Opinion

Habia injorante

6 Maj 2021, 20:13| Përditesimi: 6 Maj 2021, 20:16

  • Share

Ka disa situata, që janë aq të thjeshta e të qarta, sa në raste të tilla thuhet që ske pse habitesh. Por ka disa persona që edhe pse situatat janë aq të thjeshta e të qarta, sërish  habiten. Por habia që ata shfaqin është habi injorante. Këtë lloj habie e përjetojnë disa “analistë” e përfaqësues partish nëpër studio televizive. Për ta është e habitshme që sovrani votoi sërish për “diktatorin”, që sovrani votoi për “komunistët”, për të “korruptuarit”, për “bijtë e etërve” etj etj. Për ta është e habitshme se si sovrani nuk votoi për “bartësit e ndryshimit”, për “rotacionin”, për ata që “do shpëtonin Shqipërinë nga e keqja e madhe që e ka zënë prej fyti”, për ata që “do e shpëtonin Shqipërinë nga kryeministri më i keq i të gjitha kohërave”, nga “dhunuesi i femrave”, nga “erdoganizmi”, e shumë të “këqia” të tjera që mbart kryeministri aktual dhe forca politike që ai udhëheq-sipas kritikëve të tij.

Mirëpo të mos kuptosh e të mos shpjegosh siç duhet një verdikt popullor, aq më keq, ta deformosh atë është thjesht ose paaftësi, ose spekulim. Sepse të shpresosh që veprime të tilla politike, sikurse ishin djegja e mandateve dhe braktisja e zgjedhjeve lokale, do të shoqërohen  me empatinë e publikut e për rrjedhojë, do të shpërbleheshin me votë, ky është pretendim injoranti.

Të shpresosh që edhe veprimet mbështetëse imponuese në funksion të këtij skenari si protestat e dhunshme me molotov e mjete të tjera të krijonin reaksion pozitiv elektoral është thjesht pretendim injoranti politik.

Të bësh aleancë me LSI, të nënshkruash marrëveshje për qeverisje të përbashkët me të, e më pas, ta “fshehësh” nga fushata sepse ekspozimi me të të ul pikë në elektorat, do të thotë se thjesht po përdor një manovër djallëzore për tia hedhur elektoratit. Dhe kur rezulton që elektorati nuk e ka ngrënë këtë manovër, atëhere pushtohesh nga habia injorante: ore po si ndodhi kështu?!

Krijon grupe të armatosura që vrasin të pafajshëm, e përdhos viktimën duke e bërë kriminel, kurse vrasësit i numuron “cilësitë pozitive, më pas del një kandidat tjetër që flet për vrasje të ngjashme si “ai i Elbasanit” dhe kur ballafaqohesh me pasojat e këtyre veprimeve nëpërmjet rezultatit elektoral pushtohesh sërish nga habia e budallait: ore çfarë qe kjo rrufe në qiell të hapur?

Kryetari i partisë më të madhe të opozitës është thjesht një instrument maskues i dikujt që ka ikur formalisht nga drejtimi i partisë, por jo realisht. Dhe kur sovrani me votën e tij tregon që nuk  ka ndërmend të rikthejë në skenë dikë apo disa, me të cilët ka mbaruar punë para 8 vitesh, del në skenë sërish habia injorante: po ne e kemi bërë mirë maskimin, si ka mundësi që nuk u votuam fitues?!

Për 8 vite i krijon elektoratit ndotje psiqike nëpërmjet fjalorit dhe veprimeve të dhunshme ku fjalët më të shpeshta të përdorura janë rrëzim, revolucion, tërheqje zvarrë, nxjerrje me dhunë nga zyra etj e pas kësaj të shpresosh që elektorati mezi pret i mallëngjyer të të besojë votën e tij është pretendim profani politik. Ndërsa habia se pse nuk u dha kjo votë, habi injorante.

Presidenti del e flet për rrëmbim cfurqesh e lopatash, bëhet opozitari më i dhunshëm, del në fushatë me të shoqen, të cilës i ka lënë çelësat e partisë private dhe sërish ka të habitur që thonë: ç’qe ky rezultat se ne jemi më të mirët.

Formon një grup parlamentar me deputetë të konsumuar, të vjetëruar, me persona që skanë asnjë lidhje me këtë ofiq të lartë publik, me persona që i parashikon që tani për veprimet që do bëjnë e fjalët që do thonë gjatë 4 viteve të ardhshme, çfarë do “mbjellin” nëpërmjet aktivitetit të tyre parlamentar e prapë do të përjetojmë habinë injorante të kësaj kategorie personash. Sepse e kanë të vështirë të kuptojnë e pranojnë së zakonisht korret ajo që mbillet. “E habitshme është se si ne ngulmojmë më shumë për të mbrojtur gabimet tona se sa të drejtat tona”- thotë një poet libanez.

Komento

Komente

  • Beni: 08/05/2021 20:55

    Autori ka te drejte. Te besh koalicion me LSI eshte djallezore! Koalicioni i 2013 ishte nje shembull i tille, ashtu si i 2009. Por akoma.me djallezor eshte planifikimi dhe zbatimi ne praktike i djallezise per ti blere LSI-se te majmurit nga korrupsioni si Nasip Naco, Spartak Mafie Braho apo Lipivani e lipeshtogu!!! Kjo eshte me djallezore.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?