjedhur drejtpërdrejt përfaqësuesin e tyre. Situata shumë e rëndë aktuale në Shqipëri ka një përgjegjës ekskluziv, klasën politike shqiptare e cila e ka ngritur dhe mban pushtetin e grabitjes së të drejtave dhe cenimit të shpirtit demokratik të popullit.
Një tjetër problem i rëndë që gjenerohet nga ky sistem zgjedhor është ndarja në 12 zona zgjedhore të territorit të Shqipërisë. Kjo ndarje ka rezultuar të jetë burimi i shkeljeve të rënda kushtetuese dhe konsumim i veprave të cilësuara penale.
Për shembull, kjo ndarje dhe formulat e ndërlikuara dhe plot hile që përdoren në përllogaritjen e ndarjeve të mandateve të deputetëve nëpër qarqe cenojnë barazinë e deputetëve dhe votuesve. Në qarqe si Kukësi, një deputeti i nevojiten rreth 14.000 vota, ndërsa në një qark tjetër si Vlora për një deputet duhen rreth 8.000 vota, për të mos folur që edhe brenda qarkut dhe brenda koalicioneve ka shpërpjesëtim të cilësuar midis subjekteve politike në përllogaritjen e mandateve. Si ky rast has gati në të gjitha zonat zgjedhore ku aplikohet ky sistem i deformuar zgjedhor. Pikërisht kjo që parashtruam provon katërçipërisht pabarazinë e votës, zhvlerësimin e saj dhe diskriminimin që krijohet midis qytetarëve të të njëjtit shtet dhe territor.
Gjithashtu një tjetër problematikë e ndarjes në qarqe është se secili ka një prag elektoral të ndryshëm. Edhe pse aplikohet për një sistem propocional, ai është i lartë (ndërkohë që pragjet e larta përdoren më shumë në sistemet mazhoritare por në këtë rast kuptohet që përdoret si një mjet për të përjashtuar përfaqësimin e shqiptarëve, qoftë drejt për drejt me kandidatura të pavarura, qoftë me partitë e vogla që nuk janë atashuar në koalicionet e partive të mëdha). Në këtë klimë deformimi dhe diskriminimi zgjedhor shtohet edhe masa e dëmit prej ligji elektoral që i shpie mandatet e pashpërndara nga pjesa proporcionale e partive jo të mëdha,pasi nuk arrijnë pragun,në subjektin politik me më shumë mandate. Shtrembërohet edhe një herë në mënyrë flagrante vullneti dhe përfaqësimin e qytetarëve. Konkretisht në rast se një subjekt politik në koalicion arrin të marrë 10.885 vota dhe i mungojnë vetëm 25 vota për të përftuar mandatin e deputetit, ajo jo vetëm që e humbet këtë sasi të madhe votash, por këto 10.885 vota sipas këtij sistemi zgjedhor i kalojnë forcës të parë të koalicionit me më shumë mandate.
Nëpërkëmbja më sipër përbën në vetvete një shkelje flagrante e të drejtave bazë të njeriut, tjetërsim të votës dhe shtrembërim të vullnetit zgjedhor. Por, problematika të rënda mbart edhe përllogaritja e mandateve për subjektet politike që zgjedhin të garojnë të vetëm. I gjithë mekanizmi i këtij sistemi zgjedhor ka qasje totalitare, ngaqë penalizon në ekstrem forcat politike që nuk duan të jenë argate dhe shtojca në funksion të dy parive të mëdha. Për shembull, në rast se në Tiranë forcat e një koalicioni arritën të merrnin mandatin e deputetit edhe me vetëm 10.000 vota, forca politike PDIU që nuk garoi në koalicion por e pavarur u penalizua nga sistemi dhe nuk mori asnjë deputet edhe pse ka marrë në po këtë qark 11.566 vota. Çka bën që me mijëra vota të shqiptarëve u transferohen kundër vullnetit të tyre gjetiu.
Një tjetër pasojë që është tashmë kalcifikuar në realitetin shqiptar është ajo e administrimit të zonave zgjedhore nga figura të bandave kriminale. Dhe kjo në të gjitha zonat zgjedhore ku personat e inkriminuar shpesh falë politikës ushtrojnë dhe veprimtari tregtare. Ata përfshihen totalisht në administrim kriminal të mbledhjes dhe përllogaritjes së votave. Në shumicën e rasteve mbas zgjedhjeve ata shpërblehen me favore, leje ndërtimi ose shfrytëzim burimesh natyrore, tendera ose pozicione kyçe në administratën e zonës në fjalë, si kadastra, dogana, posta, etj.
Pra, sistemi zgjedhor aktual jo vetëm që ka dështuar në implementimin e një demokracie funksionale dhe të drejtpërdrejtë, por ka qenë burim i kriminalizimit të skajshëm të jetës politike,morale dhe ekonomike të vendit. Një sistem i ngritur siç e përshkruam më lart, detyrimisht që do të gjenerojë padrejtësi, varfëri, centralizim oligarkie, mërgim masiv dhe dobësim të interesit kombëtar dhe publik.
Kam ndjekur me vëmendje punën e Komisionit për reformën Zgjedhore të ngritur pranë Parlamentit shqiptar. Puna e këtij komisioni deri më tani është udhëhequr nga mosreflektimi dhe hipokrizia ekstreme. Sistemi zgjedhor shqiptar duhet riparë në themel, atij i duhet kthimi i legjitimitetit moral. Ndaj dhe listat e hapura dhe sistemi proporcional kombëtar janë masa e parë e që duhet vlerësuar si emergjencë kombëtare për rikthimin e legjitimitetit të votës dhe sovranit.
Kodi Zgjedhor aktual është i kredhur në paranojën e dy partive politike dhe ka braktisur jo vetëm teknikat legjislative që duhet të përmbante në cilësinë e aktit supreme mbi të cilin ngrihet shteti, por shmanget nga përmbushja edhe e kërkesave më minimale morale. Barazia gjinore, transparenca e financave, etj, janë veç heqje vëmendje dhe dashakeqësi të këtij Komisioni nga thelbi dhe problemet kryesore që ka sjelle Sistemi zgjedhor aktual, ndaj është urgjent shndërrimi i këtij Kodi në një mishërim të demokratizimit të vullnetit të qytetarëve të Republikës.