Sali Berisha dhe Albin Kurti

Halli i Berishës dhe Kurtit, ‘serbi’ Rama dhe Kosova në ‘Open Balkan’ që më 2020

27 Qershor 2022, 18:38| Përditesimi: 27 Qershor 2022, 18:42

  • Share

Dhe në këto ditë “përvëluese” qershori nuk po njeh ulje debati në lidhje me nismën rajonale “Open Balkan”, pjesë e të cilës deri më tani me të drejta të plota janë vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Ndonëse kësaj nisme iu shtuan në samitin e Ohrit si vende vëzhguese dhe Mali i Zi e Bosnje Herzogovina, Kosova vijon të refuzojë pjesëmarrjen në këtë forum dhe me statusin e vëzhguesit.

Argumentet kundër pjesëmarrjes së Prishtinës zyrtare në “Open Balkan”, të hedhura në tregun politik rajonal dhe më gjërë, e që po përdoret për konsum politik në luftën politike në dy shtetet shqiptare në të dy anët e kufirit, fillojnë nga qëndrimi se është mbivendosje e procesit të Berlinit dhe shmangie nga synimi për integrimin në BE, e deri tek deklaratat patriotike se në mes të kësaj marrëveshje qëndrojnë mijëra të vrarët shqiptarë të Kosovës nga genocidi serb, mbi eshtrat e të cilëve sipas kundërshtarëve të “Open Balkan”, nuk mund të shkelet. Genocid serb ka pasur në Kosovë dhe është dënuar e do të dënohet në Shqipëri dhe tërë hapësirën mbarëshqiptare.

Madje arrihet deri atje sa politika në Shqipëri dhe Kosovë qëndrimin ndaj “Open Balkan” kanë nisur ta përdorin si “lakmues” për të evidentuar se kush është tradhëtar dhe kush e mbron kombin shqiptar në Ballkan.

Në Prishtinë Albin Kurti dhe mbështetësit e tij, pa përjashtuar këtu partitë e opozitës për konsum të brendshëm politik kuptohet, mbrojnë idenë se pjesëmarrja në “Open Balkan” e Kosovës përkrah Serbisë ndërsa kjo e fundit nuk e ka njohur ende shtetin e ri shqiptar në Ballkan, është një absurditet dhe tradhëti kombëtare. Pavarësisht se Serbia mund të vijojë pafundësisht të mos e njohë Kosovën.

Diabeti zhduket përgjithmonë! Bëni këtë një herë para gjumit!

Ndonëse nisma është “mot a mot” si procesi i Berlinit në katër shtyllat kryesore të saj, që kanë të bëjnë thjeshtë dhe vetëm me lehtësimin e lëvizjes së mallrave e të njerëzve pa pengesë, politika në Kosovë, zyrtare e opozitare, mendon se ajo nxit krijimin e dominimit të Serbisë së Madhe, si ekonomia më e madhe rajonale në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndonëse në Kosovë dominimin Serbia e ka mbyllur përfundimisht në masën 100 përqind me marrëveshjen më të fundit për energjinë të nënshkruar nga qeveria e Albin Kurtit, pikërisht atë marrëveshje që e kundërshtoi fort, madje hyri e doli nga paraburgimi disa herë kur ishte në opozitë, si organizator i protestave të dhunshme dhe të paligjshme kundër kësaj marrëveshjeje.

Kosova nën qeverisjen e Kurtit ka arritur maksimalen e shkëmbimeve ekonomike me Serbinë, krahasuar me të gjitha qeveritë e mëparshme, duke sjellë një dominim total të mallrave serbe në Kosovë dhe madje ka “tepruar” shumë dhe për ta “evaduar” në Shqipëri këtë tepricë mallrash serbe. Këtu mund të fusim miellin serb, një pjesë e të cilit vjen në Shqipëri përmes Kosovës dhe bizneseve të mëdha të shtetit shqiptar të dytë në Ballkan.

Por si gjithnjë, politika zyrtare në Kosovë por dhe armata e “patriotëve” që organizohet sa herë e lyp si nevojë Albin Kurti, kanë si “target” sulmi armikun  më të“kollajtë” dhe në dizpozicion kryeministrin shqiptar Edi Rama, si “njeriun që do më shumë Serbinë se Kosovën” dhe si “vëlla të Vuçiç”. Pavarësisht se sa herë i është dhënë rasti, në Beograd, Bruksel apo dhe në Tiranë e Kosovë, Rama ka mbrojtur vetëm Kosovën, herë duke akuzuar BE se nuk po i heq vizat dhe herë duke debatuar publikisht me Vuçiç dhe mbështetësit e tij se për të “Kosova është Kosovë dhe pikë, shtet i pavarur”. Por këto deklarata nuk i dërgjojnë “patriotët” tanë këndej dhe andej kufirit. E duan Serbinë vetëm për vete, si kundërshtarët e “Open Balkan” në Prishtinë ashtu dhe ata në Shqipëri.

Një kundërshtar tjetër i Open Balkan” në Tiranë është Sali Berisha, i cili shkon më tej në sulmet e tij ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po kërkon krijimin e “Jugosllavisë së re” përmes “Open Balkan”. Se kush ka qënë për ngritjen e “Jugosllavisë së re” në vitin 2013, cili ka qënë roli i Sali Berishës në këtë ndërmarrje të rrezikshme në Ballkan, dhe rezultatin e bisedimeve në Podgoricë të ministrit të Jashtëm shqiptar të asaj kohe Aldo Bumçi me homologët serbë dhe malazezë, do ta shpjegojmë me fakte një herë tjetër, ku do të shihni vërtet çudira shqiptare.

Por se sa seriozisht e kanë kundërshtimin ndaj “Open Balkan” politika e Kosovës, mazhorancë dhe opozitë, si dhe opozita shqiptare e drejtuar nga Berisha, përfshijmë dhe Ilir Metën këtu, do ta shohim përmes dy fakteve që po paraqesim më poshtë. Për të shpjeguar njëherësh “piruetat” politike për lojë të brendshme zgjedhore dhe për hall personal në të dy anët e e kufirit.

Në krye të herës duhet të theksojmë se nëse ka një vend të certifikuar zyrtarisht si pjesë e “Open Balkan” është Kosova. E themi këtë pse më 4 shtator 2020, Kosova ka nënshkruar marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhe në prani të Presidenti amerikan të asaj kohe Donald Trump. Ishte planifikuar që marrëveshja të nëshkruhej nga Presidenti i Kosovës në atë kohë Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç.

Nuk po hyjmë thellë në politikën e madhe për të thënë se përplasja mes BE dhe SHBA për iniciativat në Ballkanin Perëndimor, ku Brukseli ndjehej i frustuar nga agresiviteti i diplomacisë amerikane në rajon, solli bllokimin e udhëtimit të Thaçit për në Uashington, dhe urdhër-arresti i Gjykatës Speciale të Hagës e prangosi atë duke e privuar jo vetëm nga nënshkrimi i këtij akti madhor me Serbinë por dhe nga liria.

Tashmë prej dy vitesh Thaçi gjendet në qelitë e Hagës. Marrëveshja do të kishte më shumë forcë me firmën e Thaçit, ai ishte komandanti që kishte firmosur luftën dhe fitoren e Kosovës duke shpallur pavarësisnë, ai mund të nënshkruante dhe paqen. Por prangosja nga Tribunali i Hagës e bllokoi.

Në vend të tij në Shtëpinë e Bardhë shkoi kryeministri i atëhershëm Abdullah Hoti. I cili në prani të presidenti amerikan i asaj kohe Trump nënshkroi marrëveshjen me Serbinë, marrëveshje që u nënshkrua për palën serbe nga Vuçiç.

Nuk po hyjmë në detaje të marrëveshjes mes Serbisë e Kosovës, por po veçojmë vetëm pikën 5 të kësaj marrëveshje, e cila ka të bëjë me objektin e shkrimit tonë, atë të qëndrimit ndaj nismës rajonale “Open Balkan”.

Asokohe quhej “Mini-Shengen”, por që pas marrëveshjes së Uashingtonit, për t’i qëndruar objektit të saj dhe për të mos pasur keqkuptime me interesin madhor të vendeve aspirante të Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në BE, si dhe për të hequr mundësinë e spekulimit për ndonjë rezonancë të mundshme me integrimin, u quajt pas 4 shtatorit 2020 “Open Balkan” ose “Ballkani i Hapur”.

Në pikën 5 të marrëveshjes mes Hotit dhe Vuçiç në emër të Kosovës dhe Serbisë, në prani të Presidentit amerikan të asaj kohe Trump nënvizohej qartë dhe saktë se “Të dyja palët do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo”.

Pra ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë, marrëveshja i detyronte Kosovën dhe Serbinë të ishin pa asnjë diskutim pjesë e “Open Balkan” apo “Mini-Shengen” siç quhej atëherë. Zyrtarisht!

Dhe administrata e Joe Biden më pas i ka qëndruar fort kësa marrëveshjeje, madje në të gjitha rastet e ka mbështetur “Open Balkan”, e fuqizuar akoma më tej kjo mbështetje në samitin e Ohrit para disa ditësh.

Pra nëse ka një vend që është me firmë dhe me vulë dhe me bekimin amerikan zyrtarisht pjesë e “Open Balkan” është Kosova. Si nën qeverisjen e Avdullah Hotit si tani nën qeverisjen e Albin Kurtit, mori apo nuk mori pjesë në samitet e zhvilluara deri më tani, Kosova është vend anëtar i këtij forumi. E detyron marrëveshja e 4 shtatorit 2020 e nënshkruar në Uashington.

Nuk dimë të jetë ndërmarrë ndonjë vendim nga qeveria aktuale e Kosovës apo nga Parlamenti i dominuar nga Vetëvendosja për ta zhbërë këtë marrëveshje. Ajo është në fuqi, dhe përsa kohë nuk është shfuqizuar do të qëndrojë statike në tërë dokumentet e kancelarive botërore, ku Kosova figuron zyrtarisht pjesë e “Open Balkan” bashkë me Serbinë. Kundërshtitë janë thjeshtë e vetëm për qëllime politike, për konsum të brendshëm politik për një grusht vota dhe për hall personal.

Ndërsa në Tiranë, Berisha por dhe Meta janë kundër “Open Balkan” për hall. Berisha është person “non grata” i shpallur nga SHBA dhe është i “justifikuar” në qëndrimin e tij kundër çdo iniciative apo mbështetjeje që vjen nga SHBA. Berisha e ka “armik” personal Amerikën, sepse e ka izoluar tërësisht dhe bashkë me të e ka izoluar BE dhe e djathta Europiane. E themi këtë sepse në kohën kur u nënshkrua marrëveshja në prani të Trump dhe Berisha ende nuk e kishte marrë “mandatën” e shpalljes “non grata” nga DASH, ish kryeministri demokrat kishte qëndrim pro “Mini-shengenit” ballkanik, tani me emrin “Open Balkan”.

Në një intervistë të dhënë më 16 shtator 2020, pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit mes Serbisë dhe Kosovës, Berisha mbështet iniciativën.“Në doktrinën e Trumpit sipas së cilës stabilizimi ekonomik ndikon në stabilizimin politik, natyrisht ideja e mini shengen është një ide e pamohueshme atraktive, se ti nuk mund të flasësh për normalizim ekonomik në një kohë kur të nxjerrësh një seri barrierash këtij normalizimi”, ka thënë Berisha. “Melodi” që e ndryshoi pas shpalljes “non grata” të tij, duke e quajtur më pas projekt serbo-rus.

Këto “pirueta” të Berishës bëhen në kushtet e një njeriu në hall, që kundërshton gjithçka amerikane në themel. Ndërkohë që Kurti, dhe është kundër “Open Balkan” duke refuzuar pjesëmarrjen, dhe nuk e hedh poshtë marrëveshjen e Uashingtonit, marrëveshje e cila zyrtarisht e ka bërë që para dy vitesh Kosovën pjesë të kësaj nisme rajonale. Me firmë dhe vulë.

Shqiptarët e Kosovës, të interesuar për lëvizjen e lirë të njerëzve e mallrave në të gjithë hapësirën rajonale, janë në pritje që Albin Kurti ta ndajë mendjen në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar në prani të Trump për “Open Balkan”, do ta zhbëjë apo do ta respektojë më në fund këtë akt. Pavarësisht se kush e ka nënshkruar.

Ndërsa në Shqipëri të gjithë e kanë ndarë mendjen se Berisha e ka ndarë mendjen për të qënë kundër çdo gjëje amerikane, derisa t’i heqin “non gratën”. Domethënë do të jetë gjithë jetën anti-marikan, pasi s’ka asnjë shans të hiqet ‘titulli’ i dhënë nga DASH për korrupsion të nivelit të lartë, minim të demokracisë në Shqipëri dhe presion mbi drejtësinë. Shqiptarët këtej kufirit s’kanë dilema për Berishën. Por “ngushëllohen” nga fakti se Berisha do ta lërë PD-në përjetësisht në opozitë.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?