Presidenti Ilir Meta

Opinion

Gjylja e madhe plasi

23 Nëntor 2021, 13:19| Përditesimi: 23 Nëntor 2021, 13:21

  • Share

Pas takimeve, buzëqeshjeve, romuzeve, shakave, aleancave, afrimeve dhe largimeve,  dhe shumë gjërave të tjera, paskan qenë fshehur skandale politikanësh. Foltorja, duket se nxorri nga “sënduku” xhevahire të cilat edhe pse i ka deklaruar nën përgjegjësinë e tij Ilir Meta, ato duhen besuar.Paska patur takime sekrete, lutje, përgjërime, pastaj shtyrje date për zgjedhjet. Paska patur zhvillime të paimagjinueshme për kurreshtjen e shqiptarëve, veçanarisht të demokratëve, të cilët edhe pse nuk kanë besuar kurrë tek morali politikës, nuk kishin për ta menduar se, kryetari  “zemërluan” i opozitës i qenka ulur në gjunjë Metës, duke ju lutur “aman shty zgjedhjet se më gjeti belaja”. Ilir Meta tha se “në ditët në vijim, do të nxjerr fakte të tjera mbi kreun e opozitës aktuale”. Kjo e bën edhe më skandaloze situatën në të cilën gjendet jo vetëm Basha, por edhe një pjesë e mirë e politikës 30 vjeçare të tranzicionit. “Gjylja e madhe plasi”. Ilir Meta nuk ka çfarë të humbë pas gjithë asaj morie akuzash,që dëgjoi publikisht nga “i trimëruari” Basha.Ndoshta tani, është momenti të dalin mbi tavolinë gjithë bëmat  dhe allishverishet e krerëve të një opozite, e cila kurrë nuk ka qenë e sinqertë me mbështetësit e saj.

Bojkoti Parlamentit, djegia e mandateve, mosfutja në zgjedhje, pabesia ndaj amerikanëve  dhe europianëve, kur ata rekomandonin të kundërtën për Bashën,çoroditja e partisë nga mungesa e programit, transparencës, bashkëpunimit, dhe ribashkimit të atyre që i dolën kundër, janë disa prej  arsyeve pse Basha nuk duhet të vazhdojë të jetë më kryetar i Partisë Demokratike. Akuzat dhe deklaratat e Metës, janë pritur “ftohtë” nga selia e Bashës, duke u mjaftuar vetëm me një status në rrjetet sociale “demokratët i njohin bëmat e tij”. Asgjë nuk u sqarua mbi “përgjërimin, uljen në gjunjë, lutjet dhe lotët e Lulzimit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve”.

Asgjë nuk u tha mbi  vërtetësinë ose pavërtetësinë e atyre që deklaroi Meta, por thjesht heshtën. Lulzim Basha ka shumë për ti thënë demokratëve, ka shumë për ti thënë edhe shqiptarëve, dhe gabon kur fshihet, kur hesht, dhe kur bën hasha, ato që kanë ndodhur për interesin e tij, dhe jo të opozitës. Logjika e tij e brishtë, mjaftohet tek “vula e partisë”, kurse vizioni i tij ndalet vetëm tek karrigia e kryetarit. Një njeri që i thotë vehtes “politikan” dhe vepron sikur të ishte çun lagje edhe me të ardhmen e partisë, natyrisht nuk është asgjë. Nga sot e tutje, Basha duhet të përballet me Metën “sy nër sy”, dhe të sqarojë partinë, duke nisur nga kryesia dhe Kuvendi Kombëtar dhe duke përfunduar tek baza e saj, mbi të gjithë  veprimet antistatutore që ka kryer përgjatë kësaj periudhe.Nuk mund të fshihet pas Gazit dhe Gridës, një njeri që ka mbi “kurriz” damkën e mashtruesit dhe hipokritit, edhe kur akuzohet dhe bëhet fjalë për shkelje dhe përdhosje  flagrante  të Statutit të Partisë Demokratike. Duke e trajtuar si pronë partinë, ai veçse po shpejton largimin  nga posti i kryetarit me votën e shumicës, ndërsa “ndjesa dhe sqarimi” mbi çdo gjë ka ndodhur, është detyrim moral e tij para çdo demokrati.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?