TIRANË- Për herë të parë që nga rifunksionimi, Gjykata e Lartë ka nisur të ulë numrin e dosjes stok që presin shqyrtohen prej vitesh. Gjatë vitit 2021, numri i dosjeve të shqyrtuara është më i ulët se sa numri i çështjeve të reja që janë depozituar në Gjykatën e Lartë. Gjatë vitit 2021, janë shqyrtuar 3325 çështje civile, penale dhe administrative, ndërsa numri çështjeve të reja për vitin 2021 ishte 2 859. Deri në fund të vitit 2021, numri i dosjeve stok që presin për t’u shqyrtuar në Gjykatën e Lartë ishte rreth 36 mijë, 1% më i ulët se në fillim të vitit.
Bilanci reflektohet në raportin vjetor të Këshillit të Lartë Gjyqësor për funksionimin e gjykatave gjatë vitit 2021. Meqenëse Gjykata e Lartë ka funksionuar me 7 anëtarë në vitin 2021 nga 19 që duhet të kishte, çdo gjyqtar ka gjykuar rreth 460 çështje.
“Megjithatë, përmirësimi i treguesve të efiçencës nuk është në vlerat e nevojshme për zgjidhjen e ngërçit, të krijuar nga backlog-u (stoku) i trashëguar ndër vite. Në pritje të gjykimit për vitin 2022 mbeten ende 35 822 çështje, për likuidimin total të të cilave, me normën e efiçencës së vitit 2021 (453.6 çështje për gjyqtar) do të duheshin 4.2 vjet pune me organikë të plotë (19 gjyqtarë) të dedikuar vetëm në likuidimin e backlog-ut (stokut)”, thuhet në raport.
Ndërkaq, sipas raportit, gjykatat e apelit me juridiksion të përgjithshëm kanë punuar me 29 gjyqtarë nga 78 të përcaktuar në organikë. Si rrjedhojë, në gjykatat e apelit, numri i dosjeve stok është rritur me 24 %. Në fund të vitit 2021, numri i dosjeve që presin të shqyrtohen në gjykatat e apelit ishte 28 144 çështje, ndërsa në fillim të vitit ishin 22 702 çështje. Për shkak të shkarkimit të gjyqtarëve nga Vetingut dhe rritjes në detyrë të disa gjyqtarëve të tjerë, ngarkesa në gjykatat e apelit duket tejet serioze.