Hapja e dosjeve/ Ja bashkëpunëtorët e Sigurimit në institucione e politikë

12 Prill 2019, 07:43| Përditesimi: 12 Prill 2019, 14:30

  • Share

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i njohur ndryshe si komisioni për hapjen e dosjeve, gjatë vitit 2018, ka verifikuar 463 kandidatë apo zyrtarë të niveleve të ndryshme, nëse kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit. Nga 463 individë të verifikuar, 17 kanë rezultuar të implikuar në veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit, si bashkëpunëtorë në cilësi të ndryshme. Në vitin 2017, janë verifikuar 821 kandidatë apo zyrtarë, ku 13 kanë rezultuar të implikuar. Pra, gjatë dy viteve, komisioni për hapjen e dosjeve ka identifikuar 30 kandidatë dhe zyrtarë me të shkuar të zezë në ish-Sigurimin e Shtetit. Të dhënat pasqyrohen në raportin e Autoritetit për veprimtarinë gjatë vitit 2018. Raporti do të shqyrtohet nga Parlamenti, i cili do të miratojë edhe një rezolutë me disa detyra që duhet të realizojë Autoriteti gjatë vitit 2019.

Zyrtarët dhe institucionet ku punojnë
Po cilët janë zyrtarët që janë identifikuar si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit dhe institucionet ku shërbejnë? Komisioni për hapjen e dosjeve ka verifikuar 234 punonjës të shërbimit të jashtëm, me kërkesë të Ministrisë së Jashtme, nga të cilët 7 kanë rezultuar si të implikuar në veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit. Konkretisht, në dosjet e ish-Sigurimit kanë rezultuar personat me iniciale F. R, E. M, Ll. K, J. Sh, G. S, A. A dhe A. D, punonjës në Ministrinë e Jashtme. Me kërkesë të Shërbimit Informativ Shtetëror, Autoriteti ka verifikuar 23 punonjës të këtij shërbimi. Personat me iniciale K. P, Q. D dhe R. M, pjesë e institucionit kryesor të sekreteve në Shqipëri, kanë rezultuar në dosjes e ish-Sigurimit të Shtetit. Autoriteti ose komisioni për hapjen e dosjeve ka verifikuar të gjithë listën e kandidatëve të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Aleancës Popullore për Drejtësi, për zgjedhjet e 25 Qershorit 2017, ku kanë rezultuar me dosje kandidatët XH. A, R. T, F. T dhe Z. G. Me kërkesë nga Akademia e Shkencave, Autoriteti ka verifikuar të gjitha kandidaturat në kuadër të verifikimit të figurës përpara emërimeve ose ngritjes në detyrë, nga ku personat me iniciale Gj. Sh dhe I. M kanë rezultuar me dosje. Në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, kanë rezultuar me dosje personat me iniciale A. M dhe I. K. Gjithashtu, komisioni ka identifikuar bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Gardën e Republikës, në organet e qeverisjes vendore etj.

Në drejtësi
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka identifikuar pesë ish-bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit në radhët kandidatëve për t’u bërë pjesë organeve të reja të drejtësisë. “Në lidhje me zgjedhjen në organet e larta të drejtësisë janë verifikuar nga ana jonë 294 kandidatë, nga të cilët për 5 (pesë) individë ka rezultuar të figurojnë dhe të ketë dokumentacion pranë institucionit tonë. Me kërkesë nga Prokuroria e Përgjithshme, është bërë verifikimi i figurës për kandidat për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Nga verifikimi, Autoriteti ka dalë me vendimin Nr. 12, datë 22.01.2019, që ka të bëjë me subjektin e verifikuar (BSH), për të cilin ka rezultuar se figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit. Rasti ndodhet në shqyrtim administrativ nga ana jonë, me kërkesë të vetë subjektit të verifikuar. Gjithashtu, po ndiqet dhe në rrugë procedurale nga ana e Prokurorisë”, thuhet në raport.

Kërkesat nga individët
Gjatë vitit 2018, Autoriteti ka shqyrtuar edhe kërkesat e individëve të ndryshëm si të survejuar apo të prekur nga veprimtaria e ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas raportit, gjatë vitit 2018, janë paraqitur 612 aplikime nga subjekte në cilësinë e të prekurit apo familjarit të të vdekurit apo zhdukurit, ku janë përmbyllur procedurat për 305 kërkesa individuale. Për 174 kërkesa individuale për të cilat janë mbyllur procedurat, ka rezultuar se ka dokumente të krijuara nga ana e organeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Ky dokumentacion është marrë nga Drejtoria e Arkivit, është përpunuar dhe shqyrtuar sipas kritereve ligjore nga ana e Drejtorisë së Informacionit, duke filluar nga përgatitja e relacioneve, materialet mbështetëse, vendimet, procesverbalet dhe kthimet e përgjigjeve kërkuesve, mbi bazën e vendimmarrjes nga Autoriteti, për mbylljen e procedurës dhe dhënie të dokumentacionit dublikatë aplikuesve. Për 131 kërkesa individuale, pas verifikimit nga ana e Drejtorisë së Arkivit ka rezultuar se nuk ka të dhëna/dokumente të krijuara nga ana e organeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Drejtoria e Informacionit ka vijuar procedurën me përgatitjen e relacionit, vendimeve përkatëse dhe shkresës për përcjellje të vendimeve subjekteve aplikues me qëllim mbylljen e procedurës.

U verifikuan edhe 4 deputetë
Në listën e zyrtarëve që janë verifikuar, me kërkesë të tyre, për pastërtinë e figurës janë edhe katër deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. “Katër është numri i deputetëve të cilët kanë kërkuar informacion nga Autoriteti nëpërmjet paraqitjes së një kërkese individuale, lidhur me ekzistencën e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit për ta, në funksion të verifikimin të figurës së pastërtisë lidhur me vërtetimin e faktit të qenies bashkëpunëtorë apo i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit. Nga verifikimet rezulton se për të katër rastet nuk figurojnë të ketë materiale në ngarkim të tyre, e për rrjedhoje nuk figuron që të kenë qenë bashkëpunëtorë apo i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, sipas ligjit 45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Personat me dosje në ish-Sigurimin e Shtetit dhe institucionet ku punojnë
Në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës, kanë rezultuar me dosje personat me iniciale A. M e I. K.

Në Ministrinë e Jashtme kanë rezultuar me dosje personat me iniciale F. R, E. M, Ll. K (për Ll. K ka ndryshuar vendimi pasi ishte ngatërruar me një person tjetër), J. Sh, G. S, A. A dhe A. D

Në Shërbimin Informativ Shtetëror kanë rezultuar me dosje, personat me iniciale K. P, Q. D dhe R. M

Në Akademinë e Shkencave, figurojnë në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, personat Gj. Sh dhe I. M

Në listat e kandidatëve të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Aleanca Popullore për Drejtësi, për zgjedhjet e 25 Qershorit, kanë rezultuar me dosje personat, XH. A, R. T, F. T dhe Z. G
Në Ministrinë e Brendshme, ka rezultuar me dosje punonjësi me inicialet A. Xh.

Kandidat për anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kanë rezultuar me dosje B. Sh.

Në organet e pushtetit vendor kanë rezultuar me dosje personat me inicialet DH. S dhe Z. K.

Në Gardën e Republikës kanë rezultuar me dosje Q. P

Në Avokatin e Popullit, ka rezultuar me dosje kandidati për komisioner, S. N

Kandidati për anëtar i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Publik Shqiptar, P. P

( Kliko këtu ) për raportin e plotë final për 2018 të Autoritetit të Dosjeve

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tarasi: 12/04/2019 10:37

    Po personat me iniciale A B C D?? Ose jepeni lajmin pasi ti merrni vesh emrat e plot ose kjo qe keni dhene nuk perben lajm.

    Përgjigju
  • ETHEM LALAJ: 12/04/2019 09:53

    Ju LUMT PER PUNEN E BERE.POR PO PUNOHET NGADALE. -DUHET TE TREGOHEN EMRAT DHE JO ME INICIALET.TE HIQEN NGA SKENA KTA SPIUN TE POPULLIT QE KANE MARRE NE QAF SHUME NJERZ KU ME FORCE KANE BERE SHUME B/PUNTORE FUKAREJ.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?