Kreu i PD Lulzim Basha

Opinion

Gjuha e Lulzim Bashës, si tregues i papjekurisë së tij politike

2 Qershor 2021, 16:38| Përditesimi: 2 Qershor 2021, 16:40

  • Share

 “Nuk do të ketë bashkëpunim me kryeministrin Rama; Dora e shtrirë për bashkëpunim pasi ke vjedhur zgjedhjet, do të thotë të bëhesh ortak në vjedhje; Mos festimi i fitores është një tregues se Rama e di që i ka vjedhur zgjedhjet, ndaj nuk i qesh buza; Dora e shtrirë nga kryeministri si dhe ofrimi prej tij i një letre të bardhë tregojnë jo thjesht tmerr dhe ankth, po dhe analfabetizëm politik nga Rama”.

Të gjitha çka citova më lart janë nxjerrë nga goja e Lulzim Bashës gjatë turit të tij elektoral për zgjedhjet partiake të 13 qershorit. Këto deklarata mund t’i bëjë një politikan populist i partive të vogla që dëshiron të faktorizohet, po kurrsesi lideri i partisë më të madhe të opozitës, vetë lideri i opozitës, pretenduesi për postin e kryeministrit.

Duhet të shpresojmë që Lulzim Basha ta ketë këtë gjuhë vetëm retorikë fushate sa për të marrë votat e militantëve të PD-së dhe jo projekt afatgjatë. Nëse është i ndërgjegjshëm për këtë gjuhë të vrazhdë që përdor, atëherë duhet të themi shyqyr Zotit që ai dështoi më 25 prill dhe nuk iu dha mundësia për të qeverisur Shqipërinë.

Kur je lider i opozitës, duhet të sillesh njëkohësisht si një kryeministër në hije. Kjo do të thotë që me sjelljet dhe qëndrimet që mban në publik, të krijosh fizionominë e kryeministrit edhe pse juridikisht nuk e ke atë funksion.

Le të marrim një rast hipotetik sikur Lulzim Basha të kishte fituar zgjedhjet dhe të bëhej kryeministër. Çfarë duhet të mendoj sot qytetari i kësaj republike për “kryeministrin” Basha kur dëgjon gjuhën e tij përjashtuese? A do t’i ofronte “kryeministri” Basha bashkëpunim “opozitës” socialiste? A do t’i dërgonte ai një letër të bardhë liderit të opozitës? Duke njohur karakterin e Lulzim Bashës dhe sjelljet e tij gjatë gjithë karrierës politike nga viti 2005 e deri më sot, vështirë se do e bënte.

Po nëse “opozita” socialiste do t’i përgjigjej “kryeministrit” Basha me  të njëjtën gjuhë përjashtuese, refuzuese dhe akuzuese, çfarë do të bënte ai? Do të tregohej i duruar dhe do të përsëriste pa pushim ftesën ndaj saj, apo do t’ia priste shkurt duke ndërprerë çdo urë bashkëpunimi?!

Lulzim Basha po merr rol ekstrem në fushatën e tij në bazë, por t’u dhënë të kuptojnë demokratëve se ai po i qëndron ballas Edi Ramës, në ndryshim nga kundërshtarët në garë që demek po çojnë ujë tek mulliri i tij.

Është shqetësues ky mentalitet i shprehur nga Lulzim Basha dhe tregues i papjekurisë së tij politike. Një politikan që pretendon se është formuar me kulturë perëndimore, nuk mund të ketë qasje të tilla politike dhe as t’i bëjë pjesë të propagandës së tij.

Pretendenti për kryeministër duhet ta shtrojë vetë rrugën e bashkëpunimit institucional me mazhorancën qyshkur është në opozitë, me qëllim që kur të vijë në pushtet ta ketë shembullin personal në rast se opozita refuzon bashkëpunimin.

Lulzim Basha të mos shpresojë se mungesa e vullnetit për bashkëpunim me kryeministrin Rama dhe mazhorancën socialiste, dëmton këta ta fundit. Këta do dëmtoheshin politikisht vetëm në rast se do ishin ata që do refuzonin bashkëpunimin me opozitën. Sa kohë që topi është në fushën e Lulzim Bashës, “golat” politikë do t’i hajë ai. Siç është mësuar t’i “hajë” përgjatë këtyre 8 viteve me sukses të plotë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?