Pritshmëria e madhe e shqiptarëve për të goditur korrupsionin dhe krimin në të gjitha nivelet, angazhimi historik i SHBA-BE si dhe kompetencat e ‘frikshme’ të parashikuara në Kushtetutë, ka bërë që Prokuroria e Prokuroria e Posaçme të marrë vëmendje maksimale, duke kaluar në plan të dytë Prokurorinë e Përgjithshme. Në këtë kontekst, kreu u Prokurorisë së Posaçme ose SPAK-ut, pritet të shndërrohet në njeriun më të rëndësishëm të drejtësisë së re. Në ditën e fundit të afatit, për drejtimin e SPAK-ut ka shprehur interesin prokurori i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja, ndërsa nuk përjashtohet kandidimi i Altin Dumanit dhe Edvin Kondillit.
-Si zgjidhet kreu i SPAK-ut? Mandati
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, sipas me nenin 148/dh, pika 3, të Kushtetutës, emërohet me shumicë votash nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Mandati i kreu të SPAK-ut është tre vjet dhe nuk ka të drejtë që të rizgjidhet për një mandat të dytë. KLP bën vlerësimin dhe listimin e kandidatëve për drejtimin e SPAK-ut brenda 45 ditëve. Në këtë rast, KLP ndjek procedurat dhe rregullat e ndjekura për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.
-Cilat janë kompetencat e kreu të SPAK?
Kreu u SPAK është më shumë një administrator i institucionit dhe nuk ka asgjë në dorë të ndikojë mbi dosjet. Ai nuk mund t’i japë udhëzime një prokurori për hetimet. Kjo është e ndaluar me ligj. Por, kreu i SPAK-ut u cakton çështjet prokurorëve të posaçëm bazuar në specializimin e tyre, koordinon punën e agjencitë dhe institucionet e tjera, paraqet buxhetin për SPAK-un dhe Byronë e Hetimit në Kuvend, paraqet në KLP raportin vjetor të punës së SPAK-ut, thërret në mbledhje prokurorët e posaçëm, nxjerrë vetëm udhëzime të përgjithshme pa ndërhyrë në hetime për SPAK-un dhe Byronë e Hetimit si dhe miraton rregulloret e firmosura nga drejtori i Byrosë së Hetimit. Gjithashtu, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i jep ‘ok’ kreu të Byrosë për emërimin e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Edhe gjatë mbledhjeve të SPAK-ut, kryeprokurori ka të drejtë vetëm të japë mendime dhe të diskutojë. Kreu i SPAK-ut jep mendime për rregulloren e brendshme administrative të organizimit të SPAK, lidhur me përshkrimet e punës të të gjitha kategorive të nëpunësve civilë, për ngritjen e komisioneve të brendshme sipas nevojës, mbi projektbuxhetin si dhe diskuton çdo çështje tjetër me rëndësi për veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme.
-Sa i shtohet paga? Mbrojtja
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme përfiton sipas ligjit 10 për qind shtesë page mbi pagën bruto fillestare të tij. Gjithashtu, kreu të SPAK-ut dhe familjes së tij do t’u sigurohen mbrojtje e veçantë nga shteti për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre. Kreut të SPAK-ut, nëse e kërkon, do t’i sigurohet mbrojtje e veçantë nga shtetit edhe pasi të dalë në pension, pikërisht për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit. Një mbrojtje e tillë u ofrohet edhe prokurorëve dhe gjyqtarëve të tjerë, por për drejtuesit do të ketë një vëmendje të shtuar.