Harta e re/ Anëtarët e PD në Komisionin e Reformës Territoriale nisin punën! Çupi: Adresojmë 4 problematikat e ndarjes aktuale

13 Qershor 2022, 14:23| Përditesimi: 13 Qershor 2022, 21:29

  • Share

Përballë një ndarjeje administrative që për të është në kufijtë e dështimit, Partia Demokratike ka nisur punën për propozimet e saj sesi duhet të jetë harta e re e vendit. Sot në orën 13:00, anëtarët e saj në Komisionin për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilluan takimin e parë.

Bashkë-kryetarja e komisionit Dhurata Çupi thotë për Report Tv se opozita do të fokusohet mbi 4 problematikat që ndarja aktuale i thelloi, ku më kryesorja është largimi i shërbimeve nga qytetarët.

 “Kemi një varësi ndaj pushtetit qendror, kemi ndarje më të thelluar mes fshatit dhe qytetit, nuk ka shërbim afër qytetarit dhe atë  që quhet autonomia vendore, ne sot nuk e kemi. Këto janë 4 shtyllat mbi të cilat do të punojmë, për një reformë që do t’i shërbejë qytetarëve”- tha Çupi.

Ende nuk ka një draft propozimesh se sa duhet të jetë numri i bashkive, por më shumë sesa kalkulimet elektorale, për Çupin, ndarja e re duhet të reflektojë shqetësimet e njerëzve.

“Reforma e 2014 ka patur një qasje të qartë të ndarjes me preferenca politike, mjaftojmë të krahasojmë qarqe me më shumë votues të djathtë ose të majtë. psh Kukësi ndonëse ka më shumë popullsi se Gjirokastra, ka më pak njësi vendore, por si ky krahasim ka dhe qarqe të tjera. Sigurisht që ne do të përfaqësojmë edhe interesat politike të Partisë Demokratike,  por qëllimi kryesor është tu japim shqiptarëve  një reformë të gjithëpranuar”- u shpreh Çupi.

Për këtë, PD thotë Çupi do të nisë së pari konsultimet në terren. Por sa e vështirë do të jetë kur demokratët ende po vuajnë pasojat e një krize të brendshme?

“Unë nuk do të isha e vërtetë nëse do thoja se cdo gjë shkon vaj, asnjë problematikë nuk ka, është e pranuar që PD ka një ngërç por unë do mundohem ta ndaj ngërcin politik të PD me atë që kërkojnë qytetarët dhe demokratët. Patjetër që do të kemi konsultime me të gjitha grupet, krerët e degëve, grupet e interesit.”- tha Çupi.

Në këtë pikë, një përgjigje ka edhe për deputetët e grupit Berisha, që akuzuan se anëtarët e pakicës në Komisionin për Reformën territoriale, nuk përfaqësojnë të gjithë opozitën.

“Komisioni ka në përbërje ish kryetarë bashkish që e njohin mirë terrenin, me ekpseriencë të gjatë në drejtimin e bashkive. Mendoj se është një grup shumë i mirë me deputetë dinjitozë, me eksperiencë e me vizion”- u shpreh deputetja demokrate.

Komisioni i reformës administrative u kërkua nga Partia Demokratike, ndërsa të enjten parlamenti miratoi përbërjen e tij. Komisioni është bipartizan , dhe ka në përbërje18 anëtarë.  Synimi kryesor është që ndarja e re të aplikohet në zgjedhjet vendore të 2023. Harta aktuale administrative është miratuar më 31 korrik 2014 ndërsa e ndau Shqipërinë në dy nivele të njësive të qeverisjes vendore 12 Qarqe dhe 61 bashki.

Ora 21:28
Reforma Territoriale/ PD mbledh nesër grupin, deputetët do dorëzojnë me shkrim problematikat e zonave

Pas mbledhjes që zhvilluan anëtarët e PD-së së Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, nesër do të mblidhet Grupi Parlamentar, ku deputetët do të dorëzojnë një analizë të problematikave të zonës ku deputeti është zgjedhur, si edhe propozimet e tyre për standardet që duhen aplikuar për ndarjen e re administrative-territoriale.

Si edhe duhet të propozojnë persona, qofshin funksionarë apo ish-funksionarë të PD-së në nivel vendor, për tu konsultuat për ndarjen e re territoriale.

Të gjitha materialet më pas do t’i shërbejnë Grupit të Punës që të hartojë një dokument të sintetizuar të problematikave në nivel bashkie dhe qarku, listën e personave që duhen konsultuar për të mbledhur opinionet e tyre, si dhe kriteret e standardet që duhen mbajtur në konsideratë për ndarjen e re administrativo-territoriale.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?