Foto ilustruese

Gratë, paqja dhe siguria, Ministrja e Jashtme niset drejt SHBA, merr pjesë në debatin e Këshillit të Sigurimit

17 Janar 2022, 09:02| Përditesimi: 17 Janar 2022, 09:04

  • Share

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka është nisur drejt SHBA, për të marrë pjesë në debatin e hapur në Këshillin e Sigurimit me temë Gratë, Paqja dhe Siguria.

Debati zhvillohet në nivel ministror dhe do të fokusohet tek dhuna ndaj grave për shkak të angazhimit të tyre në proceset e paqes dhe sigurisë. Kjo është hera e parë që Ministrja Xhaçka merr pjesë në një event të Këshillit të Sigurimit, si përfaqësuese e Shqipërisë, që prej 1 janarit 2022 anëtare e KS të OKB.

Dhuna ndaj grave aktiviste të të drejtave të njeriut dhe shoqërisë civile dhe aktet e hakmarrjes ndaj tyre nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetëror në zona konflikti vazhdon të mbetet një problem shqetësues.

Më 11 qershor 2021 Shqipëria u zgjodh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023 duke shënuar një ditë historike. Shqipëria ishte vendi i vetëm nga ata që ishin në garë që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Shqipëria bën pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që nga dhjetori i vitit 1955, me përfaqësues në Asamblenë e Përgjithshme. Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 66 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?