Gratë e PD ‘skaner’ që nga koha kur lanë mandatet: Nuk pendohemi! Nuk mund të 'flijoheshim' për teatrin! Rama nuk u tregua burrë për marrëveshjen

13 Gusht 2020, 17:40| Përditesimi: 14 Gusht 2020, 09:47

  • Share

19 muaj më parë lanë mandatet! Përpos kritikave të shumta, ky akt i paprecedentë, i dënuar edhe nga ndërkombëtarët, e futi Partinë Demokratike në një rrugë pa krye, nga e cila po përpiqet të dalë duke imponuar rregulla loje. 

Kur po vendos kushte për tu rifutur në botën me rregulla të politikës shqiptare dhe për të rimarrë rolin si opozita legjitime në vend,kjo forcë politike ka nisur së pari riformatimin e vetvetes, të paktën në dukje.

Në këndvështrimin e grave të kryesisë së partisë opozitare më të madhe në vend, muajt jashtë parlamentit ishin të vështirë. Gati gati... shfaqen edhe rreshta pendese në bisedat me to.

Ne ishim një opozitë që zgjodhëm të ishim pranë shqiptarëve, qytetarëve, zgjodhëm të mos ishim pjesë e fasadës së një qeverie të skandaleve, nuk ka rëndësi një mandat për të qenë pranë shqiptarëve, ne zgjodhëm të ishim pjesë e komunikimit dhe kjo ishte zgjidhja e duhur”, thotë Dhurata Çupi.

Nuk mund të ishim në atë parlament thjesht si rrogëtarë e të ngrinim kartonin kur votat e fjala jonë nuk dëgjohej e nuk merrej parasysh”, shprehet Oriola Pampuri.

Ndonëse jo pjesë e Parlamentit, lënien e mandateve e kujton edhe zëdhënësja e PD, Ina Zhupa: "Ishte një vendim jo pak i vështirë, për shkak se ndodhte për herë të parë, jo vetëm në Shqipëri, por as në Europë. Dhe vinte si rezultat i një  gjendje të paprecedentë që nuk ishte parë as në Shqipëri e as në Europë."

Nuk gjykojnë asnjë emër që i zëvendësoi në karriget e parlamentit, por nuk fshehin dot rezervat për kolegët e renditur më psohtë në listën e partisë.

Nga ana tjetër ky veprim solli deligjitimin e këtij parlamenti, për ta katandisur aty ku është sot. Ai nuk është sot thjesht parlamenti që ka njerëz të pashkolluar, disa njerëz që nuk dinë të artikulohen, që nuk kanë eksperiencë, por është edhe jolegjitim, për shkak të numrit, por edhe për shkak se ata njerëz atje, nuk janë të zgjedhurit e qytetarëve”, thotë zëdhënësja e PD.

Deputeti është përfaqësuesi i qytetarëve dhe lidhjen e ka me qytetarët. Në momentin që ti e humb këtë lidhje, ti shndërrohesh në një shtojcë të mazhorancës, siç janë shndërruar këta (i referohet deputetëve të opozitës së re). Në momentin që nuk ndjek linjën e Partisë, ti nuk përfaqëson më partinë tënde por veten tënde”, shprehet Pampuri.  

Lënia e mandateve, u shoqërua nga Protesta të njëpasnjëshme të Partisë Demokratike. Sot, e kujtojnë më me gjakftohtësi veprimin politik që nxiti përplasje para parlamentit dhe në shesh. Forcën për këto protesta, nuk e shohin te lidershipi i Partisë Demokratike e opozitës, por te gratë, që u vunë në në ballë të manifestimeve.

"Ka patur në protestë të rinj, të reja, gra, burra, intelektualë, shoqëri civile, qytetarë të pavarur politikisht që kanë mbushur sheshet ndaj skandaleve të kësaj shoqërie, ndaj varfërisë, korrupsionit në rritje, ndaj politikës së keqe të kësaj qeverie, gruaja është pjesa bazë e familjes dhe ka qenë pjesa e shëndoshë e këtyre protestave”, shprehet Dhurata Çupi

Ka qenë shumë e vështirë, viti që kishim protestat më të thella, që u shoqëruan me hedhjen e gazit lotsjellës. Unë kam qenë shtatzënë, dhe atje kishte shumë gra edhe për të treguar që protesta nuk kishte qëllim dhunën, nuk ishte ngritur për të rrëzuar institucionet me dhunë, nuk ka qenë kurrë qëllimi jonë, qëllimi jonë ishte të tregonim kërkesat legjitime të qytetarëve”, kujton Ina Zhupa

Kurse ish deputetja Orjola Pampuri thotë: “Jemi përballur duke filluar që me policinë, ka patur përballje, kemi qenë një opozitë do thoja e fortë.

Detyra e opozitës, në sytë e grave demokrate qëndron te denoncimet, e këtë thonë se e kanë bërë më së miri.

I vetmi që në këto 18 muaj, i bashkoi me mazhorancën, në këndvështrimin e demokrateve të kryesisë blu, ishte tërmeti i 26 Nëntorit. Të bëra njësh me fatkeqësinë natyrore që mori 51 jetë njerëz, ish deputetet e Partisë Demokratike tregojnë se nuk e kanë kursyer kontributin e tyre.

Në raste fatkeqësie, njerëzit kanë tendencë të bashkohen. Ajo cfarë ofruam ne si opozitë ishte alternativa jonë, bashkëpunimi jonë. Ajo që u pa ishte një qasje bashkëpunuese e opozitës dhe nga ana tjetër një neglizhencë totale e qeverisë. Tërmeti qëlloi në muaj të vështirë, në muajt e dimrit ku pamjet e shqiptarëve të lënë në çadra trishtuan sytë e cilitdo që i pa e nga ana tjetër trishtuese ishin edhe jetët njerëzore të humbura. Zgjidhja nuk ishte krijimi i një ministrie  shtesë. Për mendimin tim, krijimi i kësaj ministrie ishte një hallkë burokratike që u ngrit për të abuzuar me fondet dhe me ndihmat. Mos harrojmë që kemi patur një ndihmë të jashtëzakonshme të ndërkombëtarëve të cilët na ofruan miliona euro për të dalë nga gjendja që krijoi tërmeti. Sot që flasim kemi mijëra shqiptarë të dëmtuar nga tërmeti që vazhdojnë të jetojnë në çadra, duke kujtuar që po vjen sërish dimri e janë pa zgjidhje, ndërkohë kemi një qeveri që bën propagandë të shfrenuar, një ministri shtesë, ndërkohë që qytetarët janë ende pa zgjidhje” thotë Çupi.

Opozita atëherë edhe tani u përqendrua dukë dhënë alternativë, duke qenë në terren, por edhe duke këshilluar si të rialokoheshin fondet, të mos shkonin në PPP fantazmë, por tek qytetarët”, shprehet anëtarja e kryesisë së PD, Ina Zhupa.

Kam vizituar disa nga banesat që janë prekur nga tërmeti, së fundmi edhe gërmadhat e disa banesave të dëmtuara nga tërmeti në Thumanë, ku edhe aty kishin humbur jetën nga tërmeti disa banorë dhe shikoj një apati nga ana  e shtetit për të marrë masa për të ndihmuar dhe për të gjetur zgjidhje për këta banorë. Ndihesh, jo fajtor sepse në opozitë nuk ke mundësi të bësh asgjë përveç se të ngresh zërin, por ndihesh i pafuqishëm që ti nuk ke mundësi ti ndihmosh në momentet që kaë nevojë për ndihmë. Ka edhe raste kur ata kanë rihyrë në godinat e dëmtuara, kështuqë ndihesh i pafuqishëm për të bërë dicka më shumë se denoncimet", thotë Orjola Pampuri.

Vetëm Teatrin nuk mundën ta mbronin.

Ndonëse u përpoqën të ishin qëndrestare dhe e quajtën shembjen e godinës vijë të kuqe, sërish mbajnë gjallë shpresën e artistëve me premtimin që thonë se do të shkyçet nga sirtari i selisë blu kur të marrin pushtetin: e ky është rindërtimi i godinës së Teatrit Kombëtar.

Opozita nuk ishte e pafuqishme në mbrojtjen e teatrit, pati një protestë që bëri bujë. Edhe nga ndërkombëtarët ajo u vlerësua si një qëndrsë paqësore për të mbrojtur një vlerë të rëndësishme historike e kulturore që përfaqëson vlerat jo vetëm të Tiranës, por edhe të gjithë Shqipërisë. Opozita qëndroi për 2 vite, fakti që u shemb do të thotë që dështoi qeveria, sepse shembi një godinë që mbart vlera me një akt të paprecedentë. Të shembësh vlerat historike do të thotë që ti nuk e do vendin tënd. Pra kjo është mungesë dinjiteti, kush shemb vlerat nuk Ka dinjitet”, thotë Pampuri.

Opozita e ka mbështetur kauzën e teatrit si një kauzë së cilës i beson. E ka besuar qoftë si një trashëgimi, dhembshuri njerëzore, sociale, por edhe si kauzë që e mbrojtëm se u cenuan procedurat ligjore. Nëse dikush ka menduar që përfaqësuesit e opozitës do të binin theror në gërmadhat e teatrit e ka gabim”, shprehet Çupi.

Odiseja e çuarjes deri në fund të Reformës Zgjedhore, shihet në sytë e demokrateve si frikë e kundërshtarëve politikë se përballë Partisë Demokratike do të jenë humbës. 

Duhet ta ndajmë marrëveshjen e 5 Qershorit e cila është marrëveshje mes dy palëve, e një vend demokratik duhet të garantojë rregulla loje për zgjedhjet nga të dyja palët. Drejt këtij qëllimi ishte edhe Partia Demokratike që nënshkroi 5 Qershorin, nuk është marrëveshja më e mirë, më e thellë, nuk është garancia absolute, por garanton standarde bazë për zgjedhje të pranuara nga opinioni publik por edhe nga ndërkombëtarët. 5 Qershori ka nga pas historikun e 15 kushteve, Reforma Zgjedhore është njëra prej tyre, është më e rëndësishmja. Nëse nuk ka zgjedhje të lira nuk ka legjitimitet të institucioneve, këtu kemi degraduar tashmë. Ishim të detyruar të plotësonim kushtin tonë, kushtet e tjera janë të qeverisë. Nga ana tjetër kemi kërkesën për ndryshimet kushtetuese, nuk jemi kundër, por duhet të bëhen në kohën e duhur", shprehet Çupi.

Në fakt ngjarjet e fundit, pra ndryshimet kushtetuese kanë qenë akte të paprecedentë. Në fakt ne kemi një shprehje që me aktin e fundit të kryeministrit u zbeh, themi ‘e bëri si burrat’, ose premtim burrash që Edi Rama e humbi dhe tregoi që një burrë nuk diti të mbante fjalën, nuk arriti t’i qëndronte një marrëveshje e cila u bekua edhe nga ndërkombëtarët, nga SHBA, Britania, BE, aleatët e shqiptarëve. Të gjithë këtë e hodhi poshtë për një kapriço të minutave të fundit që tregon frikën e Edi Ramës nga humbja e zgjedhjeve", shprehet Pampuri.

Procesin e nisur që në datën 25Qershor, kur edhe Kryesia miratoi udhëzimin për përzgjedhjen e demokratëve, ish deputetet Dhurata Çupi, e Orjola Pampuri por edhe zëdhënësja e selisë blu, Ina zhupa e konsiderojnë një proces që do t’i sjellë fitore partisë Demokratike. Kur gushti do marrë energjinë kryesore për përzgjedhjen e kandidatëve, ato e vlerësojnë procesin si një përpjekje e të djathtëve për të demokratizuar jetën politike në vend.

"Qytetarët janë të lodhur, duan ndryshim sistemi dhe të largojnë këtë qeveri e cila i ka varfëruar më shumë se kurrë. Jam e bindur se PD do të jetë fituese e zgjedhjeve të vitit 2021 jo sepse jam pjesë e kësaj force politike, por sepse kjo është e vërteta, që e marr sa herë kam takime me qytetarët. Kur shoh jendjen e vendit, e kuptoj që ka nevojë për rotacion”, thotë Pampuri.

Ne vijmë nga një historik mbyllje dhe centralizimi të partive shqiptare, por edhe rajonale. Ky është një udhëzim i guximshëm i drejtë, serioz, për demokratizimin e PD por edhe jetës politike shqiptare që shpresoj ta ndjekin edhe partitë e tjera. Ne nuk jemi në një norlamitet, jemi në anormalitet qeverisës që shqiptarët duhet të shpëtojnë”, sqaron ish deputetja Çupi.

Të gjendura mes betejës për të zëvendësuar gratë e Gardës së Vjetër, ish deputetet e Partisë Demokratike shprehen se askush nuk është i pazëvendësueshëm, por të gjithë janë të lirë të japin kontributin e tyre në partinë më të madhe opozitare në vend.

"Secili individ, anëtar i PD ka vendin e tij, kemi qenë gjithmonë bashkë, kemi patur gjithmonë në thelb alternativën, bëmë opozitën kur ishim në opozitë dhe qeverisjen e mirë kur ishim në pushtet, pranojmë kritikat, por duhet të dallojmë kritikat që bëjmë në të mirë të opozitës dhe kritikat që i shërbejmë qeverisë. PD është e hapur, secili ka vendin e vet dhe jep idetë e veta”, përfundon Çupi.

Partia Demokratike duke se ka ngecur në luftë ndaj vetvetes, në udhëkryqin midis të shkuarës e të ardhmes. Mes përpjekjeve për të rikthyer ata që zotërojnë një elektorat të gjerë, e  pretendimeve për ti hapur rrugë frymës së re të partisë, si një përpjekje për të rikthyer sërish besimin e qytetarëve te alternativa e selisë blu. Ditët e pushimit këtë verë ia mohuan vetes, pasi në horizont po shfaqen zgjedhjet e ardhshme.  Armata e kandidatëve që do të jenë në fushëbetejën për marrjen e pushtetit dhe hartimi i programit elektoral do të jenë zhurma e dallgëve në selinë blu, e cila po sfidon temperaturat e larta, edhe ato të politikës  me shpresën se angazhimi serioz do ta çojë drejt qeverisjes së ardhshme të vendit.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • O tej: 13/08/2020 23:10

    Shkoni moj shaka te ndyra

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?