Politikë

Hartë të re me më pak gjykata? Qeveria: Shërbimet do të qëndrojnë aty ku janë! KLGJ insiston: Do të ketë reduktim, vetëm 1 Gjykatë Apeli

1 Tetor 2021, 10:29| Përditesimi: 1 Tetor 2021, 15:00

  • Share

TIRANË-Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka premtuar shumë shpejt një hartë të re gjyqësore në vend. Ai tha se shërbimet për qytetarët do të jenë aty ku janë, duke vendosur në pikëpyetje projektin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për reduktimit të gjykatave.

"Procesi i miratimit të hartës së gjyqësorit është një proces jo i lehtë, pasi merren parasysh shumë faktorë.  Thelbi i hartës është përqendrimi i trupës gjyqësore. Unë e thashë që ne do të shkojmë drejt variantit që do t'i çojmë shërbimet gjyqësore atje ku janë sot", tha Manja për mediat.

Por burime ekskluzive për Report Tv nga KLGJ bëjnë me dije se ky institucion i qëndron propozimit për reduktim të gjykatave, me 1 gjykatë apeli.  KLGJ ka kërkuar që nga 34 gjykata që janë aktualisht të ngelen 15, dhe vetëm një Gjykatë Apeli në Tiranë.  Sipas draftit të cilin KLGJ thotë se ja ka përcjell Ministrisë së Drejtësisë propozohet që nga 22 gjykata të shkallëve të parë të bëhen 12 nga gjashtë gjykata administrative të bëhen 2 dhe nga gjashtë apele të bëhet një në të gjithë vëndin. Do të mbyllen disa gjykata të vogla në rrethe si Laçi, Mati, Puka, Tropoja, Përmeti etj.

Report Tv mëson se brenda datës 15 tetor do t'i shkojë Ministrisë së Drejtësisë harta e re gjyqësore dhe më pas do t'i kalojë Qeverisë për të marrë një vendim.

Në një konferencë të titulluar “Roli i Institucioneve Vetëqeverisëse të Drejtësisë” ministri i Drejtësisë u ndal sot te Reforma në drejtësi dhe lufta kundër pandëshkueshmërisë.

 “Shteti i së drejtës ishte i kapur peng nga korrupsioni. Vettingu filtroi dhe nxori nga sistemi një numër të lartë gjyqtarësh dhe prokurorësh. Reforma ishte e nevojshme dhe po jep rezultate. Ndërsa tani, le të flasim për rezultate konkrete, sepse sistemi i mëparshëm i drejtësisë promovonte padrejtësinë dhe modelin e pandëshkueshmërisë. Reforma në Drejtësi po jep rezultate dhe qeveria e re është e vendosur ta çojë përpara. Vetingu tregoi se sa i nevojshëm ishte. Reforma po jep frytet, ajo është një model unik në vendet e rajonit. Vetingu u certifikua edhe nga Gjykata e Strasburgut. Do miratojmë hartën e re gjyqësore dhe do të rrisim numrin e pranimit në shkollën e magjistraturës si e vetmja rrugë për plotësimin e vakancave”, tha Manja.

 

 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?