Pas "jo-së" së përsëritur të Berlinit, Varshava kërkon të aktivizojë OKB dhe SHBA për çështjen e reparacioneve me Gjermaninë. Përtej kësaj gjermanëve duhet t'u "shpjegohen" kërkesat e Polonisë.
"Kjo përgjigje është për ne, Ministrinë e Jashtme polake, dhe shtetin polak, e habitshme, sepse shteti gjerman nuk mund ta quajë të mbyllur një çështje që nuk është shtruar kurrë. Nuk ka pasur as negociata dhe bisedime ndërmjetësimi", deklaroi zëvendësministri i Jashtëm polak, Arkadiusz Mularczyk të mërkurën në Varshavë. "Ne nuk e pranojmë pozicionin gjerman, e refuzojmë atë tërësisht si të paarsyetuar dhe të gabuar. Do të veprojmë në skenën ndërkombëtare, por edhe në Gjermani, për të arritur ndryshimin e opinionit publik ndërkombëtar dhe në Gjermani", është shprehur më tej politikani polak.
Lajmi që shkaktoi zemërim në Varshavë lidhej me përgjigjen e shkurtër të qeverisë gjermane "Sipas të dhënave të qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, çështja e reparacioneve dhe dëmshpërblimeve për humbjet e luftës mbetet e mbyllur dhe ajo nuk ka qëllim që të rihapë negociatat për këtë." Askush në qeverinë polake nuk kishte pritur që çështja e borxheve që dalin nga agresioni dhe pushtimi në vitet 1939-1945 do të merrte një përgjigje tjetër, prandaj qeveria polake reagoi menjëherë duke theksuar se qeveria polake do të vazhdojë përpjekjet.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock kishte bërë të qartë që më 4. tetor 2022 se "Gjermania qëndron pa asnjë dyshim pas përgjegjësisë së saj historike. Mbetet detyra jonë që të kujtojmë dhimbjen milionëshe që Gjermania i ka shkaktuar Polonisë, dhe ia ka shkaktuar me një brutalitet, që në Poloni solli një dhimbje tërësisht tjetër krahasuar me vende të tjera." Nga ana tjetër Baerbock theksoi se "në të njëjtën kohë çështja e reparacioneve sipas qëndrimit të qeverisë gjermane, këtë e di ti, është e mbyllur", iu drejtua minsitrja gjermane me vështrimin drejt homologut polak, Zbigniev Rau.
Polonia kërkon 1,3 bilionë euro reparacione
Zëvendësministri i jashtëm polak, Mularczyk, anëtar i partisë qeverisëse "Ligj dhe drejtësi", PiS ka vite që temën e reparacioneve nga Gjermania e ka kthyer në temë qendrore të punës së tij. Në vitin 2017 ai drejtoi një grup parlamentar, i cili duhej të përcaktonte humbjet e Polonisë në Luftën e Dytë Botërore. Më 1 shtator 2022, në 73 vjetorin e pushtimit gjerman të Polonisë, ai prezantoi raportin përfundimtar, në të cilin bëhet fjalë për 6,2 bilionë zloty, ose 1,3 bilionë euro dëme lufte. Mularczyk e ka cilësuar më parë përgjigjen e Gjermanisë si "injorim të Polonisë dhe polakëve". Sipas tij "gjermanët nuk ndjekin një politikë miqësore ndaj Polonisë, duan të ngrenë këtu zonën e tyre të influencës, dhe e trajtojnë Poloninë si vasale", ka thënë ai për agjencinë polake të lajmeve, pap.
OKB dhe SHBA do duhet të mbështesin kërkesat polake
Për të rritur presionin ndaj Berlinit, Varshava i është drejtuar me një lutje për mbështetje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Edhe Sekretarja e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, është ftuar në Varshavë. Më tej Mularczyk ka bërë të ditur se do të udhëtojë në SHBA për të fituar aleatë për këtë çështje në kongresin dhe senatin amerikan. Sipas një sondazhi të institutit Ipsos me porosi të mediave polake në fillim të janarit 2023, 75% e gjermanëve i refuzojnë kërkesat polake. Ky rezultat nuk e tremb Mularczyk që të njoftojë për një fushatë informimi në Gjermani me shpresë, se "me kohë gjermanët do të binden, se kjo çështje do rregulluar".
Refuzimi nga Gjermania përdoret nga qeveria nacionaliste e djathtë polake për kritika ndaj Gjermanisë, që duket se do të jetë një nga temat kryesore në fushatën e të djathtëve polakë para fushatës së zgjedhjeve parlamentare në vjeshtë. Pavarësisht se cila parti polake fiton në vjeshtë 2023, ajo duhet të përballet me çështjen e reparacioneve - sipas një sondazhi të Ipsos 66% e polakëve janë shprehur pro kërkesës për reparacione nga Gjermania. Në një vendim të parlamentit polak vitin e kaluar, i mbështetur edhe nga opozita polake, Sejm përcaktoi, se Polonia nuk kishte marrë asnjëherë dëmshpërblime për humbjet e luftës dhe nuk ka hequr kurrë dorë nga pretendimet e saj./DW