Në fund të majit 2017, kryedemokrati Lulzim Basha e nisi çeljen e fushatës elektorale me këto fjalë: “Mbrëmë unë dorëzova listën fituese të Republikës së Re në KQZ. Siç e thashë, kam marrë vendime të vështira por jo të papritura. Këtu në këtë shesh pamë se ndryshimi duhet të fillojë nga vetja jonë, nga shtëpia jonë dhe kështu kemi bërë duke sjellë në këtë bashkim përfaqësuesit më të spikatur të shpresave, më të denjë të komuniteteve të ndryshme. Sepse mbi të gjitha Republika e Re është dhe do të jetë republika e vlerave. Vendimet që kam marrë mbrëmë padyshim i kanë ngritur pritshmëritë e çdo shqiptari. Çfarë i shtyu këto zonja e zotërinj t’i bashkohen projektit tonë të madh që themeluam bashkë në këtë shesh? Ça ka vendosur kështu Lulzim Basha? Po po, kjo është Republika e Re”.
Mjafton ky pasazh i shkëputur nga fjalimi i tij për t’i vënë kapak përgjegjësisë dhe cilësisë së listave të Partisë Demokratike. Nga i pari në listë e deri tek i fundit janë të barazvlefshëm me njëri- tjetrin, prandaj është hipokrizi ta ndash listën në dy nivele: cilësore nga mesi e lart dhe e dobët nga mesi e poshtë. Ata janë paraqitur si një trupë e vetme që, ashtu siç thotë edhe kryetari i tyre, janë “përfaqësuesit më të spikatur të shpresave, më të denjë të komuniteteve të ndryshme”.
U detyrova të kthehem në retrospektivë tashmë që PD-ja ka ndërmarrë aksionin jo vetëm sprastrues prej radhëve të saj të të ashtuquajturve “tradhëtarë”, por edhe linçimit publik të kandidatëve që i kanë zgjedhur po vet, si të shitur tek kryeministri Rama. Nëse Lulzim Basha nuk i del për zot listës së vet, atëherë dy rrugë ka: ose atë natë që ka përpiluar listat ka qenë përgjumësh, ose ka mashtruar opinionin publik kur i paraqiti kandidatët si të spikatur e të denjë.
Gjithsesi, skenari i tij se djegia e mandateve nga PD e LSI do e linte Kuvendin vetëm me përfaqësuesit e mazhorancës së majtë, nuk po rezulton i saktë. Përveç dy deputetëve ekzistues të PD-së që refuzuan dorëzimin, duket se vendet bosh po mbushen me ritëm të lartë nga pjesa e listës nga mesi e poshtë, po aq të spikatur e po aq të denjë sa lista nga mesi e lart.
Për dy deputetët që refuzuan vendimin politik të Lulzim Bashës, Myslim Murrizi e Rudina Hajdari, u morr masa ndëshkuese e përjashtimit nga PD-ja. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, pa hyrë në terma diversioni politik, në këtë rast, pavarësisht se vendimmarrja e Lulzim Bashës për dorëzimin e mandateve është një akt mirëfilli vetëvrasës për partinë e tij, përjashtimi i atyre të dyve është një vendim i drejtë ndonëse përngjan me konotacion prej së shkuarës komuniste.
T’i mbaje ata si përfaqësues të PD-së apo sikur s’kishte ndodhur gjë, do të thotë që për Lulzim Bashën të hapej një front lufte me ata që iu bindën vendimit të tij. Standardi i dyfishtë në këtë rast do të ishte një goditje të cilën kryetari Basha nuk mund ta përballonte dot sepse krijonte premisat për krisje të fortë në radhët e PD-së.
Në këto kushte, dy deputetët që ndërmorën atë akt të guximshëm politik në kundërshti me vullnetin e kryetarit të partisë, duhet të kuptojnë se tashmë nuk përfaqësojnë më PD-në. Kjo, jo thjesht se tashmë janë të përjashtuar. Ata duhet të përpiqen tash e tutje që së bashku me të tjerët që kanë pranuar mandatet të faktorizohen si një projekt i ri politik brenda institucionit të Kuvendit.
Duke qenë të përjashtuar nga PD, duke mos u njohur prej saj si përfaqësues politik, të vijosh ta përdorësh siglën e PD-së për t’u identifikuar në Kuvend, nuk më duket produktive. Një karshillëk i tillë do konsiderohej si karagjozllëk politik prej opinionit publik, çka do ua ulte shumë autoritetin në aspektin elektoral.
Ai grupim i ri opozitar, pasi të kompletohet, ka nevojë për organizim pasi aktualisht përfaqësojnë veç vetveten në aspektin politik. Ata duhet të identifikojnë personazhin kryesor i cili duhet të marrë përgjegjësinë e liderit, qoftë ky brenda apo jashtë Kuvendit. Nëse secili prej tyre merr rol protagonisti pa pasur një qendër graviteti, pra sekush për hesap të vet, atëherë do e kenë shumë të vështirë për të krijuar një frymë popullore që t’i mbështesë.
Periudha 30 mujore deri në zgjedhjet e ardhshme është një kohë jo e pakët që ata të nxjerrin në pah vlerat më të mira të parlamentarizmit opozitar, pa e pasur mendjen pas, tek partia e dikurshme PD. Sa më shumë të jenë të dyzuar në qëndrimet e tyre duke pretenduar se përfaqësojnë PD-në, jo vetëm që humbasin kot një kohë shumë të çmuar, por edhe përçojnë në elektorat perceptimin se ata nuk janë të aftë t’i dalin për zot një alternative të re ndaras prej PD-së.
Partia Demokratike e sotme ka fytyrën në dritë të Lulzim Bashës e atë në hije të Sali Berishës. Nga pas u vijnë individë të dhunshëm, sherrxhinj, paranojakë, të frustruar, dembelë, mashtrues, shantazhues; për të vijuar me ish-komunistë e antikomunistë, me ish-sigurimsa e ish të përndjekur; e më tej tek ajo kastë ish-pushtetarësh e ish-zyrtarësh që do jetë subjekt i drejtësisë së re. Si të tillë, ky nukël i ri opozitar në Kuvend nuk duhet të pretendojë që është edhe përfaqësues i tyre.
Nuk është nevoja t’u shpallin luftë. Thjesht të ndjekin agjendën e tyre në Kuvend, të fokusohen tek një projekt reformues e transformues për shpirtin opozitar e të mos kompleksohen për çfarëdolloj sulmi linçues që mund t’ju vijë nga ish-partia e tyre.
Në kushtet ku tashmë gjithkush është në vendin e vet, PD-ja jashtë sistemit, kurse grupimi i ri opozitar në Kuvend, këta të fundit kanë shansin e artë që me alternativat e tyre konstruktive e me frymë perëndimore të dinë si të përthithin pas vetes të pakënaqur të tjerë të Lulzim Bashës, në PD e jashtë saj, të cilët në vijim do të shtohen dita- ditës. Jo vetëm kaq, por ata duhet të synojnë edhe atë elektorat të djathtë i cili aktualisht nuk ndjehet i përfaqësuar nga PD-ja. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë, aq më i suksesshëm e me perspektivë do të jetë projekti i tyre politik. Përndryshe… (TemA)
KETA DY NE FOTO VENDIN E KANE NE BURG.
Përgjigju