‘Guida’ kulturore/ Filmi ‘Elaha’ shfaqet te Instituti Goethe në Tiranë! ‘Pacienti i Doktor Frojdit’ te teatri ‘Bylis’

23 Tetor, 14:16| Përditesimi: 23 Tetor, 17:18

  • Share

“Elaha” titullohet filmi gjerman që shfaqet në 24 tetor në orën 18:00 në mjediset e Institutit Gëte -“Goethe Zentrum” në Tiranë.

Regjisorja e talentuar Milena Aboyan arrin të tregojë betejën mbi sovranitetin e interpretimit të trupit femëror në tensionin midis traditave kulturore pa i paraqitur apo i dënuar ato. “Elaha” është një histori e guximshme që ofron një pasqyrë të thellë mbi sfidat me të cilat përballen vajzat dhe gratë. Filmi do të shfaqet në gjermanisht me titra në anglisht.

Botimet “Fishta” ju ftojnë në video-performancën “Camera Obscura” nga Stefan Çapaliku, me rastin e botimit të librit me të njëjtin titull. Aktiviteti mbahet të enjten, më 24 tetor, në orën 18:30 në sallën e koncerteve “Tonin Harapi” pranë Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.

“Pacienti i Doktor Frojdit” është shfaqja që vjen premierë mbrëmjen e 24 tetorit në orën 18:00 në skenën e teatrit “Bylis” në Fier. Me regji nga Besnik Bisha, “Pacienti i Doktor Frojdit” flet për takimin e Adolf Hitlerit dhe të fejuarës së tij me psikoanalistin e famshëm Sigmund Frojd, se si mund të zgjidhin problemin e tyre të komunikimit. Gjatë seancës, Hitleri ekspozon frustrimet e tij, që do të rezultojnë në gjakderdhjen e Luftës së Dytë Botërore.

Performancë muzikore dhe bisedë me Arbëreshë mbahet mbrëmjen e kësaj të enjteje, në 24 tetor në orën 19:00 te Grupi “Ata” në Kamëz.  Projekti muzikor “Arbërteshë” është krijim i muzikantes me të njëjtin emër e cila jeton mes Kosovës, Shqipërisë dhë Zvicrës. Ajo eksploron stile të ndryshme, me disa lloj instrumentesh muzikorë, por realizimet e saj të fundit të këngëve popullore shqiptare kanë tërhequr shumë vëmendje duke ngjallë pëlqyeshmëri ndër audiencë dhe duke rritur gradualisht ndjekësit e saj.

“Kuaj dhe gra” titullohet ekspozita e autores Natasha Bega, e cila vijon të qëndrojë e çelur në Galerinë “Kalo” në Tiranë. Ekspozita vjen e kuruar nga piktori Adrian Çene.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?