Foto ilustruese

Heshtja që vret

15 Korrik 2018, 07:55| Përditesimi: 15 Korrik 2018, 08:30

  • Share

Imuniteti i zyrtareve të Shtetit, të denoncuar për parregullsi e abuzime nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe të mos larguar nga detyra prej qeverisë, është i rrezikshëm. Ushqen orë e çast mendësinë që “KLSH le të lodhet duke na denoncuar. Vetëm zhurmë bën. Ne na mbron partia”. Është një situatë që të thuash paradoksale është pak.

Tregon papërgjegjshmëri të plotë. Vëmendja e rritur dhe tejet pozitive ndaj zullumeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve që po zhbiron vetingu, ka bërë që zullumet e strukturave të qeverisë të dalin pak në pah. Të mos jenë në vëmendjen e njerëzve. Dhe kjo është fatale, pse abuzuesit e shumtë në qeveri mjergull duan. Me një opozitë, denoncimet e së cilës nuk i beson askush, gjendja veç përkeqësohet. Kush do t’i verë këta të qeverisë përpara përgjegjësisë? Mos vallë vetë qeveria? Harrojeni! Duhet një strukturë e pavarur nga ajo. 

Për katër vite me rradhë (2015-2018), KLSH i ka dërguar Kryeministrit dhe Departamentit të Administratës Publike, listën e përditësuar të zyrtarëve të të gjitha niveleve të konstatuar me shkelje nga auditimet e veta. Për katër vjet rrjesht ka marrë vetëm heshtje. Kjo heshtje vret, pse dëshmon indiferencë totale, shthurje të Shtetit.

Administratorë të lartë publikë, të kapur dhe të kallzuar penalisht nga KLSH për dëmtim të rëndë të pronës publike dhe interesave të taksapaguesve shqiptarë, kanë vazhduar të qëndrojnë në detyrë, ose kalojnë në detyra të tjera shtetërore duke i promovuar në karrierë. Të paktën të ishin larguar përkohësisht nga shërbimi publik, sa të verifikoheshin akuzat e KLSH. Por jo. Zyrtarët e nivelit të lartë janë përgjegjës për vendimet përfundimtare të marra në lidhje me menaxhimin e fondeve publike dhe pronës shtetërore, te cilat shkaktojnë dëme të mëdha financiare për institucionet dhe fondet publike. 

Le të kujtojmë 80 milionë eurot e paarkëtuara nga dështimi i shitjes së Albpetrol. Apo vetëm dy vjet më parë, të 52 milionë eurot e “humbura” nga nënshtrimi ndaj audituesit ndërkombëtar për llogaritë e Bankers. Deri më tani nuk ekziston asnjë akt ligjor që rregullon përgjegjësinë materiale të zyrtarëve të nivelit të lartë në lidhje me vendimet e tyre që shkaktojnë dëme të mëdha financiare. Me financat e shtetit tonë mund të bësh ç’të duash. KLSH ka rekomanduar në mënyrë të përsëritur hartimin dhe miratimin e Ligjit për Përgjegjësinë Materiale të administratorit shtetëror për pesë vite rrjesht (2013-2018). Sërisht ka marrë vetëm heshtje! 

Kjo është skandaloze. Nga vendim-marrjet kolektive për privatizime, koncesione, partneritete publik- private, apo edhe vendim-marrje individuale, dikush duhet të dalë përgjegjës për humbjet që i shkaktohen Shtetit. Vetëm tek ne faji ngelet jetim. Ky ligj do ta mundësonte këtë përgjegjësi dhe llogaridhënie. Por qeveria mjaftohet me portalet denoncuese dhe me disa masa për largim nëpunësish, herë pas here. Kjo nuk është luftë reale ndaj korrupsionit.

Abuzimi dhe mashtrimi financiar nuk luftohen kështu, me berihaj, sa herë i lind një shkëndijë dikujt në Olimpin qeveritar. Lufta reale është e përditshme, me kontrolle, kryqëzime faturash, ndjekje llogarish, hetime, proces-verbale e deri kallzime penale. Në vitin 2013 dhe në muajt e parë të 2014-ës ministrant e qeverisë u kujtuan të bënin disa kallzime penale për numër, për shou. Asgjë nuk rezultoi prej tyre. Pastaj harruan. Pse, kështu luftohet gangrena më e madhe e shoqërisë sonë? Kjo është të tallesh me një nga hallet më madhore të shqiptarëve. 

KLSH është institucioni i vetëm që ka tagrin kushtetues për akses të pavarur në informacion, avantazhin për t’u dëgjuar direkt nga Kuvendi dhe profesionalizmin për të qenë i pavarur nga ndërhyrjet politike, qeveritare, të biznesit, etj., duke bërë të mundur një lupë reale ndaj paudhesive të abuzuesve. Por denoncimet e tij nuk trajtohen, masat e propozuara për largim nga puna të drejtuesve të lartë nuk zbatohen. Kjo heshtje, ky indiferentizëm është kapitullimi i Shtetit tonë ndaj presionit të abuzuesve partiakë.

Komento

Komente

  • MINUSHE: 16/07/2018 10:29

    urime Z.Çoçoli per shkrimin! Duhet nje institucion ligjor qe te kontrolloje dhe te denoncoje korrupsionin e zyrtareve shteterore.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?