Kronikë

Hapet Rruga e Arbrit, Rama pritet me tupana! Balluku: Përfundon krejtësisht në prill të 2022! Banorët në festë me muzikë e valle: Ëndërr e realizuar

Me valle dhe muzikë është hapur sot Rruga e Arbrit. Në Dibër sot ka festë. Një ëndërr dhe premtim i hershëm u bë realitet. 54 kilometra tashmë janë gati dhe tashmë kanë mbetur vetëm pak për ta çuar deri në fund prillin e ardhshëm.  Rruga e Arbrit do të shkurtojë ndjeshëm distancën mes Dibrës dhe kryeqytetit.

Në ceremoninë e posaçme ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama si dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku. Sipas Ballukut rruga do të bëhet për vetëm 47 minuta kur të hapet përfundimisht, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje.

Rruga kalon në gjashtë tunele, pesë prej të cilëve janë ndërtuar, ndërsa pritet të përfundojë tuneli i Murrizit. Rruga e Arbrit ka edhe dy ura, atë të Vashës dhe të fshatit Fshat, e cila është më e larta në Ballkan. Ura e fshatit Fshat në rrugën e re të Arbrit e lidh atë me fshatin Shkallë të Njësisë Administrative Xibër është 250 metra e gjatë dhe 158 metra e lartë, më e larta në Ballkan, ndërkohë që ura e Vashës është 152 metra e lartë.  Rruga e Arbrit jo vetëm shkurton distancën e udhëtimit, por do jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit.

Po ashtu nga sot në këtë aks do të jetë edhe makina inteligjente për çdo shkelje të qarkullimit rrugor, shpejtësi apo parakalim të gabuar. Rruga Arbrit parashikohet që përfundimisht të mbyllen në pranverë të vitit tjetër dhe është e gjatë 75 km. Përndryshe qytetarët e qarkut të Dibrës janë shprehur shumë të lumtur me hapjen e rrugës, kjo për faktin se shkurton distancës me kryeqytetin për më shumë se 2 orë. Ato kanë dalë duke festuar e daulle dhe me veshje tradicionale për të shprehur gëzimin për hapjen e rrugës.

Dita e parë në mbrëmje, për shkak të motit të keq pati edhe një bllokim. Mbi 100 makina u bllokuan pasi drejtuesit e mjeteve janë hasur në vështirësi, pasi janë gjendur të papërgatitur duke qarkulluar me goma vere dhe jo dimri, siç e kërkon kjo rrugë, pasi kanë nisur reshjet e para të dëborës. Rruga mbeti e bllokuar për disa orë, ndërsa zhbllokimi i saj ka ardhur në mbrëmje. Për pasojë, Policia Rrugore ka njoftuar se nuk do të lejojë asnjë automjet që të kalojë pa goma dimërore dhe pa zinxhir.

"Nisur nga situata e krijuar, shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Patrullave të Përgjithshme nuk do të lejojnë kalimin e automjeteve në drejtim të bypass-it në rrugën e Arbrit dhe në Qafë Murrizë, as në gjitha ato akse rrugore në të cilat ka prezencë të dëborës, pa vendosur zinxhirët dhe gomat dimërore", tha policia. 

 

 

 

Ora 20:54
Moti i keq/ Ndalohet kalimi në rrugën e Arbrit dhe në Qafë Murrizë pa zhinxhirë

Për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe dëbore, nuk lejohet kalimi në rrugën e Arbrit dhe në Qafë Murrizë pa zhinxhirë dhe pa goma dimërore. Rruga e Arbrit është është hapur zyrtarisht sot, por kalimi për shkak reshjeve të dendura të dëborës është bërë e pakalushme pa zinxhirë. 

"Në disa akse rrugore, kryesisht në bypass-in e rrugës së Arbrit dhe në Qafë Murrizë është  vështirësuar qarkullimi i automjeteve, si pasojë e reshjeve të dëborës dhe e mospërdorimit të zinxhirëve nga drejtuesit e automjeteve.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë marrë masa, në bashkëpunim me firmën që ndërton rrugën, dhe pas ndërhyrjes së borëpastrueseve  qarkullimi i automjeteve vijon, por me ngadalë. Nisur nga situata e krijuar, shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Patrullave të Përgjithshme nuk do të lejojnë kalimin e automjeteve në drejtim të bypass-it në rrugën e Arbrit dhe në Qafë Murrizë, as në gjitha ato akse rrugore në të cilat ka prezencë të dëborës, pa vendosur zinxhirët dhe gomat dimërore.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës, në rast nevoje, për shkak të motit të keq, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash emergjente, duke rritur prezencën e shërbimeve me uniformë, në të gjitha rrugët e vendit. Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të rrisin kujdesin në rrugë gjatë kalimit në të gjitha akset rrugore, pasi ka prezencë të ujit dhe të dëborës, të vendosin rripin e sigurimit, të mos qarkullojnë me shpejtësi, të mos kryejnë parakalime dhe të mos drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur", njofton Policia. 

 

Ora 19:12
Ish-deputeti: Qindra qytetarë janë bllokuar në Rrugën e Arbrit, qeveria bën show

 

Ish-deputeti Xhemal Gjunkshi ka publikuar në rrjete sociale pamje nga bllokimi i rrugës së sapo hapur të Arbrit. Gjunkshi shprehet se qindra qytetarë janë bllokuar dhe është shkaktuar kaos ndërsa shton se kjo është Qeveria e Show-ve, e reklamave dhe tamtameve.

“Me padurim e pritën sot Dibranët hapjen e Rrugës së Arbrit dhe ashtu sikurse shumëkush edhe unë si Dibran do doja të ndihesha i gëzuar që u arrit të hapej një segment I rrugës. Por, nuk mjaftuan vetëm disa orë nga inagurimi pompoz i 350 milionë Eurove të harxhuar nga taksapaguesit shqiptarë që kjo rrugë të bllokohej dhe të krijohet kaos.

Me qindra qytetarë janë bllokuar në këto momente në aksin e sapo hapur, nga Tirana deri në Fshatin -Fshat (Klos). Kjo është Qeveria e Shoë-ve e reklamave dhe tamtameve.

Qeveria të marre masa urgjente dhe të garantojë sigurinë e jetës të qindra qytetarëve, familjareve të cilët po qëndrojnë në kushte mjaft të  vështira të dëborës, ngricës dhe acarit”, shkruan Gjunkshi.

Ora 14:15
Pas festës së inaugurimit të Rrugës së Arbrit, Rama shfaqet pranë oxhakut: Zjarr Dibre

 Pasi inaugurimit të Rrugës së Arbrit pati valle e muzikë nga banorët e zonës, Rama ka shfaqur  një foto teksa qëndron në pranë një oxhaku në Dibër.

“Zjarr Dibre”, shkruan Rama në përshkrimin e fotos.

Potimi i Edi Ramës
Ora 13:05
Hapja e rrugës së Arbrit, Rama pritet me tupana! Balluku: Përfundon krejtësisht në prill të 2022, segmenti të monitorohet nga policia

Është hapur provizorisht rruga e Arbrit, e cila do të kalohet me bajpass në Tunelin e Murrizit. Puna për ndërtimin e Rrugës së Arbrit do të përfundojë në prill të 2022 dhe në total janë hapur 48 km.

‘Janë 54 km nga të cilat 48 i dorëzojmë sot për pëdorim. Siç e keni parë pjesa në Qafën e Murrizit e kemi zgjidhur nëpërmjet Bypass dhe është provizor, kantieri hapet por në formë provizore, pasi fillojnë punimet. Problemi qëndron në gjeologjinë e tunelit të Murrizit i cili është 3.8 km. Në prill të 2022 do të përfundojë krejtësisht. Të gjitha segmentet e tjera, ne jemi të sigurtë se deri në prill çdo gjë do jetë në vendin e duhur. Duhet të ketë një vëmendje nga policia rrugore. Ne kemi kërkuar që të monitorohet nga policia gjatë gjithë kohës.’- tha Balluku.

 

Ora 12:39
Rruga e Arbrit/ PD denoncon një segment që nuk është hapur: Tregoni shqiptarëve nëse do të paguajnë 8 euro për të kaluar

Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi thotë se rruga e Arbrit nuk ka mbaruar pasi është hapur vetëm për propagandë. Sipas saj rruga e cila ka kushtuar 400 miliardë lekë është e papërfunduar dhe se në vend të mashtrimeve qeveria duhet t’u thotë dibranëve a do të paguajnë 8 euro për një udhëtim vajtje-ardhje.

‘Nxitimi për të shpallur, në ditën e ndarjes së shqiptarëve, hapjen e Rrugës së Arbrit, kur rruga akoma nuk ka mbaruar sipas kontratës, është, më e pakta, tallje me dibranët. Dështimi i qeverisë për të mbajtur premtimin e përfundimit të rrugës në prill dhe dështimi i premtimit për ta përfunduar rrugën në fund të këtij viti nuk mund të mbulohet nga propaganda e qeverisë. E vërteta është se rruga që na ka kushtuar 400 miliardë lekë është e papërfunduar dhe hapja e sotme është propagandistike.  Në vend të mashtrimeve, qeveria duhet t’u thotë dibranëve dhe shqiptarëve a do të paguajnë ata deri në 8 euro për një udhëtim vajtje-ardhje në Rrugën e Arbrit, kur rruga të përfundojë sipas kontratës?!’- tha Çupi.

Por segmenti i publikuar nga Dhurata Çupi, sipas burimeve për Report Tv nuk është i hapur për kalimin e automjeteve, pjesë e segmentit ura e vashës-Bulqizë. Ndërkohë edhe nga autoritet shtetërore është thënë se hapja e rrugës është provizore, pasi në rast se rruga ende është një kantier ku po ndërtohet dhe do të mbyllet në rast se ka reshje dëbore.

Ora 12:23
VIDEO/ Ngrin që ditën e parë të hapjes Rruga e Arbrit, policia: Shoferët të jenë të kujdesshëm, të pajisen me goma dimri

 

Sot është hapur provizorisht rruga e Arbrit, ndërkohë që shoferët janë gjendur të papërgatitur pasi nuk janë të pajisur me goma dimri, por janë me goma vere. Me rënien e temperaturave, kanë nisur edhe reshjet e para të dëborës, të cilat kanë krijuar vështirësi në qarkullim, pasi rruga ka ngrirë. Policia u bën apel drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimri dhe të tregohen të kujdesshëm.

Ora 12:15
‘Kjo është një mrekulli për Dibrën’, shoferët në Rrugën e Arbrit: Shkurton distancën me më shumë se 2 orë

Qytetarët e Dibrës janë të kënaqur me hapjen e Rrugës së Arbrit, pasi kjo do të shkurtojë me më shumë se 2 orë distancën ndërmjet kryeqytetit dhe Peshkopisë. Por shoferët janë gjendur të papërgatitur, pasi po lëvizin në një zonë ku kërkohet përdorimi i gomave të dimrit, sepse me rënien e temperaturave kanë filluar edhe reshjet e dëborës.

‘Tani kur janë ditë dimri kjo rrugë është e vështirë. Nuk mund të kalohet me goma normale, duhet të sinjalizohet nga policia. Ky është dimri i parë që po hapet. Kjo është rrugë e vështirë që të kalohet. Këto janë kthesat më të vështira. Duhet me pas kujdes. Kjo e shkurton shumë rrugën. Bëhet Bulqiza për një orë, shkurton rreth 2 orë e gjysëm rrugën. Kjo është një mrekulli për Dibrën!’- tha një qytetar.

‘Nga Peshkopia në Ali Dem një orë 50 minuta. Ishim të papërgatitur, se ishim me goma vere.’- u shpreh një qytetarë.

Ora 12:12
Me kostume tradicionale, daulle dhe flamuj kombëtarë, banorët e Dibrës në festë për hapjen e rrugës së Arbrit: Ëndërr e jona prej vitesh, na zgjidh shumë probleme

Hapja provizorisht e Rrugës së Arbrit ditën e sotme ka një rëndësi të veçantë për banorët e Peshkopisë, Bulqizë, Dibrës dhe jo vetëm pasi shkurton distancën duke nxitur jo vetëm zhvillimin ekonomik dhe turizmit  por dhe punësimit të banorëve në qytete të tjera.

Vetë banorët shprehen shumë të lumtur për hapjen e kësaj rruge edhe pse në mënyrë provizore, pasi tashëm atyre do u lehtësohen shumë lëvizjet e tyre të përditshme. Për festimin e këtij rasti banorët e veshur me kostume popullore dhe tradicionale të zonës, me daulle e flamuj kombëtar kanë festuar ën rrugën e Arbrit.

"Është një ditë e gëzueshme dhe e shënuar për banorët e zonë, është fat i madh që e arritëm këtë ditë që ta bëjmë rrugën në Tiranë brenda orës, na jep dhe mundësi punësimi", tha një banor.

"Sot është një ditë e veçantë për dibranët dhe banorët e malësisë së Tiranës dhe për Tetovën dhe Gostivarin. Sot po inaugurohet një pjesë e rrugës, por ndihmon  shumë në lëvizjen më të shpejtë të banorëve", tha një tjetër.

"Ky është laj m i gëzueshëm për Bulqizën pasi kemi shekuj që presim rrugën e Arbrit, hapet pjesërisht por prapë është një zhvillim i miri për zonën tonë", tha një banorë.

"Kjo rrugë na zgjidh shumë probleme", tha një tjetër.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shaqo: 29/11/2021 23:00

    Ky axha o plak, nuk do me kalu kah rruga re, i pelqen e vjetra. Ani axhe, bon si te dush. Inshallah te bi radha e koha te kalosh kah rruga e re.

    Përgjigju
  • Daja nga Maqellara: 29/11/2021 13:48

    Si nuk folen njehere mire keta opozitaret tane. Duan ti tregojne popullit se jemi ne opozite. Opozite behet me gjera te tjera por jo me ndertimin e veprave kombetare si rruge shkolla spitale. Po keta qe bejne nate e dite gam gam gam cfare kane bere me shume kur ishin ne pushtet Flasin se vidhet po per Rrugen e Kombit dhe rrugen e re Tirane Elbasan po te jene te sinqerte te na e thone sa kane kushtuar dhe sa ka perfituar kryetari aktual i PD kur ishte minister i transporteve?

    Përgjigju
    • Afrim: 29/11/2021 19:29

      @Axha e ke thene tamam.

    • Axha: 29/11/2021 15:55

      Mir mer Daje. Vec se rruget e urat Berisha a Rama nuk i kane nga xhepat e tyre. Por nga tonet. Te fryhesh si gjel se tbona rrugen me paret e tua sikur nuk shkon. Ti bejne rruge e ura se e kan per detyre,i kemi zgjedh dhebu pagujme rrogat, shpite,makinat dhe te tjerat me radhe. Mos zeme ne goje milionat a miliardat qe i kane "peshqesh". E te mos ua shofim surratet neper tv e internet se jane bere me keq se kurvat.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?