Gravura ”The Oriental cafe of Trieste” –Kafeneja Orientale në Trieste

Gravura e rrallë/ Piktura me dy shqiptarë në "Kafenenë Orientale" në Trieste

13 Dhjetor 2018, 09:17| Përditesimi: 13 Dhjetor 2018, 09:21

  • Share

Në Muzeun e Artit Oriental në Trieste ndodhet një pikturë me laps e titulluar “The Oriental cafe of Trieste” –Kafeneja Orientale në Trieste. Gravura daton në vitin 1888. Ajo ka përmasat 64.0 x 47.4 cm dhe paraqet katër  burra, nga të cilët dy janë duke gjerbur dhe shijuar një kafe turke dhe dy të tjerët duket se janë pronari i kafenesë dhe shërbyesi apo hyzmetçiu, siç quhej në terminologjinë e kohës. Pronari qëndron në një dritare të hapur dhe është duke ndjekur bisedën e tyre, ndërsa hyzmetçiu duket më pas në sfond duke dëgjuar me vëmendje.  Dy personazhet, që po pinë kafenë dhe po bisedojnë janë të veshur njëri me fustanellë, brez, jelek dhe fes me xhufkë,  ndërsa tjetri është i veshur me jelek dhe branevek. Nuk e dimë origjinën etnike të këtyre personazheve, por nga nisur nga veshja e tyre mund të mendojmë se janë shqiptarë.

Një nga veshjet më karakteristike të shqiptarëve, që e gjen me një shtrirje gjatë gjithë territoreve ku ka banuar etnia shqiptare është fustanella. Në mënyrë të gabuar shpesh herë ajo është referuar si një veshje kombëtare e përdorur vetëm në jug të Shqipërisë, por në fakt si mund të identifikohet dhe nga një numër gravurash të fillimit të shekullit të XIX, por edhe nga fotografitë e Fototekës “Marubi’, fustanella gjen një shtrirje të admirueshme si veshje edhe në veri të territoreve shqiptare, duke marrë pa dyshim atributet e një veshjeje kombëtare gjithëshqiptare. Përhapja e fustanellës, veshjes kombëtare të shqiptarëve ndërmjet popullsive të tjera fqinje të Ballkanit si grekët dhe turqit na vjen përmes dëshmisë së historianit anglez Xhorxh Finleit, i cili në një udhëtim të bërë në gjithë Perandorinë Otomane, Shqipëri, Maqedoni, Greqi etj., vuri re se veshja e zakonet  shqiptarëve vlerësoheshin në mënyrë të veçantë dhe imitoheshin. Ai shprehet “.... madje dhe turqit, që gjithmonë kanë ndikuar shijet dhe zakonet ushtarake, u bënë imitues të shqiptarëve”. Duke folur për rolin e madh dhe rëndësinë ai shprehet: Një shenjë të vockël, por që bie në  sy, të pozitës së lartë që fituan shqiptarët, na e tregon pranimi i përgjithshëm i veshjes së tyre. Atëherë u bë një gjë jo e pazakonshme, në Greqi e në Maqedoni, që të shihje fëmijët e osmanlinjve më krenarë të veshur me fustanella ose me fundin e bardhë të toskëve. “Madje dhe të rinjtë grekë me pozita guxuan që ta pranonin këtë veshje, veçanërisht kur bënin rrugëtime, meqë ajo u jepte mundësinë që të mbanin armë”.

 Personazhi tjetër në gravurë është i veshur me jelek dhe branevek. Branaveku bëhej prej perkaline të zezë të importuar, ose prej pëlhure pambuku të punuar në vend. Ata priteshin e qepeshin te terzinjtë. Branavekët ishin veshje e përgjithshme e qytetarëve katolikë, që nga mesi i shek. XIX e deri në vitet 20’ të shekullit të kaluar. Personi i tretë, që shërben kafenë dhe është duke i dëgjuar me vëmendje është i veshur me veshje osmane, me një cohë të gjatë të lëshuar dhe një çallmë.

Autori i kësaj gravure është Francesko Beda. Fillimet e krijimtarisë artistike të Francesko Beda-s e gjejnë atë, duke udhëtuar nëpër Austri, Hungari, Kroaci dhe Angli, të përkushtuar ndaj subjekteve historike dhe pikturimit të portreteve, për të cilat ishte shumë i kërkuar. Ndër portretet e tij më të famshme dallojnë ato të perandoreshës Elisabeta të Austrisë, të princit të Rolianit dhe të peshkopit Strossmayer të Zagrebit. Më vonë kaloi në skenat e zhanrit që përshkruanin personazhe të veshur me kostume elegante e me ngjyra të ndezura, skena elegante të vendosura në shekullin e tetëmbëdhjetë. Ai preferonte formatet e vogla. Nga 1876 përdori tonet e Fortuny-së, duke ruajtur një stil akademik ama, me tipare të sakta dhe të detajuara. Të rralla ishin pikturat orientaliste, shumë në modë në atë kohë, si Caffè Orientale e Triestes (1888), aktualisht i ekspozuar në Museo Civico d'Arte Orientale. Në muzeun “Revoltella” ruhet një pikturë e stilit që ka përdorur në fillimet e tij (1868): Carlo VI pret ambasadorët Venedikas. Duke filluar nga viti 1896 ai e ndau studion e tij të pikturës me të birin Giulio. Shumë prej veprave të Francesco-s bliheshin nga tregtari i artit vjenez, Winterstein, i cili kishte një klientelë të pasur. Francesco Beda, në vitet 1875-1880, kishte për zakon të shkonte në kafenenë historike Caffè Chiozza, të frekuentuar nga piktorët Alfredo Tominz, Giuseppe Pogna, Giovanni Battista Crevatin, Giuseppe Savorgnani, Antonio Lonza, Eugenio Scomparini, arkitektët Ruggero Berlam dhe Giacomo Zammattio, skulptorët Attilio Depaul, Eduardo Baldini, Luigi Conti, Francesco Pezzicar, punuesja e drurëve cilësorë Stella dhe dekoruesi Abeatici. Në Chiozza, Giuseppe Caprin dhe Giuseppe Lorenzo Gatteri ishin si të shtëpisë dhe pëlqenin shumë të flisnin për artin, gjithmonë të rrethuar nga një auditor i madh, i vëmendshëm dhe nderues. Del Gatteri, thuhej se ishte një njeri me kulturë të rrallë. Ishte pikërisht në këtë ambient ku u fol për herë të parë për një rreth artistik të Triestes, që do të dilte në dritë vetëm një dekadë më vonë.

 Carlo Wostry në "Storia del Circolo Artistico" (Historia e Rrethit Artistik) të vitit 1934, do të kujtojë Francesco Beda-n si një nga personazhet më të këndshëm të Rrethit: "... ai bënte fjalime, duke filluar bisedat e tij të gjata me një gjuhë, që sipas tij ishte e pastruar në mënyrë që t’i jepte më shumë rëndësi arritjes së qëllimit të tij diktatorial. Linte sa këtu atje disa shaka tipike të Triestes, që i krijonte vetë, duke i bërë të gjithë për të qeshur. Nëse bënte ndonjë batutë vërtetë për të qeshur, do të qeshte vetë gjithashtu, dhe me atë strabizmin e tij, njëri sy majtas e tjetri djathtas, shikonte çuditshëm. Gjithmonë me humor të mirë, kënaqej të mësonte të rinjtë se si të bënin një pikturë.

Subjektet orientale në teatër dhe art nuk ishin të rastësishme në Trieste. Trieste ishte porti më i madh i perandorisë Austro-Hungareze dhe si i tillë vizitohej nga agjentë të ndryshëm tregtarë nga viset e perandorisë otomane. Qyteti, porti i vetëm në bregdetin austriak, ishte pararoja e veprimtarive tregtare të Perandorisë me Lindjen dhe vendi nga i cili filloi sezoni i tregtisë dhe njohjes së ndërsjellë, që në vitin 1718. Një përballje që bëri osmanët, sipas roleve sociale, të negociojnë, të ndërmjetësojnë, të shkarkojnë mallrat në doke dhe të krijojnë markat tregtare për t'u ofruar në tregjet e Levantit. Komuniteti turk, i përbërë nga boshnjakë, shqiptarë, maqedonas, grekë kontinentale, serbë dhe turq hungarezë, gjeti në Trieste një qytet mikpritës, një vend që respektoi besimin fetar të bashkësisë dhe zakonet e anëtarëve të saj. Respektimi i dallimeve fetare mund të vërehet në vendet e mëshirimit njerëzor. Që nga viti 1848, Trieste ka pasur një varrezë të vogël myslimane pranë varrezave katolike të Shën Anës dhe ndoshta, edhe më herët, të vdekurit osmanë varroseshin fillimisht sipas ritit të funeralit islamik në kodrën e Shën Giusto-Justinit. Shkëmbimet tregtare me Perandorinë Osmane dhe rrugët detare, që lidhën Triesten me Smirnën dhe Kostandinopojën, kontribuuan në përmirësimin e shijes orientale ndaj objekteve dhe mobiljeve. Midis viteve 1840 dhe 1860 u përhap në Evropë moda orientale, e cila u takua me aprovimin e klasave dominuese. Pronarët e pallateve dhe vilave prestigjioze, si sipërmarrësi Pasquale Revoltella, kapitalisti Giuseppe Brambilla, bankieri Elio Morpurgo (një nga themeluesit e Austrian Lloyd), financieri Filippo Artelli dhe arkiduka Maximilian i Austrisë, mobiluan dhe zbukuruan sipas stilit oriental një ose më shumë dhoma në rezidencat e tyre. Maximiliani i Austrisë (Vjenë 1832. Querétaro 1867) filloi të tërhiqej nga lindja orientale nga viti 1850. Atë vit ai bëri një udhëtim në Greqi dhe në bregun turk me vëllain e tij Carlo Lodovico. Ai mbajti një ditar të detajuar dhe të pasionuar të këtij udhëtimi, i cili u botua pas vdekjes së tij . Një dhomë e Villa Lazarovich, vendbanimi i parë i arkidukës në Trieste i vendosur në kodrën e Shën Vito-s, ishte mobiluar sipas stilit "Moorish" dhe u transferua në Gartenhaus, e ndërtuar në Parkun e Miramar-es. Është përfaqësuar nga piktori dhe miniaturisti Germano Prosdocimi në dy piktura me bojra uji. Në pjesën e dytë të shekullit XIX ekspozitat universale u bënë shumë të shpeshta në Evropë. Në Trieste, në vitin 1882, njerëzit në varësi të perandorisë austriake shfaqën produktet e tyre bujqësore dhe industriale. Ekspozita u vendos në zonën midis Campo Marzio dhe Passeggio Sant'Andrea. Një gazebo i tërë u mobilua sipas mënyrës orientale, për të ekspozuar produktet e ardhura nga Persia, India, Kina dhe Japonia. Një dhomë turke ishte e mobiluar nga piktori Ugo Charlemont.

Gravura rrëfen për një komunikim të ndërsjelltë midis kulturave dhe shqiptarët gjendeshin sa një një krah apo në një tjetër të Adriatikut kishin një prani të fortë në Levant dhe në Adriatik. Në vitin 1912, rreth 50% e volumit të tregtisë së jashtme të viseve shqiptare bëhej me Austro-Hungarinë dhe Triste si porti i vetëm i Perandorisë në Adriatik luante një rol të madh. Gjurmimi i artefakteve, gravurave dhe dëshmive të pranisë së shqiptarëve nëpër botë mund të fillojë të plotësojë mozaikun e madh të munguar të kulturës sonë europiane dhe mesdhetare.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?