Lihet në fuqi vendimi i GJKKO për pushimin e hetimit për Ardian Dvoranin, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Ilir Metës

16 Shtator 2022, 10:04| Përditesimi: 16 Shtator 2022, 10:22

  • Share

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Ilir Metës për ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Kështu pas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë mbetet në fuqi vendimi i GJKKO për pushimin e hetimeve. Kujtojmë se gati një vit më parë ka qenë Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit që ka rrëzuar kallëzimin e Presidentit të atëhershëm të Republikës për ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.  Gjykata ka pranuar kërkesën e SPAK, i cili pas hetimeve që zhvilloi kërkoi pushim akuze e mbyllje të çështjes.  Vetë Ardian Dvorani e komentoi këtë vendim duke thënë se koha e gjyqeve publike ka mbaruar.

Në shkurt të vitit 2019 Presidenti Ilir Meta firmosi kallëzimin penal kundër kryetarit të atëhershëm të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, pasi e akuzonte për "shpërdorim detyre" dhe "përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore".

Presidenti Ilir Meta e ka akuzuar Dvoranin si ushtar të partisë, sulme që nisën gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti dhe Parlamenti në bazë të listave me kandidatë të radhitur përmes një sistemi pikëzimi nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Krizë që ka çuar në zgjedhjen e dy gjyqtareve Kushtetuese për të njëjtin pozicion të lirë.

Presidenti e kallëzoi në tre prokurori kreun e KED-së për procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Meta thoshte se Dvorani qëllimisht dërgoi në të njëjtin ditë tek presidenti dhe Kuvendi dy lista njëherazi për dy vakanca, ndërkohë që Kushtetuta thotë se duhet ndjekur radha e zgjedhjes së anëtarëve, President-Kuvend-Gjykatë e Lartë. Meta thotë se kjo u bë qëllimisht nga kreu i KED, duke "detyruar" presidentin të mos respektojë afatin 30 ditor. Presidenti thotë se Dvorani ka shpërdoruar detyrën duke marrë një vendim individual duke zgjedhur automatikisht Arta Vorpsin, vendim që e publikoi vendimin në Fletoren Zyrtare.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?