Të gjithë duhet të dimë dhe të kuptojmë se si funksionon BE-ja. Ajo nuk u realizua kurrë ashtu siç ishte menduar, sepse nuk u bë kurrë një federatë, ashtu si SHBA-të. Kjo ka ndodhur për faktin se shtetet anëtare edhe pse kanë pranuar të bashkëpunojnë në nivele të rëndësishme si kurrë më parë në historinë e këtij kontinenti, ata nuk e transformuan BE-në në një institucion të mirëfilltë të bashkimit politik, duke mos pranuar të lëshonin plotësisht sovranitetin e tyre.
Ishin dy rryma ata që kërkonin dhe po investonin për të bashkuar kontinentin dhe ky bashkim si qëllim parësor duhet të kishte paqen dhe kjo ishte e mundur vetëm përmes formës së bashkëpunimit me interesa të përbashkëta ekonomike.
Ishte rryma Federaliste e kryesuar kryesisht nga italianët si Altiero Spinelli, Mario Albertini e mjaft të tjerë. Kjo rrymë pësojë një disfatë të madhe me dështimin e krijimit të Ushtrisë Europiane, në vitin 1956.
Megjithatë, kontributi i kësaj lëvizje politike, filozofike ka qenë vendimtar në demokratizimin e institucioneve europiane e një ndër betejat më të rëndësishme të fituara është vota e drejtpërdrejtë nga qytetarët për anëtarët e Parlamentit Europian.
Po ashtu një kontribut të rëndësishëm Federalistët Europian kanë luajtur edhe për heqjen e kufijve të brendshëm të vendeve anëtare në fillim për zonën të Komunitetit të Celikut e Karbonit të themeluar më 9 maj 1950 e më vonë edhe të Komunitetit Ekonomik Europian.
Synimi final i Federalistëve Europian ishte hartimi i një kushtetutë të përbashkët e përmes saj krijimin e Shteteve të Bashkuara të Europës, duke imituar SHBA-të, sipas së cilës shtetet lëshonin plotësisht sovranitetin e tyre e qeveriseshin nga një qeveri qendrore e përbashkët.
Rryma e dytë me e rëndësishme mund të themi e me aktuale ishte ajo Funksionalistëve që e mendonte bashkimin e kontinentit hap pas hapi, sektor pas sektori në nivel ekonomik për të shkuar gradualisht drejt një bashkimi final politik me dëshirën e një Federate.
Kontribuesit kryesor të kësaj linje janë Schuman, Adenaur, De Gasperi e Spaak e mjaft të tjerë. Këto kishin mundësi më të mëdha reale për të çuar përpara proceset e integrimit dhe bashkimit të kontinentit, sepse ishin leader politik e përfaqësues të lartë të shteteve europiane që kishin qenë shkaktarët e dy luftërave të mëdha botërore, të parës dhe të dytës dhe siç disa historian e quajnë me të drejtë, një konflikt i vetëm i madh 30 vjeçar. Pra, lufta e dytë 30 vjeçare, sepse skenarët dhe faktorët që çuan si në konfliktin e parë botëror edhe në të dytin ishin të njëjtë. Po ashtu, realiteti politik ishte më shumë në favor të linjës funksionaliste, sepse shtetet ishin dakord të bashkëpunonin për paqen, por kishin doza të mëdha mosbesimi, duke qenë se kishin dalë nga dy luftëra të tmerrshme botërore dhe ishin përballur si armiq me plagë të rënda sociale, njerëzore, ekonomike, historike e kulturore.
Pavarësisht traktateve të tjera të rëndësishme që ka pasur në historinë e integrimit të Europës dhe të institucioneve që janë krijuar, ajo është akoma larg bashkimit politik dhe formës federale. Tentativa e fundit për të bërë realitet ëndrrën e federalistëve ishte hartimi dhe miratimi i Kushtetutës Europiane. Ajo u hartuar në 2003 dhe u braktis përfundimisht në 2007. Kushtetuta e re dhe e para europiane duhet të aprovohej nga shtetet anëtare sipas modaliteteve që përcaktonin kushtetutat e tyre e disa nga vendet e tyre duhet ta aprovonin me referendum popullor. Francezët dhe Vendet e Ulëta të thirrura në referendum votuan kundër projektit dhe tekstit të një kushtetute tëë përbashkët të ngjashme me atë të SHBA-ve.
Sot, BE ka një kuadër ligjor që funksionon mbi një përmbledhje të traktateve të Romës, Maastricht, Amsterdam, Nizza dhe në fund Lisbona. Traktati i Lisbonës ka një rëndësi të madhe, sepse krijon BE-në dhe zëvendëson Komunitetin Ekonomik Europian. Me Lisbonën janë bërë reforma të rëndësishme në lidhje me institucionet e BE-së, duke ju dhënë atyre kompetenca më të rëndësishme dhe të zgjeruar në vendimmarrjen dhe krijimin e një institucion të ri siç ishte Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme i BE-së.
Megjithatë, në Traktatin e Lisbonës thuhet qartë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së nuk zëvendëson politikën e jashtme të vendeve anëtare. Kjo do të thotë se fjala e fundit u takon atyre. Pra, në fund për Gjermaninë, Francën, Italinë e të tjerë vende anëtare, vendosin ata për fatin e tyre dhe jo si në rastin konkret Mogherini.
Pra, me gjithë përpjekjet e shumta për të bërë një bashkim të plotë politik të kontinentit, deri më sot është dështuar e kjo për shkak se vendet anëtare nuk kanë pranuar të lëshojnë sovranitetin e tyre për një arsye më madhore si bashkimi politik, siguria dhe mbrojtja e përbashkët. Megjithatë, këto çështje e tema mbeten mjaft aktuale në kohën që jetojmë.
Mos bashkimi i plotë dhe mos realizimi i Federatës Europiane përmes një Kushtetute të përbashkët ka sjellë probleme edhe në lidhje me çështjen që lidhen me zgjerimin. Për këtë arsye edhe çështja e hapjes së nogociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, përtej faktit që është aprovuar në nivelin e institucioneve të BE-se, që të hyjë në fuqi duhet të aprovohet nga vendet anëtare dhe disa prej të cilave duhet ta aprovojnë përmes votimit në parlamentet e tyre.
Çështja e hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë nuk është një çështje kaq e thjeshtë sa duket. Realizimi i këtij objektivi të madh të Shqipërisë do të bëhet dhe mund të bëhet duke mos neglizhuar asnjë faktorë si në nivel të BE-së apo edhe të faktorëve politik të shteteve anëtare.
Hapja e negociatave përtej kritereve është një çështje e mirëfilltë opinioni publik, imazhi medietik dhe lobimi dhe nuk është vetëm çështjes kriteresh, sepse siç ndodh rëndomtë, shumë parlamentarë të parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së që duhet të votojnë për Shqipërinë nuk kanë informacione për procedurat dhe kriteret që duhen për anëtarësim dhe jo me të kenë informacione apo dijeni nëse një vend si Shqipëria i ka plotësuar ato.
Neglizhenca dhe menefegrizmi i qeverisë shqiptare kundrejt deputetëve të vendeve anëtare që mund të vizitojnë Shqipërinë në lidhje me çështjen e hapjes së negociatave është krejt e gabba, sepse mbi bazën e raporteve që do të dorëzojnë ata në komisionet parlamentare të vendeve të tyre, do të votojnë parlamentet nacionale.
Përballë një sfide dhe një shansi kaq të rëndësishëm dhe historik do të thosha për vendin, ka nevojë për një unitet politik dhe për gjithë përfshirje të faktorëve politik, shoqërisë civile, Diasporës, artistëve e atyre që kanë peshë në nivel ndërkombëtar.
Dy forcat e mëdha politike PD-ja dhe PS-ja duhet të bien dakord dhe të arrijnë në një marrëveshje historike për të sheshuar mosmarrëveshjet e brendshme në shërbim të integrimit dhe anëtarësimit të plotë të Shqipërisë.
PD-ja duhet të lobojë fuqishëm dhe fortë në gjirin Grupit të Partive Popullore dhe PS-ja duhet të lobojë shumë në Internacionalen Socialiste dhe tek Grupi Socialist dhe Demokrat.
Duhet të arrihet një armëpushim mes forcave politike shqiptare për mosmarrëveshjet e brendshme, duke i dhënë prioritet absolute çështjes së anëtarësimit dhe të çeljes së negociatave.
Populli shqiptar nuk meriton të ndëshkohet në nivel europian për shkak të politikës apo politikanëve dhe takimi historik me Europën nuk duhet të humbas këtë herë për asnjë arsye.
Europa per mendimin tim kerkon luften kunder korrupsionit ne Shqiperi gje qe nuk eshte arritur pra hyrjen ne BE e kemi vete ne dore.Asnje nuk eshte ndeshkuar,dhe Tahiri qe eshte brenda Sollentuna prova te tjeret.Thjesht tallen me popullin shqiptar.Te pakten te shkrihet SPAKU se po paguhet me roga te majme dhe rezultati 0.
Përgjigju