Hetimet për vrasjen e Jurgen Kurtit në Tiranë, pista kryesore: Hakmarrja

19 Mars 2019, 10:24| Përditesimi: 19 Mars 2019, 15:26

  • Share

Jurgen Kurti, djali 26-vjeçar shumë i njohur nga të gjithë për shkak se ishte menazher i personazheve të njohur të artit, u ekzekutua mbrëmjen e së hënës në hyrjen e pallatit të tij në rrugën "Zef Jubani" pranë stadiumit "Selman Stermasi" në Tiranë, ku jetonte me nënën. I riu u qëllua për vdekje me pistoletë nga dy persona të maskuar, ende të paidentifikuar nga policia, të cilët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me motor. Kurti sapo kishte zbritur nga makina e tij dhe po kalonte trotuarin për t'u ngjitur në banesë, kur është ekzekutuar duke mbetur i vdekur në vend.

Jurgen Kurti ishte një emër i njohur edhe për drejtësinë, pasi në vitin 2016 është akuzuar për vrasjen e babait të tij, Artur Kurti, në të njëjtën banesë ku ai jetonte me nënën. Çifti ishin të divorcuar, dhe Artur Kurti u vra me thikë gjatë një përleshje ku i plagosur mbeti edhe kunati. Në këtë rast të rëndë ai fitoi lirinë, pasi autorësinë e vrasjes e mori daja i tij, Leonard Ristani, në kushtet e vetëmbrojtjes. Po ashtu, Jurgen Kurti ishte i akuzuar për dhunimin për vdekje të një tregtari në Durrës, në prill 2017. Edhe në vrasjen e Agim Arapit, Kurti fitoi lirinë pasi për krimin u dënua vëllai i vjehrrit të tij. Kujtim Ekonomi u dënua me 5 vite burg për vrasje nga pakujdesia, por bashkëshortja e tregtarit të ndjerë, Vjollca Arapi gjithmonë ka kërkuar drejtësi pasi sipas saj kamerat e sigurisë në biznesin e tyre tregonin edhe përfshirjen e Jurgen Kurtit, për të cilin thoshte se është përgjegjës edhe për vrasjen e burrit të saj edhe të babait të tij.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve të ndodhura pranë skenës së krimit, ndërsa në kryeqytet u ngritën menjëherë postblloqe të shumtë. Policia ka thirrur për të marrë në pyetje, edhe të afërm të Agim Arapit, pasi një ndër pistat që po hetohet është ajo e vrasjes për hakmarrje. Ata mësohet të kenë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen, ku kanë kërkuar të mos i hapin plagët e vjetra.

Ngjarja ishte mjaft tronditëse për njerëzit e tij të afërt të cilët e kanë mësuar nga mediat vrasjen.

E fejuara e tij, mbërriti në mbrëmje pranë banesës, ku u pa teksa e përlotur dhe nën klithma i kërkonte efektivëve të ngjitej në banesë, aty ku ndodhej e vetme nëna e Jurgen Kurtit.

"Më lini të kaloj...Jo, o Zot të lutem ai është shpirt, ai është jetë. Nuk kam më shpirt" ishin klithmat e të fejuarës së tij duke vajtuar. Nëna kishte mbërritur në banesë vetëm pak çaste para se djali i saj të vritej poshtë pallatit. Në vendngjarje ishin edhe personazhe të njohur, miq të Jurgenit, me të cilët ai edhe kishte bashkëpunuar. Po ashtu, pranë hetuesve ishte edhe drejtori i komanduar i Policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu.

Para se të arrestohej për vrasjen e babait, Kurti njihej në Tiranë si menaxher i VIP-ve. Ai solli në Tiranë reperin e njohur Rick Ross. I riu kishte në pronësinë e tij mbi 10 biznese, ndërkohë që spikaste jeta luksoze me makina të shtrenjta.

Ekzekutohet te hyrja e pallatit, foto nga vendi i ngjarjes dhe të viktimës Jurgen Kurti
G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?