Dje në një komision parlamentar të medias është diskutuar projektligji i propozuar nga qeveria për shembjen e Teatrit Kombëtar. Opozita ka thirrur në diskutim ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka mbrojtur projektin për ngritjen e Teatrit të Ri Kombëtar, që do të ngrihet pasi të shembet teatri ekzistues.
Mes deputetëve të PD-së, LSI-së dhe ministres Mirela Kumbaro janë zhvilluar debate shumë të ashpra. Ministrja Kumbaro deklaroi se:
Ky projekt ligj ka si qëllim përcaktimin e një procedure të veçantë për negocimin e nëse negociata arrihet me sukses do të kemi dhe lidhjen e kontratës për projektimin dhe zbatimin e projektit për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe realizimin e projektit për zhvillimin e një zone urbane në qytetin e Tiranës me partnerë privat. Ky propozim synon që të merret më e mira e bashkëpunimit ndërmjet pronarëve shtetëror dhe privat duke maksimizuar vlerën e asetit publik ,duke optimizuar vlerën e zhvillimit në qendër të Tiranës dhe nevojën emergjente publike për teatër dhe shërbime të tjera dinjitoze.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro
Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi ka replikuar me Kumbaron duke akuzuar qeverinë për projektligjin për Teatrin.
Zonja ministre po iu bëj thirrje tërhiqni projektligjin, për hir të asaj karrikeje. Jeni akoma në kohë për e të shpëtuar dinjitetin tuaj.Tërhiquni! Po vjedh pronën publike në mes të Tiranës.
Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi
Nuk është hera e parë që Vokshi dhe Kumbaro bëjnë debat me tone të ashpra dhe pa nxjerrë asnjëherë një konkluzion të përbashkët në komisionet e medias. E vetmja gjë e qartë është skajshmëria e qëndrimit rreth temës. Ministrja Kumbaro mbështet projektligjin për Teatrin e ri Kombëtar, deputetja Vokshi e kundërshton.
Godina e Teatrit Kombëtar 10 vjet në udhëkryqin e debateve
Kundërshtimet dhe debatet që Godina e Teatrit Kombëtar të mos prishet kanë nisur përpara 10 vjetësh kur u hodh ideja e parë e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar që në vend të tij të ngrihej një ri. Një grup artistësh e regjisorësh që shprehnin nostalgjinë për godinën ekzistuese të Teatrit Kombëtar kanë kundështuar me forcë shembjen e godinës. Protestat u përsëritën menjëherë pasi u shpall projekti i Teatrit të ri Kombëtar nga Kryeministri Edi Rama më muajin mars të këtij viti. Mes tyre ka spikatur aktori i mirënjohur Robert Ndrenika, por edhe të tjerë si Bujar Asqeriu, Arben Derhemi, Gentian Zenelaj, Laert Vasili, Mirush Kabashi, etj.
Në protestat e këtij viti që nisën në muajin mars, ku qeveria Rama deklaroi projektin e ri të Teatrit Kombëtar, Ndrenika kërkoi transparencë për projektin që parashikohet të zbatohet nga Ministria e Kulturës për ndërtimin e teatrit të ri. Njëkohësisht me debatet për Teatrin, disa prej këtyre artistëve janë shprehur kundër edhe ndaj amendimeve që po i bëhen ligjit për artin dhe kulturën. Ata janë shprehur kundër, sepse kjo nismë ligjore e përqendron pushtetin e vendimmarrjes në duart e Ministrit të Kulturës. Projektligji u miratua pasi u shtrua për diskutim në takime mes Ministrisë së Kulturës. Takime me artistët e grupe të tjera interesi. Të gjitha debatet dhe protestat, shpeshherë me tone të ndezura vijuan tre muaj rresht dhe sollën një ndryshim në qëndrimin e artistëve, ku shumica e atyre që kanë kundërshtuar aktualisht shprehen njëri pas tjetrit se Godina e re e Teatrit Kombëtar është e nevojshme. Ka pasur debate pse ndryshoi qëndrimin e tij Robert Ndrenika e Arben Derhemi, por tashmë emrat e njohur që janë pro Teatrit të Ri Kombëtar, po bëhen shumicë….
Bruno Shllaku: Teatri i Ri i domosdoshëm, ky që kemi stallë kuajsh
Bruno Shllaku, një nga aktorët më të rëndësishëm të skenës shqiptare është shprehu se Teatri i ri Kombëtar duhet të fillojë të ndërtohet një orë e më parë dhe se ndërtimi i tij është puna më e mirë që po bën qeveria dhe Bashkia e Tiranës. Sipas aktorit të njohur shkodran, teatri ekzistues u ndërtua nga Italia fashiste si kapanon ushtarësh dhe vetëm një godinë e re, bashkëkohore, do t’i japë vlerë Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.
Përsa i përket çështjes së Teatrit, më vjen keq se shumë nuk e dinë që është një godinë që i përket një stalle kuajsh, që Italia fashiste e ndërtoi për kapanon truprojesh. Ajo vërtetë që ka vlera, por do të marrë vlera më të mëdha kur të bëhet një godinë e re, bashkëkohore që t’i përkasë Teatrit të Tiranës, i cili shumë shpejt do të jetë në bashkëbrinj me qytete të mëdha të Europës. Reliket, figurat, objektet e suveniret e atij teatri, do të jenë në një seli të shenjtë si Teatri i Ri modern, që jam i bindur se do të ndërtohet.
Aktori Bruno Shllaku
Aktualisht, aktori Bruno Shllaku është angazhuar në një produksion të Hollivudit dhe një film mbi Hebrenjtë që do të xhirohet në Poloni
Puna më mirë që bën ndonjëherë qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës. Më vjen mirë që gjithmonë gjërat e mira vazhdojnë sipas traditës klasike, të lindin me vështirësi. Kam parasysh për analogji momentin e parkut të Liqenit, kur u vërsulën i madh e i vogël me drurë e me shkopinj dhe mjete rrethanore për ta ndaluar të bëhej, dhe po ato njerëz vijnë dhe gjejnë qetësi dhe kënaqen ndoshta - ndoshta edhe mburren në heshtje. Përsa i përket çështjes së Teatrit, më vjen keq se shumë nuk e dinë që është një godinë që i përket një stalle kuajsh, që Italia fashiste e ndërtoi për kapanon truprojesh. Ajo vërtetë që ka vlera, por do të marrë vlera më të mëdha kur të bëhet një godinë e re, bashkëkohore që t’i përkasë Teatrit të Tiranës, i cili shumë shpejt do të jetë në bashkëbrinj me qytete të mëdha të Europës. Reliket, figurat, objektet e suveniret e atij teatri, do të jenë në një seli të shenjtë si Teatri i Ri modern, që jam i bindur se do të ndërtohet. Mos kujtojë ndokush se unë që nuk them teatri im, nuk e them sepse kam frikë. E them Teatri Im se ai është teatri ku unë kam dhënë shfaqje të ndryshme me shumë sukses, në atë skenë legjendare. Jam dakord që Teatri i Ri të fillojë punën një orë e më parë dhe madje kam besim absolut te arkitekti që do vëjë dorë në teatër. Më në fund ashtu siç kemi kishat dhe xhamitë, po ashtu edhe Teatri Kombëtar, duke e marrë si fe të shqiptarëve artin dramatik, le të ketë rëndësinë e vetë absolute mbi qytetarët dhe për qytetarët.
Aktori Bruno Shllaku
Enver Petrovci: Për mua është budallallëk mos me u ndërtu një Teatër i Ri
Regjisori dhe aktori i njohur kosovar, Enver Petrovci thotë se ndërtimi i një Teatri të ri Kombëtar është i domosdoshëm sepse ekzistuesi nuk ka kurrfarë vlere arkitektonike. Petrovci shton se nuk e kupton pse bëhet një debat i tillë dhe se të kundërshtosh ndërtimin e një teatri është budallallëk.
Për mua është budallallëk mos me u ndërtu një teatër i ri. Mendoj se duhet ndërtuar sepse çdo teatër vlen për një komb, sidomos teatri kombëtar. Jam kundër që toka t’i falet dikujt, mirëpo të ndërtohet teatri i ri absolutisht që është një budallallëk me e kundërshtu. Ai teatër që ekziston nuk ka kurrfarë vlere arkitektonike.”, thotë Enver Petrovci, aktor dhe regjisor nga Kosova.
Regjisori kosovar Enver Petrovci
Pas tre muajsh, artistët largohen nga protesta, PD-ja merr drejtimin
Gjatë këtyre ditëve, ndërkohë që lista e artistëve pro teatrit të ri po zgjerohet, numri i artistëve që vazhdojnë protestën kundër shembjes së godinës po zvogëlohet. Vendin e kryesimit të artistëve në protestë ka nisur ta zërë Partia Demokratike. Tashmë protesta që dikur u nis si një protestë kundër teatrit të ri kombëtar nga artistët, po kryesohet nga PD-ja. Drejtuesit të PD-së janë shfaqur edhe zyrtarisht në publik, duke marrë drejtimin e protestës kundër ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar. PD ka dalë hapur, me një konferencë shtypi të Albana Vokshit duke ia dhënë kësja partie autorësinë e gjithë protestës. Në një deklaratë për mediat, para teatrit Kombëtar, Albana Vokshi u ka bërë thirrje të gjithë deputeteve të PD por edhe të PS, për të firmosur peticionin për t’i kërkuar Presidentit Ilir Meta që të ktheje ligjin për Teatrin.
Ardhja e dy deputeteve të PD për të firmosur këtë peticion, tregon se PD është seriozisht e angazhuar për të ndalur këtë akt kriminal, duke përdorur çdo formë. Ramës nuk i intereson as arti as kultura, çdo gjë ka të bëjë më kullëzim dhe asgjë lidhur me teatrin. Ne si PD i bëjmë thirrje Presidentit Meta që të mos i hapë rrugë këtij akti antikushtetues që grabit shqiptarët dhe pasuron Ramën dhe sekserin e tij Veliajn, për tu pasuar më tej me lekët e krimit dhe drogës. Kapja e 3.4 milion eurove, me garant, Ballën e vërteton këtë. Unë këtu jam për t’u bërë thirrje edhe deputeteve të tjerë të vijnë dhe ta firmosin me dëshirën e tyre, por u bëj thirrje edhe deputeteve të PS.Rama do të ngrejë kulla për të pastruar paratë e drogës.
Deputetja e PD, Albana Vokshi